Gëzim dhe Orjent Hysa, përkatësisht 58 dhe 22 vjeç janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre, iu gjet armë zjarri kallashnikov, 4 krëhra dhe sasi municioni luftarak.
Babë e bir pretenduan se disa persona të maskuar ishin futur në oborrin e banesës së tyre e për pasojë ata kishin qëlluar me armë në ajër.
Kryefamiljari telefonoi policinë, e cila nuk vonoi t’u shkonte në shtëpi e t’u merrte dëshmitë e plota, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur. Pronarët e banesës, pretendojnë se 3 apo 4 ditë më parë dikush ka tentuar t’i vjedhë në pronën e tyre dhe se ishin rikthyer sërish mbrëmjen e së enjtes.
Hysët u thanë hetuesve se në mbrëmje konstatuan një burrë të maskuar në oborr, hynë brenda morën armën kallashnikov, të cilën kryefamiljari e ruante në një çantë të posaçme që nga viti 1997, dhe djali i tij 22 vjeç qëlloi disa herë në ajër.
Sipas tyre, hajduti i maskuar, që tashmë ishte larguar, ka qëlluar me armë. Pasi blutë krehën zonën në kërkim të autorit, të vetmet që u gjetën ishin gëzhojat e qëlluara nga arma e kallashnikovit, por jo të armëve të tjera.
Dëshmia e pronarëve që denoncuan rastin është marrë me rezerva nga hetuesit, të cilët po vijojnë hetimet për të zbardhur çfarë fshihet pas saj. Nuk përjashtohet që për arsye të paqarta, ngjarja të jetë e sajuar. Ndërkohë, nën akuzë për “armëmbajtje pa leje” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” u vunë në pranga babë e bir, të cilëve veç armës iu gjetën edhe 4 krehra me municion luftarak.
Lini një Përgjigje