Mjekët e spitalit Onkologjik të dyshuar për korrupsion e kontrabandë me medikamentet mjekësore do të dalin të mërkurën para Gjykatës së Posaçme për tu njohur me masat e sigurisë.
Ndërkohë SPAK ka kërkuar informacion nga bankat dhe hipotekat për pasuritë dhe astetet e mjekëve në kuadër të hetimit pasuror.
Në SPAK, dosja është marrë në dorëzim nga hetuesi Elvin Gokaj, i cili ka dhënë urdhër që të hetohen edhe disa farmaci që dyshohet se kanë kryer kontrabandë ilaçesh.
Megjithatë deri më tani nuk dihet se për cilat farmaci bëhet fjalë. Disa prej tyre kanë dalë edhe në hetimin e Prokurorisë së Tiranës, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë.
Të gjithë të akuzuarit janë personel mjekësor, e po ashtu, mungojnë drejtuesit e tyre.
Por me urdhër të prokurorit Gokaj, brenda 10 ditëve do të rishikohen edhe masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës.
Prokuroria e Tiranës zbuloi më 26 qershor abuzimet brenda spitalit Onkologjik, ku pacientët liheshin pa shërbim falas në shtet në mënyrë që të orientoheshin drejt privatit, konkretisht në klinikën “Megis” në Astir, të onkologut Edmond Gashi, aktualisht në masë arresti në shtëpi.
Koordinatori Lela dyshohet se gjente në spital të sëmurët dhe duke i paraqitur një situatë të zymtë se te Onkologjiku do prisnin gjatë, i çonte te klinika e Gashit. Për secilin merrte përqindjen e tij. Mjekja Pere akuzohet se ka asistuar në ndërhyrjen e një të moshuare në klinikën “Megis”, edhe pse nuk ishte e deklaruar në privat.
Brikena Qirjazi, akuzohet se nuk ka vënë në punë aparaturën me kobalt për trajtimin e tumorit. Ndërsa Florian Marku dyshohet se kishte në farmacinë e tij ilaçe me kod të dëmtuar që mund të jenë nxjerrë nga spitali Onkologjik për tu shitur në vlera nga 500-1500 euro.
Më falni se nuk mund t’ju jap mënd për punën Tuaj , por s’keni për t’ë nxjerë gjë , s’ma do mëndja që nqs vërtet kanë pasuri që nuk e justifikojnë dot , t’a kenë në emrin e tyre . Metodë e njohur kjo këto 34 vjet . Populli thotë :-Nuk mbahet demi nga bishti , por nga brirët , apo tjetra:- Ja ujku , Ju po mundoheni të gjeni gjurmët .