Vrasja e gjyqtarit Kalaja - Gjykata lë në burg autorin, xhaxhanë e tij dhe punonjësin e sigurisë

9 Tetor 2025, 09:35Kronika TEMA
Vrasja e gjyqtarit Kalaja - Gjykata lë në burg autorin, xhaxhanë

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i cili akuzohet se është autor i vrasjes së magjistratit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi si edhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhajn.

Elvis Shkambi, i dyshuar si autori i vrasjes, dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, kërkuan falje publike për familjen e gjyqtarit Kalaja.

Ata justifikuan ngjarjen si pasojë e një tronditjeje të fortë psikike, për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve.

Elvis Shkambi, 30 vjeç, përballet me tre akuza të rënda nga Prokuroria: vrasja e funksionarit publik, vrasja e kundërshtarëve në gjyq (e mbetur në tentativë) dhe armëmbajtje pa leje. Ai është i dyshuar gjithashtu për plagosjen e Rakip dhe Ervis Kurtajt, baba e bir.

Për Gjon Shkambin, 56 vjeç, Prokuroria ka ndryshuar referimin e Policisë, e cila më parë e kishte akuzuar edhe për vrasjen e gjyqtarit.

Aktualisht, ai dyshohet vetëm për dijeni në lidhje me planin e nipit të tij, por lidhur me palën tjetër në gjyq, Rakip dhe Ervis Kurtajn, ku dyshohet se ka luajtur rolin e nxitësit në tentativën e vrasjes.

Prokuroria thekson se Gjon Shkambi ka bërë kërcënime publike në emisione televizive, duke deklaruar se do të vriste personat që sipas tij kishin zaptuar një godinë trekatëshe në Shkodër. Madje, vetë familjarët kanë kallëzuar në polici për kanosjet e marra prej tij.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.

Lini një Përgjigje