Plagosja e 60-vjeçares në Lushnje, flet babai i të shpallurit në kërkim: Djali është në Greqi, ngjarja e sajuar, duan të hakmerren

31 Mars 2023, 11:32Kronika TEMA

Plagosja e 60-vjeçares në Lushnje, flet babai i të shpallurit

Shaip Hasalla, babai i Armando Hasallës që është shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar i plagosjes së 60-vjeçares Bajame Senej një ditë më parë në Lushnje, ka folur për gazetarët dhe ka mohuar përfshirjen e djalit të tij.

Ai përsëriti të njëjtin version që djali i tij është në Greqi. Vetë Armando Hasalla komunikoi mbrëmjen e së enjtes me Klan News ku deklaroi që është në shtetin grek.

Shaip Hasalla: Në lidhje me ngjarjen unë nuk di gjë fare se çunat nuk janë këtu. Armando është në Greqi, ka 10 ditë ose 2 javë që ka ikur. Kurse Laerti ka ikur 2 netë përpara në Itali, ka vajtur tek vjehrri me gjithë nusen me dy kalamajtë.

Pyetje: Juve ju ka marrë në pyetje policia?

Shaip Hasalla: Po, na morën mbrëmë.

Pyetje: Çfarë kërkonte policia?

Shaip Hasalla: Policia ku ke qenë sot gjithë ditën. Ne dje ishim në gjyq për tokën, për ullinjtë dhe për djalin që na është vrarë. Mbaruam gjyqin në orën 15:00 edhe unë erdha në shtëpi. Sa erdha në shtëpi erdhi policia tha ke vrarë njerëz. Thashë unë nuk di gjë se çfarë është bërë rrugës. Edhe s’di gjë.

Pyetje: Ke folur me djemtë në telefon?

Shaip Hasalla: Fola. Më mori çuni jo unë. Më mori Armand në telefon që tha çfarë ka ndodhur andej. Erdhi policia këtu, nuk e di se çfarë ka ndodhur, po thonë që është bërë një plagosje.

Pyetje: Pse Afrim Hasalla ju akuzon juve dhe djemtë tuaj për plagosjen e djeshme?

Shaip Hasalla: Nuk e di se dje u bë gjyqi, u mor vendimi edhe do të hakmerret prapë.

Pyetje: Çfarë vendimi u mor nga gjykata?

Shaip Hasalla: Kastrioti u dënua 35 vjet. Afrim Hasalla 2 vjet burg. Marjus Hasalla 1 vit e 6 muaj. Brahimi është dënuar 200 mijë Lekë të reja për armëmbajtje pa leje.

Pyetje: Cilët janë këta personazhe?

Shaip Hasalla: Këta janë autorët që kanë vrarë djalin.

Pyetje: Vazhdoni të keni konflikte pas 2 vitesh me familjen tjetër Hasalla?

Shaip Hasalla: Nuk kemi pasur asnjë lloj konflikti. Unë kam parë punën time, hallin tim. Ja ka lënë drejtësisë këtë punë, ta zgjidhë drejtësia, jo unë si person.

Pyetje: Çfarë dyshoni? Është një ngjarje e sajuar apo diçka tjetër?

Shaip Hasalla: Për mendimin tim është një ngjarje e sajuar nga ana e tyre.

Pyetje: Pse mendon ta kenë bërë këtë?

Shaip Hasalla: Duan të hakmerren.

Pyetje: Djali që akuzohet është i gatshëm të përballet me policinë?

Shaip Hasalla: Djali është në Greqi tani, ku do vijë djali.

Kujtojmë që më herët, Afrim Hasalla, vëllai i Kastriotit pretendoi se të shtënat me armë që u qëlluan ndaj motrës së tij erdhën nga familjarët e Shaip Hasallës. Afrimi tha se Kastrioti mbrojti në konfliktin që ndodhi në vitin 2021 vëllain dhe djalin e tij. Shkak i konfliktit mes dy familjeve është bërë një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh e mbjellë me ullinj.

Lini një Përgjigje