Dalin pamjet e vendosjes së lëndës eksplozive në portën e banesës së gjyqtarit Tonin Sterkaj në Shkodër.
I veshur me të zeza, kapuç në kokë dhe doreza të bardha mjekësore, një person afrohet dhe vendos lëndën plasëse në portën e shtëpisë së gjyqtarit të Shkodrës.
Report Tv ka siguruar videon e momentit të shpërthimit të lëndës plasëse, ndërsa evidentohet edhe e gjithë dinamika e lëvizjes së autorit.
Ishte ora 02:55 e 28 prillit 2024, kur autori afrohet në banesën e gjyqtarit në lagjen "Tom Kola". Pasi nxjerr tritolin nga xhupi e vendos në cep të derës. Më pas e ndez dhe largohet me shpejtësi nga e njëjta rrugicë që u pa të vinte. Në orën 02:59 minuta ndodh shpërthimi.
Autori është ende në arrati, ndërkohë sipas procedurave Policia e Shkodrës ka marrë në mbrojtje gjyqtarin Sterkaj. Në 13:30 pritet mbledhja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku do të merret një vendim për mbrojtje të posaçme për gjyqtarin e Shkodrës.
Lini një Përgjigje