Mbrëmjen e djeshme, teatri “Zihni Sako” në Gjirokastër u mbush plot me të qeshura dhe duartrokitje nga publiku, që ndoqi me shumë interes komedinë brilante “Komshinjtë”, me regji dhe skenar të Florjan Binaj. Kjo është hera e parë që shfaqja ngjitet në skenë jashtë kryeqytetit.
“Është hera e parë që e sjellim jashtë Tirane dhe aktorët kanë pasur mundësi të përvetësojnë personazhet, por edhe ta përshtatin çdo qyteti. Pjesa që kam shkruar “Komshinjtë” është përpjekja e brezit të sotëm për tu pasuruar shpejt, për ti thyer disa rregulla, për ti shitur disa vlera të shoqërisë dhe familjes në emër të pasurimit të shpejt”, u shpreh regjisori Florian Binaj.
Spektatorët ndoqën me vëmendje lojën dinamike të aktorëve, ku situatat komike sollën emocione dhe kënaqësi si për publikun, ashtu edhe për vetë aktorët në skenë.
“Skena e kryeqytetit është tjetër por ajo që ndjeva këtu është energjia pozitive”, u shpreh aktori, Erni Tufa.
“Sot kisha një emocion të veçantë në Gjirokastër dhe i falënderoj shumë”, tha aktori Lindar Kaja.
Subjekti i komedisë bazohet në ngjarje nga jeta e përditshme, duke nxjerrë në pah me ironi dhe humor vlerat dhe anti vlerat e shoqërisë shqiptare sot. Përmes karaktereve të njohura dhe skenave plot situata qesharake, “Komshinjtë” sjell një pasqyrim të jetës në lagjet tona dhe ndërveprimit mes banorëve. - RTSH-
Lini një Përgjigje