85 vite jetë mes ngjyrave dhe telajos - Liljana Çefa rrëfen fillimet e saj, sfidat dhe mesazhin për të rinjtë

19 Shtator 2025, 19:28Kulturë TEMA
85 vite jetë mes ngjyrave dhe telajos - Liljana Çefa rrëfen

Ajo na mirëpriti në shtëpinë e saj në Shkodër, aty ku edhe sot e kësaj dite vijon të pikturojë dhe të ruajë lidhjen e pandarë me artin.

Liljana Çefa, piktorja që ka lënë gjurmë të thella në jetën artistike të Shkodrës, rrëfen për RTSH fillimet e saj në këtë art me të cilin bashkëjeton prej një jete.

Ishte më tepër mendimi i Petrit Garucit. Ka qenë drejtori i shkollës, një njeri i jashtëzakonshëm. I pati thënë babës që kam talent, të bënte çmos që me të mbaruar klasën e 7-të… Dhe 13 vjeçe kam shkuar atje [në shkollë],” kujton znj. Çefa.

Për dekada punoi si mësuese vizatimi duke formuar breza të rinjsh. Por bashkë me suksesin profesional, Liljana Çefa rrëfen se sfidat familjare dhe përkujdesja për fëmijët shpesh e vendosnin përballë sakrificave të mëdha.

Kur ata ishin në shkollë, që të vazhdonin shkollën e lartë se s’bën – se ishte koha që ishte shumë e zorshme, nuk shisje piktura, askurrgjë – kemi ndenjur duke qepur këpucë deri në mesnatë me burrin tim vetëm e vetëm që t’i bënim bursat fëmijëve,” shprehet piktorja.

Sot, në moshën 85-vjeçare, ajo mbetet e lidhur ngushtë me telajon dhe përcjell një mesazh të fuqishëm për të rinjtë që duan t’i futen botës së artit.

Është shumë e theksuar ambicia në art. Në të gjitha artet është shumë e theksuar, por për të qenë një ambicie profesionale e mirë, ajo të shtyn. Bëhet stimul ajo piktura e bukur që mund të bësh, të jep stimul për të punuar,” thotë ajo.

Përmes jetës dhe krijimtarisë së saj, Liljana Çefa mbetet ende sot një shembull frymëzues për Shkodrën. - RTSH-

Lini një Përgjigje