Shënim nga Redaktorja Merita Gruda!
Dy fjalë për romanin dhe një falënderim për autorin që ma besoi.
“NISHANI”
Autor i tre romaneve dhe librave të tjerë me tregime dhe publicistikë, shkrimtari shqiptaro-amerikan, Shefqet Meko, sjell së fundmi para lexuesit romanin e tij “Nishani”. Nëse tek “Saga përtej Atlantikut” dhe “Viza amerikane”, personazhe kryesore janë burrat shqiptarë që luftojnë për ëndrrën amerikane, në prurjen e fundit autori përfshin brenda kësaj ëndrre botën e trazuar e një gruaje. Në fakt, te “Nishani”, më shumë se ëndërr për Amerikën, ne shohim ëndrrën e Njeriut për Lirinë.
Rrëfimi i Mekos fillon me një retrospektivë. Përmes kujtimeve të saj, protagonistja na njeh me ngjarjet që i kanë shënjuar jetën. Me dhimbje, ajo kupton se njeriu është lodër në duart e fatit. Gjithë jetën është treguar e dashur dhe e gatshme të sakrifikojë për këdo. Edhe pse nuk ka ndarë të njëjtin mendim me ta, ajo i është nënshtruar vullnetit të prindërve, të të shoqit dhe më pas edhe të së vjehrrës. Jeta e saj shkon në pritje të një ndryshimi që në të gjallë të bashkëshortit nuk vjen kurrë, megjithatë ajo bindet, pranon, nënshtrohet, nuk hap gojë. Hap pas hapi, nisur edhe nga rrëfimet e së vjehrrës, tek ajo forcohet bindja se burrat përgjatë kohërave kanë abuzuar në sinqeritetin dhe përkushtimin e grave duke i shtypur, shfrytëzuar, përçmuar, masakruar. Ka ardhur koha që ato, gratë, të flasin e duke flakur nëpërkëmbjen historike.
B Darina, është në të gjashtëdhjetat e saj. Që në krye ajo na shfaqet e tronditur nga një e fshehtë e llahtarshme, të cilën e merr vesh rastësisht nga e vjehrra. Shkak për këtë bëhet nishani që ka në shpinë. Aty zë fill gjithçka. Bota e saj përmbyset, por ajo mëson të ringrihet. Është vetëm. Nuk ka me kë ta ndajë atë që mëson: prindërit dhe i shoqi nuk jetojnë më, vajzat binjake janë në Amerikë. Vetëm ajo dhe e vjehrra kanë mbetur në vilën e madhe. Shpresa se mos fjalët e plakës janë lajthitje e moshës, shuhet nga rrethana të çuditshme që qartësojnë çdo dyshim. Pavarësisht atyre që mëson, Darina qëndron e ftohtë me nënën e burrit dhe mezi pret vdekjen e plakës, pasi për shkak të saj nuk mund të shkojë te vajzat në Amerikë, por edhe e sheh si mënyrën më e sigurt për të varrosur misterin që i rrëfeu. Enigma e nishanit do ta ndryshojë krejtësisht jetën e saj dhe do ta përfshijë në të tjera të papritura që do ta shoqërojnë edhe në Amerikë.
“E vërteta do t'ju çlirojë,” - thuhet në librat e shenjtë. Ky çlirim shoqërohet shpesh me përmbysje të mëdha, me një shkërmoqje të asaj që njeriu ka përjetuar, mësuar apo besuar më parë. Kështu ndodh edhe me personazhet e librit. Çdonjëri prej tyre ka një të pathënë, herë-herë tragjike, që i ka shënjuar jetën. Vetëm pasi çlirohen prej saj, ata ndihen të lirë. Kështu edhe Darina. E vërteta që ka mësuar dhe një ndodhi e papritur në avion, mbi Atlantik, e shpëton përfundimisht nga prangat e së shkuarës. Siç thotë autori: “Darina Morava kuptoi se çdo gjë në jetë e kishte marrë shumë seriozisht.” Në ato çaste, ajo kupton se e vetmja gjë që ia vlen të merret seriozisht, është liria.
“Përfundimisht, kuptoi se Amerika e kishte çmendur edhe Darina Moravën”, - shprehet ajo vetë diku nga fundi, aspak e penduar për atë “çmenduri” ku ishte përfshirë, që në fakt, ishte liri. Vetëm atje, në Amerikë, kuptoi se lirinë nuk ta dhuron kush, por e fiton vetë duke çliruar mendjen nga paragjykimet, mendësitë, autoriteti i imponuar. Darina arrin në përfundimin se liria, më parë duhet kërkuar brenda vetes.
Amerika nuk ta fal lirinë, por të mëson ta kuptosh atë. Nuk ka rëndësi nëse jeton në Boston apo në Përrenjas, e rëndësishme është të jesh e hapur ndaj lirisë, larg komplekseve që e shtypin shpirtin e njeriut. Më në fund Darina mund të marrë vendime të rëndësishme pa pasur frikë të ngrejë zërin. E vërteta e ka bërë të lirë.
Lini një Përgjigje