Shfaqi probleme shëndetësore, ndërron jetë në spital 12-vjeçari në Tiranë

8 Janar 2025, 13:46Kronika TEMA
Shfaqi probleme shëndetësore, ndërron jetë në spital

Një 12-vjeçar nga fshati Poceste i bashkisë së Maliqit ka ndërruar jetë një ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Lajmi është konfirmuar nga drejtoria e shkollës 9-vjeçare në Vashtemi, ku i mituri ishte nxënës i klasës së 7-të.

Burime pranë shkollës bëjnë me dije se shkaku i vdekjes së 12-vjeçarit janë problemet kardiake që ai shfaqi. Megjithatë pritet ekspertiza ligjore për të saktësuar shkakun e vdekjes.

Fillimisht, i mituri mori trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Korçës, por për shkak të gjendjes së rënduar, ai u transportua me urgjencë në QSUT, ku humbi jetën.

Ky rast ka shtuar shqetësimet për rritjen e rasteve të vdekjeve nga problemet kardiake tek moshat e reja në qarkun e Korçës.

Vetëm disa ditë më parë, tre të rinj të tjerë humbën jetën në qytete të ndryshme të qarkut: një 16-vjeçar në Korçë, një 17-vjeçare në Pogradec, dhe një 15-vjeçare në qytetin e Ersekës.

Autoritetet shëndetësore dhe ata të rendit po zhvillojnë hetime për të zbardhur shkakun e këtyre vdekjeve dhe për të siguruar informacion të saktë për faktorët që mund të kenë kontribuar në këto tragjedi.

Lini një Përgjigje