Plaurent Dervishaj njihej si "Plaku": Zbërthimi i aplikacionit "Sky", si u thur plani pë vrasjen e "Rrumit"

15 Shkurt 2023, 22:10Kronika TEMA

Plaurent Dervishaj njihej si "Plaku": Zbërthimi i aplikacionit

Zbulohen të tjera detaje nga dosja hetimore në lidhje me atentatin e dështuar ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.

Emisioni “Në Shënjestër”zbardh faktet se si autoritetet franceze ‘zbërthyen’ aplikacionin ‘Sky’ dhe morën përgjimet e anëtarit të bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj. Dervishaj me bashkëpunëtorët e tij, mendonin se ishin të painterceptueshëm, gati të padukshëm në membranën e tyre të krimit.

Por ajo që duket se i tradhtoi ishte pikërisht mendimi se mbrojtja e tyre ishte teknologjia. Ideja se aplikacioni ‘Sky’ sipas tyre ishte plani më i sigurt për të komunikuar dhe se hetuesit nuk do të mund t’i gjurmonin dot, treguan se grupi i Plaurent Dervishaj i kishte bërë llogaritë pa ekspertët e duhur. Kjo pasi nuk e kishin menduar se një ditë bisedat e tyre me sfond kriminal në këtë aplikacion, do të binin në duart e hetuesve. Ashtu sikurse ndodhi në përfshirjen e tyre në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura në vitet e fundit në Shqipëri.

Bëhet fjalë për atentatin ndaj Arjan Ndojit, asokohe prokuror i Durrësit, ngjarje të cilin ekspertët francezë, të vënë në kërkim të gjurmëve të një rrjeti kokaine, mundën që falë dekriptimit të aplikacionit ‘Sky’ të zbërthenin njëkohësisht edhe bisedat e këtij grupi kriminal, me bazë në qytetin bregdetar shqiptar. Por si mundi prokuroria franceze që nëpërmjet aplikacionit ‘Sky’ me të cilin kishin komunikuar urdhëruesit dhe ekzekutorët e krimit, të zbërthente jo vetëm atë ngjarje, por edhe të tjera që po planifikoheshin ndërkohë?!

Çfarë përmbanin këto biseda që çuan në arrestimin e disa prej të dyshuarve dhe shpalljen në kërkim të Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rrajës?

Kjo dosje, e cila falë edhe ndihmës së autoriteteve franceze, çoi SPAK, drejt identifikimit të të gjithë pjesëmarrësve në këtë klan kriminal. Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’ plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit ‘Sky’. Kjo me qëllim që ata të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese, ndërsa grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm.

Por ky aplikacion nuk ishte i padepërtueshëm për hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë. Siç thuhet edhe në dosje, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.

Ish-prokurori Arjan Ndoji ra pre e një atentati më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’ si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku, viktima më e pafajshme e kësaj historie.

Një dosje voluminoze e publikuar nga emisioni “Në Shënjestër”, hedh dritë jo vetëm për mënyrën se si u krye atentati ndaj prokurorit Ndoji dhe mikut të tij ‘Rrumi’, por edhe se si plani për asgjësimin e tyre nisi disa muaj para se skenari të vihej në jetë.

Sipas dosjes, plani për ekzekutimin e prokurorit Arian Ndoji dhe mikut të tij “Rrumi”, thuhet se nisi fillimisht me shkarkimin e aplikacionit “SKY”.

Organizatorët nisën të përdorin aplikacionin me qëllim që të mos përgjoheshin nga organet ligjzbatuese.
Grupi kriminal i Plaurent Dervishaj, e cilësonte të padepërtueshëm aplikacionin në telefon, por nuk mendonin kështu hetuesit francezë dhe ekspertët e tyre të specializuar në ç’kodimin e aplikacioneve të tilla, sado të sofistikuara që ato mund të jenë.

Siç del edhe nga video që e publikon emisioni “Në Shënjestër”, një ndihmë të vyer në këtë rast ia kanë dhënë edhe vetë përdoruesit e saj, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të krimit në këtë aplikacion, gjatë bisedave që kanë zhvilluar.

“Referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e ‘SKY’ midis datave 13 gusht 2019 dhe 23 shtator 2019, ndërmjet shtetasve Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi, del në pah sigurimi i kushteve dhe masat paraprake që janë marrë nga autorët për realizimin e vrasjes së Arian Ndojit dhe Pëllumb Muharremit (Aleksandër Lahos). Pasi për këtë qëllim, këta persona kanë shkarkuar në telefonat e tyre aplikacionin “SKY”, me qëllim për të mos u përgjuar dhe identifikuar”, thuhet në dosje.

Njeriu kyç që ishte i interesuar direkt për eliminimin e Rrumit, rezulton të jetë Plaurent Dervishaj. Ai është një personazh shumë i njohur, dikur pjesë e bandës së Durrësit, por që do të merrte pafajësinë pas një sage të gjatë gjyqësore. Në operacionin ndaj Arjan Ndojit dhe Rrumit, Dervishaj mban pseudonimet ‘Shoku’ apo ‘Plaku’.
Dervishaj, vetëm 6 muaj para atentatit ndaj prokurorit Ndoji dhe Rrumi, kishte rënë edhe vetë pre e një prite të armatosur, bashkë me dy miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj.

Bëhet fjalë për atentatin e ndodhur më 20 qershor 2019, në fshatin Koxhas të Shijakut për të cilin ai dyshonte se ishte organizuar nga “Rrumi i Shijakut”, një rival i fortë i tij në luftën për territor dhe pushtet në qytetin e Durrësit.

Ky duket të ketë qenë edhe motivi për të cilin Dervishaj nisi të thurë planin e tij të hakmarrjes.

“Në bazë të bisedave të kryera, grupi organizator i atentatit të datës 1 nëntor 2019, ndaj prokurorit Arjan Ndoji dhe Aleksandër Lahos, me shprehjen ‘Shoku’ i referohen Plaurent Dervishaj, me shprehjen ‘Fshatari’ personit nën hetim Bledar Polovina. Me shprehjen‘Bad’ Amar Shkëmbit (alias Dritan Shkëmbi). Ndërsa me ‘Doku’, bashkëbiseduesit i referohen të pandehurit Redian Rraja; me ‘XONI”, personit nën hetim Ramazan Rraja; me ‘Kili’, Genti Ndërjakut (alias Kili Ndërjaku dhe Ekil Ndërjaku); dhe me ‘Dicio’, i referohen personit nën hetim Endrit Sinanit. Ndërsa Marsel Deçkës i referohen me kodin ‘Kështjella’”, thuhet në dosjen hetimore.

Lini një Përgjigje