
Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe ka dërguar për gjykim dosjen e Arbër Paplekës për akuzën e vrasjes dhe tetë punonjësit e policisë për shpërdorim detyre.
Gjashtë nga punonjësit e Policisë i përkisnin forcave “Shqiponja” dhe dy të dyshuarit e tjerë ishin me detyrë zëvendësdrejtor për rendin dhe sigurinë publike në D.V.P. Elbasan. Ata u akuzuan nga Prokuroria për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i deputetit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë hetimet vijojnë për shtetasin K.Xh. për akuzën e vrasjes dhe për policin R.M. për shpërdorim detyre.
Prokurorët e çështjes R.S. dhe P.A. kanë pushuar akuzat për armëmbajtje pa leje dhe tentativë vrasje të punonjësve të policisë, vjedhje me dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë për Arbër Paplekaj si dhe pushojnë akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë për të gjithë anëtarët e strukturës për mbrojtjen e votës për shtetasit A.H., E.D. etj.
Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.
Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.
Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.
Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.
Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.
Autori u vu nën pranga pak pas ngjarjes, duke u shoqëruar dhe në komisariat. Deklarata e tij pati qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.
Mbi 20 persona u shoqëruan drejt komisariatit asokohe. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.
Ndërsa në burg, mbahet ende Paplekaj, në pritje të vendimit përfundimtar nga Gjykata.
Nga ana tjetër, Xhuvani ishte akuzuar nga Partia Demokratike se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS-së dhe PD-së Ditën e Verës të vitit 2021 në Elbasan.
Lini një Përgjigje