Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet pas pretendimeve të Partisë Demokratike se ditën e djeshme, në ambientet e jashtme të Kuvendit, një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u nxori armën dy deputetëve demokratë, Bledjon Nallbati dhe Luan Baçi.
Lidhur me këtë AMP nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar, ndërkohë burime për Reportv.tv bëjnë me dije se nga verifikimet e deri tanishme efektivi Altin Muço nuk ka pasur armë me vete në momentin e përplasjes.
Opozitarët pretenduan ditën e djeshme se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë “mësynë” të armatosur në ambientet e jashtme të Kuvendit të Shqipërisë. Madje, ata thanë se një prej tyre gjatë përplasjes me deputetët e opozitës kërcënoi demokratin Luan Baçi dhe Bledjon Nallbatin.
Gjithashtu, në media qarkulloi dhe një video ku efektivi i FNSH-së u pa teksa gjatë përplasjes me deputetët demokratë vendosi dorën te vendi ku pretendohej të kishte armën e shërbimit.
Ky lajm u hodh poshtë më herët nga vetë Policia e Shtetit të cilët përmes një reagimi zyrtar bënë me dije se asnjë prej efektivëve të Policisë të cilët ndodheshin në tubim nuk ishte i armatosur.
Pas këtij reagimi një tjetër video u publikua nga blutë e Shtetit të cilët zbuluan përmes pamjeve se pajisja e efektivit të FNSH-së që alarmoi deputetët demokratë nuk ishte një armë, por një sprai djegës.
Mire do ishte te ishte arme......dhe ta perdorte