Përshtatën banesën për shitje lëndësh narkotike, arrestohen dy persona në Tiranë, shpallet në kërkim një i tretë

21 Janar 2025, 11:39Kronika TEMA
Përshtatën banesën për shitje lëndësh narkotike,

Një banesë e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit është zbuluar nga forcat policore në qytetin e Tiranës, ku janë sekuestruar 5 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike.

Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar S. H., një 23-vjeçar nga Tirana, dhe B. S., një shtetas turk, ndërsa është shpallur në kërkim Xh. B., një tjetër shtetas, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal.

Hetimet dyshojnë se këta shtetas ishin të përfshirë në sigurimin, ndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike në Tiranë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 1”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga shtetasi Xh. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 pershore elektronike, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi B. S., 24 vjeç, banues në Turqi, pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Për veprime të mëtejshme materialet e sekuestruara i kaluan Prokurorisë.

Lini një Përgjigje