Shantazhet në rrjetet sociale, Balla: Po punojmë për ndryshimet ligjore kundër dhunës online

18 Shkurt 2024, 14:43Kronika TEMA
Shantazhet në rrjetet sociale, Balla: Po punojmë për ndryshimet

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për arrestimin e 27 vjeçarit Benard Çullhaj i cili shantazhonte dhe kërcënonte vajzat e mitura në Tiranë nëpërmjet rrjeteve sociale. 

Balla shkruan se po punohet për të bërë ndryshime ligjore kundër dhunës online.

Mes të tjerash, ministri u bën thirrje të gjithë personave që përballen me gjuhë fyese apo shantazh online, të denoncojnë rastin në polici. 

"Ngjarjet e fundit kanë rritur nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.

Policia e Shtetit përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë identifikuar një tjetër rast shantazhi në rrjetet sociale me rrezikshmëri ndaj një minoreneje. 

Po bashkëpunojmë me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve tona në përballjen me këtë formë kriminaliteti.  

Policia e Shtetit po rrit vigjilencën dhe forcën parandaluese, është i domosdoshëm bashkëpunimi me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes rrjeteve sociale, për të na dhënë mundësinë e reagimit në kohë.

Në momentin më të parë të konstatimit duhet denoncur dhe jo të bini pre e shantazhit! Paralelisht po punojmë për ndryshimet ligjore  kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e rrjeteve sociale po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe",- shkruan Balla. 

Lini një Përgjigje