
Prof.Dr. Anila Omari, gjuhëtare dhe leksikografe e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për tezën ilire dhe pellazge të gjuhës shqipe. Gjuhëtarja tha se teza pellazge u hodh poshtë me lindjen e gjuhësisë shkencore dhe mbeti një mitologji.
“Gjuhëtarët shqiptarë kanë hasur tejet vështirësi të vërtetojnë tezën e autoktonisë, pra praninë e shqiptarëve në trojet ku janë sot. Deri në shekullin e XIX nuk vihej në dyshim autoktonia e shqiptarëve dhe prania e tyre në Ballkan.
Madje në shekullin e XIX u përhap gjithashtu edhe teza e pellazgjishtes. Kjo tezë u përhap më së shumti nga historianë, dhe më pak nga gjuhëtarë.
Lidhjen e shqipes me pellazgjishten e përhapi Georg von Hahn që mbahet si babai i albanologjisë. Ai nuk ishte gjuhëtar por ka shkelur me këmbë një pjesë të madhe të territorit shqiptar. Ka qenë konsulli austro-hungarez në Janinë, me formim jurist. Në botimet e tij, ai jep shumë të dhëna për vendet ku ka shkelur, zakonet dhe autoktoninë e shqiptarëve. Ai foli edhe për lidhjen e shqiptarëve me pellazgët dhe ndikoi që teza e tij të përhapet. Në fillim të shek. XX me lindjen e gjuhësisë shkencore dhe gjuhësisë historiko-krahasuese u la mënjanë teza pellazge.
Historianët dhe gjuhëtarët që duan të bazohen në fakte shkencore, e kanë cilësuar si mitologji këtë tezë. Ndaj të flasësh sot për tezën pellazge do të thotë të kthehesh 200 vjet pas. Ndaj ky është një debat i mbyllur”, u shpreh gjuhëtarja Omari në Dritare TV. A.K./TemA