
Nga Vitjon Nina
Ervis Martinaj mund të jetë rrëmbyer dhe pista e vetme mbi të cilën po hetohet për zhdukejn e tij, është pikërisht kjo.
Prokuroria e Kurbinit është duke e shqyrtuar mundësinë se një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare mund të jetë rrëmbyer, pas kallëzimit që xhaxhai i tij, Faik Martinaj, ka bërë ditën e djeshme në komisariatin e rrethit Kurbin, duke theksuar se prej tre ditësh, ai ka humbur çdo gjurmë.
Dyshimet për rrëmbimin e Martinajt janë referuar nga Policia e Lezhës dhe në këtë mënyrë, Prokuroria ka mundësi të kryejë veprime hetimore.
Prova të tjera mbi këtë çështje nuk ka, përtej kallëzimit të familjarit të Martinajt.
Megjithatë, e gjithë situata mbetet shumë e çuditshme dhe e mistershme, kur mendohet se si një ndër personat më të kërkuar, i vendosur edhe në radar ndërkombëtar, ka humbur tërësisht gjurmët edhe nga familjarët e tij.
Dëshmia e xhaxhait të Ervis Martinajt pranë komisariatit të Policisë Kurbin, për zhdukjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare, ka hedhur dyshime se atij mund t’i ketë ndodhur “diçka e keqe”.
Fillimisht, Faik Martinaj, xhaxhai i Ervisit, ka theksuar se është njoftuar nga një i afërm për humbjen e gjurmëve nga nipi i tij, pasi vetë ai, nuk ka pasur kontakt direkt me të, që prej kohësh kur është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Për arsye sigurie, Faik Martinaj nuk e ka përmendur emrin e të afërmit, duke theksuar gjithashtu se ai ndodhet jashtë vendit.
Ky familjar, e ka njoftuar xhaxhain e Martinajt se kishte humbur kontaktet me Ervisin.
“Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale që kërkojnë ta eliminojnë. Ne kemi pritur deri ditën e sotme që mos kemi ndonjë kontakt me nipin Ervisin, por nuk kemi arritur të kontaktojmë dhe nuk kemi asnjë lloj informacioni për vendndodhjen edhe gjendjen e tij”, ka shtuar më tej ai.
Forcat policore janë gjithashtu në dyshime tashmë se si duhet të veprojnë, pasi Ervis Martinaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Familjarët kanë pasur gjithashtu dyshime se ai mund të ketë shkuar në Dubai për t’i shpëtuar forcave të rëndit.
Mirëpo, sipas Policisë shqiptare, ai nuk ka lëvizur nga Shqipëria dhe gjendet në zona ku ka mbrojtje dhe siguri.
Disa aksione janë ndërmarrë nga forcat speciale, përfshi ato RENEA, për kapjen e Martinajt, por asnjëherë nuk është arritur lokalizimi i tij dhe kapja e efektshme.
Këto detaje të fundit, vijnë pak kohë pas vrasjes së një familjari të Ervisit, Brilant Martinaj, i cili së bashku me dy persona të tjerë, u ekzekutuan në mbikalimin e Fushë-Krujës me breshëri plumbash, në një sulm të mirëorganizuar, autorët e të cilit ende nuk janë zbuluar nga Policia.
Lini një Përgjigje