Një mbrëmje plot emocion dhe art u dhurua nga fëmijët e korit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” në Shkodër, të cilët performuan në skenën e spektaklit të njohur “Këngët e Shekullit”.
Me zërat e tyre të pastër dhe prezencën skenike plot energji, kori i fëmijëve shoqëroi këngëtaren Vikena Kamenica, në një performancë muzikore, duke fituar zemrat e publikut, dhe duke u bërë simbol i shpresës dhe trashëgimisë artistike shkodrane.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndau në rrjetet sociale momente nga kënga e tyre koncerti, duke i cilësuar fëmijët si “ambasadorët e vegjël të artit shkodran”.
“Fëmijët e korit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve ‘Kujtim Alija’ ndriçuan skenën e spektaklit ‘Këngët e Shekullit’ me talentin dhe energjinë e tyre magjike”, shkroi Beci në postimin e tij.
Kjo pjesëmarrje është një tjetër dëshmi e punës së palodhur që bëhet në qytetin e Shkodrës për të nxitur artin dhe kulturën që në moshë të vogël.
Beci ftoi publikun të ndjekë performancën e tyre emocionuese, që sjell në skenë shpirtin dhe traditën e pasur muzikore të qytetit të Shkodrës.
“Këngët e Shekullit”, është spektakli që sjell jo vetëm kujtimet, por edhe një pjesë të historisë sonë të muzikës.
Lini një Përgjigje