Zhduket pa gjurmë 30-vjeçari, miku i Aleksandër Sadikajt i ekzekutuar në 2022

2 Korrik 2025, 09:47Kronika TEMA
Zhduket pa gjurmë 30-vjeçari, miku i Aleksandër Sadikajt i
Aleksandër Sadikaj

Eraldo Muçi, një prej miqve më të besuar të Aleksandër Sadikaj është zhdukur në mënyrë misterioze prej më shumë se dy javësh në Memaliaj.

Prindërit e 30-vjeçarit kanë bërë kallëzim në polici dhe apelojnë që autoritetet të hetojnë për të zbardhur të vërtetën për zhdukjen e djalit të tyre të vetëm.

Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit. Sipas 'BalkanWeb', burime policore thanë se për herë të fundit, i riu është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.

Familja ngre dyshime të forta se atij mund t’i ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje, por policia nuk përjashton as pista të tjera.

30-vjeçari i zhdukur pa gjurmë, njihej si një nga miqtë e besuar të Aleksandër Sadikaj i njohur si Sanço. Ky i fundit u ekzekutua në qershor të 2022 në një atentat mafioz në afërsi të rrethrrotullimit të TEG, ku automjeti i tij shpërtheu nga një sasi e madhe tritoli që ishte vendosur në të.

Pas kësaj ngjarje, mes grupit të tij dhe grupit kundërshtar të vëllezërve Edmond Papa e Kristo Qirici janë shënuar disa ngjarje të rënda kriminale. Pas tij u vra Edmond Papa nga grupi kundërshtar. Kushërinjtë e Sadikajt, Adriatik Kalemi e Zamir Kalemi iu mbijetuan të paktën dy atentateve mafioze në Greqi e Tiranë. Më pas u shënua ajo që njihet si masakra e Memaliajt, ku u vra Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik e Zamir Kalemit dhe dy persona të tjerë, kamarieri dhe një klient i lokalit.

Lini një Përgjigje