Ndihmonte emigrantët të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin, arrestohet 19-vjeçari në Shkodër

8 Tetor 2025, 15:16Kronika TEMA
Ndihmonte emigrantët të kalonin në mënyrë të

Policia Kufitare ka finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 3”, duke arrestuar një 19-vjeçar që ndihmonte emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta të kalonin kufirin me Malin e Zi, kundrejt një pagese prej 400 eurosh për person.

I riu, me inicialet V. T., banues në Durrës, u kap në flagrancë nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë, në fshatin Vukpalaj, teksa po transportonte me automjet katër emigrantë që synonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Gjatë operacionit u sekuestruan automjeti me të cilin kryhej transporti, si dhe një aparat celular që dyshohet se përdorej për koordinimin e veprimtarisë.

Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se ka qenë i përfshirë në ndihmën ndaj emigrantëve për kalimin fillimisht të kufirit me Greqinë, dhe më pas të atij me Malin e Zi.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje