Anija “Besa”

31 Maj 2023, 18:51Kulturë TEMA

Anija “Besa”

Në një ditë gushti të vitit 1965 nga bregdeti i Adriatikut filloi të lundrojë një anije me vela. Në anije ndodheshin pesë njerëz.

Atyre u printe kapiteni dhe shkrimtari kroat Jozha Horvat. Ky ekip kishte plane të mëdha: dëshironte t’i sillej botës rreth e rrotull. Me anije!

Kur Jozha Horvat nisi të flasë për planin e tij, shumë njerëz nuk i besuan. Disa e përqeshën. Jozha Horvat u kundërpërgjigj në mënyrë kreative: anijes së tij ia vuri emrin «Besa».

Dhe pasi lundroi për dy vjet anekënd botës, më 1967 u kthye në Kroaci. E kishte dhënë besën se do të lundronte detet dhe oqeanet e botës dhe do të kthehej. Ashtu ndodhi.

Me fjalën shqipe «Besa» Jozha Horvat e titulloi edhe ditarin e tij, i cili u botua më 1973. Aty Jozha Horvat shkruan:

«Anija ime e bukur, lundro nëpër Adriatikun tonë, lundro në dete e oqeane të largëta, por gjithmonë kthehu fatbardhë në ujërat e atdheut.

Mbushi me gëzim ata që nisen me ty. Bëji ballë shtrëngatave dhe stuhive, ruaje jetën e më të dashurve të mi, mbaje me dinjitet emrin me të cilin po të pagëzoj – besa». (E.Robelli)

1 Komente

  1. s
    shqip

    Ashtu si liburnet, fisi ilir qe ndertonte anijen e luftes me te njejten emer, edhe kroatet e sotem jane ilire qe per fat te keq kane humbur gjuhen, por qe perseri kane mbetur te njejte si te paret e tyre, lundertare te zot. Vete perdorimi i fjales sone te nderit eshte nje tjeter prove e rrenjeve tona te perbashketa.

    Lini një Përgjigje