Një 38-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në një ndjekje nga policia në zonën e Nettuno, afër Romës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, kur dy automjete që lëviznin me shpejtësi të lartë tërhoqën vëmendjen e dy patrullave të policisë italiane.
Sipas hetimeve paraprake, patrullat nisën ndjekjen e menjëhershme të automjeteve. Njëra prej makinave u ndal pak minuta më vonë dhe në të ndodhej një 26-vjeçar italian, i cili u arrestua në vendngjarje.
Ndryshe ndodhi me mjetin tjetër, një Fiat Cinquecento, i cili vazhdoi arratinë duke hyrë në një rrugë të dëmtuar. Automjeti përfundoi duke u përplasur me një shtyllë telefoni dhe u rrotullua disa herë.
Kur policia mbërriti në vendin e aksidentit, shoferi, një shtetas shqiptar 38 vjeç, kishte ndërruar jetë. Pavarësisht përpjekjeve për t'i dhënë ndihmën e parë, ai nuk mundi të shpëtohej. Trupi i tij u transportua në spitalin Policlinico Tor Vergata për ekzaminime të mëtejshme.
Ndërkohë, brenda makinës së 38-vjeçarit u gjet një çantë e madhe me 23 pako që përmbanin 25 kilogramë kokainë, sasi kjo me vlerë të konsiderueshme në tregun e zi të drogës.
Sakaq, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse dy të ndaluarit janë pjesë e një rrjeti më të gjerë trafikimi.
Lini një Përgjigje