Plagosja e 15-vjeçarit me thikë nga bashkëmoshatarët, flet babai i tij: Sherri nisi në TikTok

1 Dhjetor 2025, 12:58Kronika TEMA
Plagosja e 15-vjeçarit me thikë nga bashkëmoshatarët, flet

Babai i 15-vjeçarit, i cili disa ditë më parë mbeti i plagosur rëndë më thikë, ka deklaruar se djali i tij ka dalë nga rreziku për jetën. 

15-vjeçari, nxënës i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, u plagos me thikë nga një shok i klasës, vetëm sepse kërkoi sqarim për fjalët fyese që kishte dëgjuar prej tij.

“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Më pas do të shohim dëmtime në zemër apo në tru. Këto janë çështje të shëndetësisë dhe me detaje nuk di çfarë të shpjegoj. Por këtë e thotë mjeku i zemrës.

Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, do të shohim maksimumi brenda dy ditëve”, tha babai i të miturit në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News 24. 

Sa i përket sherrit, babai i adoleshentit theksoi se shkaku ishte një debat në rrjetin social TikTok, ku janë sharë mes njëri-tjetrin. Më pas ai shtoi se do të ia lënë në dorë instucioneve këtë rast.

“Gruaja është në gjendje jo të mirë, herë qan, herë e mban veten, por na mban besimi te Zoti. Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë dhe shtetit pjesën tjetër”, deklaroi ai.

Lini një Përgjigje