Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burg përjetë për Arsen Muskurtin, i cili qëlloi për vdekje të vëllanë, Dritan Muskurti dhe nusen e vëllait, Nora Muskurti, krim i ndodhur më 31 gusht 2022.
Sipas organit të akuzës, autori ka pohuar se e ka kryer vrasjen pas mosmarrëveshjeve të shumta me të vëllanë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 gusht 2022, brenda agjencisë së udhëtimeve “Nour Tours” në Tiranë, ku autori hyri i armatosur dhe qëlloi për vdekje dy viktimat.
Gjatë hetimeve, është provuar se Muskurti kreu aktin makabër për shkak të konflikteve të vazhdueshme me vëllain.
Në deklarimet para hetuesve, ai ka pohuar se prej kohësh kishte probleme me të ndjerin, të cilin e akuzonte për shantazh dhe presion ndaj tij dhe prindërve të tyre.
Konfliktet mes vëllezërve kishin degjeneruar në përplasje të shpeshta, madje ishin trajtuar edhe nga gjykata, por pa zgjidhje, çka çoi në krimin e dyfishtë që tronditi opinionin publik.
Njoftimi
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në përfundim të hetimeve, kërkon dënimin me burgim të përjetshëm, të shtetasit A.M. për kryerjen e veprës penale ’Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare’, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal për vrasjen e vëllait të tij shtetasit D.M. dhe kunatës N.M.
Në përfundim të hetimeve për çështjen penale nr.6027 të vitit 2022, u provua se shtetasi A.M., me 31.08.2022 ka hyrë brenda agjencisë së udhëtimeve ’Nour Tours’ duke mbajtur në dore një armë dhe ka goditur për vdekje me armë dy viktimat.
I pyetur për ngjarjen, shtetasi A.M. u shpreh se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh.
Debatet dhe konfliktet midis tyre kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk u zgjidhur edhe pse i ishin drejtuar gjykatës duke çuar në aktin e rëndë.”
Lini një Përgjigje