Anuar Sadat Presidenti egjiptian i paqes

7 Tetor 2025, 18:04Kulturë TEMA
Anuar Sadat Presidenti egjiptian i paqes

Një nga gjashtë personalitetet të cilëve u ka kushtuar një studim të hollësishëm Henri Kisinger në librin e tij “LIDERSHIP”, është edhe Presidenti i Egjiptit Anuar Sadat. Gjashtë udhëheqësit e trajtuar në këtë libër ngjasojnë me përkushtimin për t’u dhënë shoqërive të tyre një qëllim të ri dhe për ta lidhur këtë qëllim me traditë kuptimëplotë. Ndryshon rasti i Anuar Sadatit, shkruan ndër të tjera Henri Kisinger në kapitullin kushtuar Anuar Sadatit, presidentit të Egjiptit nga viti 1970-1981. Arritjet e tij ishin konceptuale dhe zbatimi i tyre u cungua nga vrasja e tij. Pasardhësit e Sadatit në të vërtetë të paktë, përvetësuan vetëm aspektet konkrete dhe jo vizionare,të përpjekjeve të tij dhe nuk shpalosën dot guximin e fortë me të cilin ai i kishte vënë ato në zbatim. Për pasojë, pak njerëz e kujtojnë arritjen e tij më të madhe-paqen me Izraelin-dhe qëllimi i tij i thellë moral është shpërfillur pothuajse nga të gjithë, edhe pse ishte themeli i marrëveshjeve mes izraelitëve dhe palestinezëve në Oslo, i paqes midis Izraelit dhe Jordanisë dhe normalizimit të marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bajrenit, Sudanit dhe Marokut. Gjatë një konflikti rajonal që dukej i pazgjidhshëm dhe drejt një qorsokaku diplomatik, Sadati shpalosi një vizion të fortë të paqes, i jashtëzakonshëm në konceptim dhe i guximshëm në zbatim. Njeri jo mbresëlënës në rininë e tij, një revolucionar gjatë viteve të formimit, në dukje si një figurë dytësore, edhe pasi arriti poste të larta kombëtare dhe i shpërfilur edhe pas ngritjes në pushtet si president, Sadati parashtroi një ide mbi paqen, e cila ende sot e kësaj dite nuk ka mundur të përmbushet. Asnjë nga bashkëkohësit e tij në Lindjen e Mesme nuk ka treguar aspirata të krahasueshme dhe nuk ka qenë i aftë t’i përmbushë ato. Ndaj, sundimi i shkurtër i Sadatit mbetet si një britmë në histori. Në kapitullin “Ndikimi i historisë”, ndër të tjera Kisingeri e shtjellon historinë e Egjiptit e cila është luhatur prej shekujsh midis dy identitetesh qytetërimi.

Njëri e kishte origjinën në mbretërinë e lashtë mesdhetare së Ptolemenjve, e orintuar drejt Greqisë dhe Romës. Brenda kësaj kornize Egjipti zinte një vend të rëndësishëm gjatë periudhës helenike dhe perandorisë së hershme romake. Aleksandria shërbeu si një qendër e botës së lashtë në brigjet pjellore të Nilit, ku prodhohej shumica e grurit të pellgut të Mesdheut. Identiteti i dytë dhe më i ri i vendit ishte ai i një shteti islamik, i orientuar drejt Mekës. Ky identitet u përforcua nga ekspasionistët e shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, si mamluku Ali Beu dhe komandanti ushtarak Osman Muhamed Aliu, të cilët synonin të ndikonin dhe të pushtonin Arabinë dhe Levantin. Më 1805, pas zbarkimit të shkurtër të Napoleonit në Egjipt, Muhamet Aliu e shpalli veten Khalif i parë, që ishte një titull për një mëkëmbës për një sundim Osman. Ai krijoi një dinasti që do të sundonte Egjiptin për 150 vitet e ardhshme. Në fund të viteve 1870, osmanët që kishin qenë administrator të vendit që nga shekulli XVI, krijuan përkohësisht një kushtetutë të shkruar, ku miratohej përfaqësimi politik popullor dhe qeverisja parlamentare.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Khalifët egjiptianë e kishin zhytur vendin në borxhe, duke bërë që në vitin 1875, Egjipti t’i shiste Britanisë pjesë që kontrollonte në Kanalin e Suezit dhe t’i dorëzonte asaj të drejtat e plota të veprimit në atë zonë. Kështu, duke filluar nga viti 1876, Parisi dhe Londra morën nën kontroll financat e Egjiptit. Më 1882, Britania pushtoi Egjiptin dhe e shpalli veten “mbrojtëse” të Egjiptit. Që nga kjo kohë nacionalizmi egjiptian nisi t’u kundërvihej pikërisht fuqive europiane. Anuar Sadati ishte një nga tetmbëdhjetë fëmijët me një baba me origjinë turke, i cili punonte si nëpunës qeverita i ushtrisë. Adoleshenca dhe mosha e hershme e pjekurisë së Sadatit përkuan në një kohë kur sfondi politik i vendit ishte shumë i tensionuar. Më 1939, kur ishte 19 vjeç dhe sapo kishte përfunduar akademinë, Sadati takoi një oficer të ri të quajtur Gamal Abel Naser, i cili kishte formuar një grup revolucionar të fshehetë brenda ushtrisë egjiptiane, “Oficerët e Lirë”. Ashtu si “Vllezërit Myslimanë” edhe “Oficerët e Lirë” kishin në plan të përdornin armët për të fituar pavarsinë. Lufta antibritanike Sadatin e çoi në dhunën revolucionare, duke ndjekur shembullin e Azis al Masrit, një udhëheqës i Revoltës Arabe, gjatë Luftës së Parë Botërore i cili u bë aleat me britnikët për të dëbuar osmanët nga Gadishulli Arabik. Pra duke e trajtuar armikun e armikut si mikun e vet, Sadati filloi të lidhej me gjermanët e gjeneralit nazist Romelit, për të thurur planin e parë për një revolucion. Më pas nga vitet 1942-44-46-48, Sadati kaloi duke hyrë e dalë nga njëri burg në tjetrin. Por një ngjarje tronditëse do t’i ndryshonte synimet e tij dhe të organizatës “Oficerët e Lirë”: themelimi i shtetit të Izraelit, më 14 maj 1948.

Me shpalljen e deklaratës së pavarësisë së shtetit të ri, të lexuar nga David Ben-Gurion në një takim në Tel Aviv dhe me njohjen e menjëhershme të Izraelit nga presidenti amerikan Harri Truman, shtetet arabe fqinje hynë në luftën civile që kishte shpërthyer midis arabëve dhe hebrenjve të Mandatit të Palestinës. Egjipti, Transjordania, Siria dhe Iraku nisën pushtimet duke shënuar fillimin e një fushate të pasukseshme dhjetëmujore që u përpoq të parandalonte formimin e një shteti të pavarur izraelit. Më tej do të pasonin 25 vjet luftë herëpashershme, shkruan Henri Kisinger. Forcat egjiptiane në tetor 1948 kishin pësuar humbje të mëdha. Në janar 1949, ato ishin zbrapsur dhe rrethuar në Rajonin e Gazës. Në shkurt u nënshkrua një armëpushim. Ky do të ishte armëpushimi i parë, por jo i fundit që do të pranohej nga luftëtarët arabë. Veteranët e luftës së viteve 1948-49, duke përfshirë presidentët e ardhshëm të Egjiptit Nagip dhe Naser, besonin se arsyeja e humbjes së betejës kishte qenë përçarja arabe. Kjo i dha shtysë një projekti të ri panarab: bashkim ushtarak të shteteve arabe, me synimin për t’u përballur me Izraelin dhe për të luftuar kundër ndikimit perëndimor. Ndoshta për shkak se krijimi i Izraelit u interpretua nga shumë egjiptianë si një tjetër ndërhyrje europiane në rajon, mes popullit egjiptian u rrit solidariteti për kauzat arabe dhe zemërimi ndaj Perëndimit. “Oficerët e Lirë” me shpresën se “do t’i neutralizonin britanikët”, duke bindur aleatin e tyre amerikën për një fai accompli, oficerët dërguan mesazh në ambasadën amerikane duke i thënë se një lëvizje e madhe në vend ishte tashmë e pashmagshme. Më 23 korrik të 1952, ata kryen me sukses një grusht shteti kundër mbretit Faruk, i cili u largua duke lënë në fron të birin e mitur, mbretin Fuad II. Ishte Sadati ai që hartoi deklaratën e abdikimit të mbretit dhe shpalli fitoren e Oficerëve të Lirë në radio. Këshilli i Komandës Revolucionare zgjodhi president dhe kryeministër Nagipin dhe Naserin zëvendëskryeministër. Naseri ishte udhëheqës karizmatik dhe bëri për vete mbështeësit e Nagipit dhe në një fjalim në podium e qëllojnë me 8 plumba që për fat nuk e kapin dhe ai e mbylli fjalimin me fjalët: “Vazhdoni dhe më qëlloni: Nuk mund ta vrisni Naserin, sepse i gjithë populli egjiptian do të bëhet Naser”. Gjatë drejtimit të Naserit Anuar Sadat ishte forca që qëndronte pas medias shtetërore egjiptiane. Ai themeloi gazetën e përditshme “ala Xhumhuria” (Republika) në dhjetor 1953 dhe për disa vite ishte drejtor përgjegjës dhe gazetar i njohur. Gjatë kësaj kohe Sadati shkroi tre libra mbi “Revolucionin Egjiptian”, duke përfshirë edhe një libër në anglisht me titull “Revolta mbi Nilin” (Revolt on the Nile) në vitin 1957, me një parathënie nga Naseri.

Në vitin 1960-të, ai iu kthye politikës si Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Kombëtar dhe më vonë u bë kryetar i kuvendit. Gjatë dekadës së ardhshme, edhe kur u bë zëvendëspresident në vitin 1969, ai vazhdoi t’i shmangej vëmendjes publike. Më vonë pasi u bë president, një gazetar e pyeti nëse profil i tij i heshtur kishte qenë arsyeja pse kishte pasur marrëdhënie të mira me Naserin. Në kujtimet e tija Sadati thoshte: “Nuk kam qenë as i papërfillshëm gjatë qeverisjes së Naserit dhe as i ndrojtur apo dinak, në asnjë çast të qeverisjes sime. Çështja është fare e thjeshtë. Unë me Naserin u bëmë miq në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare. Pastaj erdhi revolucioni. Ai u bë President i Republikës. Unë u gëzova, sepse miku që i besoja ishte bërë President dhe kjo më bëri shumë të lumtur”. Që para vdekjes së Naserit, Sadati filloi të vepronte duke ndjekur intuitën. Ndërsa Naseri anonte nga Bashkimi Sovjetik, Sadati iu drejtua Shteteve të Bashkuara me deklarata të mbështetura në një llogaritje të thjeshtë të interesit kombëtar të vendit të tij. Në vitin 1959, ai i kishte thënë ambasadorit të SHBA-së në Egjipt se pozicionet amerikane dhe egjiptiane në Afrikë duhet të shihen si të pajtueshme. Në vitet 1962 dhe 1963, ndërsa Egjipti ndërhyri në Jemen për të mbështetur një kryengritje të udhëhequr nga ushtria kundër imamit në pushtet, Sadati ruajti kontaktin me Uashingtonin, duke u kërkuar amerikanëve të mos ndërhynin në anën e ruajalistëve. Qëllimi i tij ishte të shmangte përballje të drejtëpërdrejtë midis Amerikës dhe Egjiptit.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, deri në vitin 1964, marrëdhëniet midis Egjiptit dhe SHBA-ve ishin armiqësore, për shkak të tensioneve në Kongo, Jemen dhe politikë së ndihmës së SHBA-së. Sidoqoftë në vitin 1966, Sadati u bë egjiptiani i profilit të lartë që nga koha e revolucionit, i cili kreu një vizitë zyrtare në SHBA. Këtë herë, ai shpresonte ta bindte Amerikën që të luante rolin e një ndërmjetësi të ndershëm mes Egjiptit dhe Arabisë Saudite për arritjen e një marrëveshjeje mbi Jemenin. Por nëse konflikti i vitit 1948 kishte ndyshuar botëkuptimin e Naserit, ai i vitit 1967 do të ndryshonte botëkuptimin e Sadatit. Lufta Gjashtëditore kishte treguar sesa e rrezikshme ishte të vendosje solidaritetin panarab mbi interesin kombëtar. Pas vitit 1967, me prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipti kishte mbetur vetëm në mëshirë të ndihmave sovjetike. Me kalimin e kohës, Sadati u bind se aleanca me Bashkimin Sovjetik nuk i kishte sjellë Egjiptit ndonjë përfitim të madh dhe as e kishte ngritur pozitën e vendit në botë.

Por çdo lidhje e ardhshme me SHBA-në duhej të bëhej duke respektuar pavarësinë e Egjiptit. Sadati, as në kohën kur kishte qenë ministër dhe as në kohën kur kishte qenë kryetar kuvendi qëndrimi i tij ndaj SHBA-së, në përshtypjen e zyrtarëve amerikanë, nuk ishte veçanërisht i ngrohtë. Në atë kohë, Sadati nuk kishte krijuar ende ndonjë ide vizionare për paqen. Ndoshta, nga vjeshta e vitit 1970, ai do të ketë kuptuar kotësinë nga ana praktike të një lufte të përhershme me Izraelin. Luftimet e njëpësnjëshme i kushtonin shumë Egjiptit dhe Thesari i shtetit tashmë ishte zbrazur. Sulmet ajrore që kërcënonin drejtëpërdrejt Kajron pengonin zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe në vitin 1970, ai e refuzoi prerazi mundësinë e njohjes së Izraelit: “Kurrë, Kurrë, Kurrë! Kjo është diçka që nuk mund ta vendosë askush… Populli ynë do t’i shtypte kokën kujtdo që do ta vendoste këtë”. Këto kritika të gjalla ndaj Shteteve të Bashkuar të Amerikës shpesh ishin akte teatrale të personalitetit të tij politik, tejet dramatik. Sadati besonte se “në Egjipt, personalitetet kanë qenë gjithmonë më të rëndësishme se programet politike”

Kastriot Kotoni

Lini një Përgjigje