Të zgjedhësh nëse mund të shprehesh për udhëpërshkrimin që të ofron një libër artistik përbën vërtet një dilemë për këdo që vendos ta ndërmarrë këtë hap. Ndoshta ky ka qenë gjithmonë fati i kronikanit: ta vërtetojë atë që është përjetuar dhe rrëfyer nga vetë narratori e të vishet me velin e ekzistencës — ndonëse e gjitha mund të ketë qenë një trill apo një halucinacion, nga ato simptoma që shpesh e shoqërojnë udhëtarin në përballje me natyrën gjeografike dhe atë njerëzore.
Ka vepra që e shfaqin bukurinë e tyre menjëherë, sikur të ishin ndërtuar për të tërhequr vëmendjen e çastit. Ka të tjera, më të rralla, që paraqiten si labirinte: hyn në to me një hap të thjeshtë, por sapo bën dy-tri kthesa, ndien se gjendesh përballë misterit të vetë jetës. Planeti Leshtor i Enird Maliles i përket pikërisht kësaj kategorie të dytë.
Ajo që bie ndesh me përshtypjen e parë — pra, gjatë një rikthimi në rrëfenjat e autorit — është bindja se nuk kemi thjesht tregime që rrëfejnë një ngjarje, por fragmente të ekzistencës njerëzore që ngrihen përtej kufijve të së zakonshmes. Çdo histori hapet si një fillim i ri, i mbushur me kureshti, atmosferë dhe ritëm; por, ashtu si në jetën e përditshme, vazhdimi mbetet i paparashikueshëm dhe shpesh i pambaruar.
Personazhet e Maliles jetojnë në një hapësirë ku realiteti dhe imagjinata ndërthuren: ku ankthi i natës pa gjumë është po aq i vërtetë sa ëndrra e një dashurie të humbur; ku një lojë naive shndërrohet në dëshmi të brishtë të intimitetit; dhe ku pasqyra e një avioni të përball me të vetmen të vërtetë që nuk mund ta shmangim — kohën, e cila na plogështon dhe ul pritshmëritë për atë që ende nuk ka zbritur në viset tona.
Stili — ose ajo që mund ta quajmë ADN-ja e autorit — është i mprehtë dhe njëkohësisht i ndjeshëm. Ai di të ndalet te detajet më të vogla — një korridor me dyer të mbyllura, një mace që s’pranon të afrohet, një cigare e harruar në ballkon — dhe t’i ngarkojë ato me domethënie filozofike.
Shkruan për njeriun në gjendjen e tij më të brishtë, të zhveshur nga maskat, aty ku çdo veprim i vogël rrezaton një ankth të madh. Në këto tregime, e zakonshmja shndërrohet në metaforë, e përditshmja merr formën e një alegorie dhe gjithçka tjetër kthehet në një kod simbolesh e hieroglifesh, mbi të cilat mbahet dhe përkundet rrjeta e narracionit.
Për më tepër, ky pagëzim atipik i vëllimit me tregime — titulluar, me vullnetin e lirë të autorit, Planeti Leshtor — në fakt mbetet një libër që nuk kërkon të bindë, por të zgjojë vëmendjen e atyre që do ta marrin në duar. Me gjasë, lexuesi nuk do të përballet me përfundime të gatshme, por me pyetje të hapura:
A vlejnë vetëm fillimet?
A është e mundur të jetosh me ankthin e një fundi që nuk vjen?
Sa i vërtetë është sinqeriteti në marrëdhëniet njerëzore?
A jemi ne zot të fatit tonë, apo vetëm udhëtarë në një tren të padukshëm që shkon drejt një stacioni të pashkruar?
Në tërësinë e tij, Planeti Leshtor është një përmbledhje që mbetet në mendje jo përmes zgjidhjeve që ofron, por përmes dritareve që hap. Mbi të gjitha, autori lëshon një thirrje për ta parë jetën jo si një vijë të drejtë, por si një mozaik çastesh të shkëputura, ku secili prej nesh mund të gjejë një copëz vetvete.
Në një pikëpamje më të gjerë, kur mbërrin në fundin e rrëfimit, kupton se në vetvete Planeti Leshtor nuk është vetëm një vepër letrare, por një udhëzues i heshtur për të menduar më thellë mbi vetë qenien — atë materie të ngurtë apo të etertë që jo çdokush guxon ta prekë, e aq më pak ta njohë. Dhe kjo është fuqia më e madhe që arti në përgjithësi, dhe letërsia në veçanti, mund të ketë: jo vetëm mbi individin, por mbi një shoqëri të tërë, përtej ndasive etnokulturore, gjuhësore, fetare apo mendësore.
Mesazhet e këtij libri mbartin të njëjtin tingull, të njëjtën hapësirë dhe të njëjtën peshë për këdo që guxon të përballet me realitetin brenda tij.
*Autor, studiues i letërsisë, pedagog dhe drejtues i Departamentit të Arteve tË Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës
Lini një Përgjigje