Sezoni turistik i zgjatur në kohë ka bërë që monumentet e kulturës të kenë frekuentueshmëri të lartë.
Parku Arkeologjik i Kalasë Rozafa këtë vit është i dyti sa i takon vizitueshmërisë, pas Butrintit me 147 mijë vizitorë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kombëtare Shkodër-Lezhë, Helidon Sokoli, tregon se vetëm në muajin shtator, kalaja u vizitua nga 23 mijë persona.
“Kryesisht gjatë sezonit turistik numri i vizitorëve në Kalanë e Shkodrës, si monumenti më i vizituar në rajonin e veriut, ka kaluar shifrën e 147 mijë vizitorëve, rreth 20 mijë vizitorë më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë që flasim. Ndërsa vetë shtatori ka pasur një vizitueshmëri shumë të lartë, rreth 23 mijë vizitorë çka e ka bërë Parkun Arkeologjik të Shkodrës të dytin në vend pas Parkut Arkeologjik të Butrintit”, u shpreh Sokoli.
Projekti i rijetëzimit të kalasë, i cili vjen si një bashkëpunim mes DRTK dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është hartuar dhe pritet zbatimi i tij.
“Është një projekt ambicioz, i cili presupozon të zgjidhë shumë problematika, kryesisht më autobusët e vizitorëve dhe infrastruktura mbështetëse, siguria e vizitorëve gjatë itinerarit të tyre në site”, tha Sokoli më tej.
Së bashku me rijetëzimin e kalasë pritet të shtohen elementet e sigurisë, si dhe të zgjidhet një herë e mirë problematika e parkimit të autobusëve, një shqetësim ky i vazhdueshëm veçanërisht për agjencitë turistike. - RTSH-
Lini një Përgjigje