Policia e Tiranës po heton pista të reja lidhur me ekzekutimin e 50-vjeçarit Edmond Sula, i cili u vra mesnatën e 12 korrikut në Bërxullë.
Sipas burimeve hetimore, një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me aktivitetin e tij si aksioner në një kompani të licencuar për kanabis mjekësor në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet dyshojnë se mund të ketë pasur ndonjë konflikt të mundshëm që lidhet me këtë biznes, megjithëse deri tani nuk ka prova konkrete që e mbështesin këtë pistë.
Për këtë arsye, autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve maqedonas për të marrë informacione më të detajuara mbi aktivitetin e Sulës dhe rolin e tij në këtë kompani. Përgjigjet nga pala maqedonase mund të ndikojnë në drejtimin e mëtejshëm të hetimeve.
Ndërkohë, grupi hetimor po verifikon edhe pista të tjera, përfshirë konflikte të mundshme në zonën ku viktima jetonte, dyshimet për dhënie parash me fajde, si dhe përplasje të lidhura me aktivitetin e tij në fushën e shitblerjes së pronave.
Sipas hetimeve paraprake, Edmond Sula dyshohet se jepte para me fajde në zona si Vora dhe Fushë-Kruja, ndërsa policia po punon për të zbardhur nëse ndonjë prej këtyre konflikteve mund të ketë lidhje me vrasjen e tij.
Lini një Përgjigje