Mbi koncertin për violinë dhe orkestër (redaktimi për violinë dhe piano) të kompozitorit Vasil S. Tole

29 Prill 2024, 09:40Kulturë prof. Lorenc Radovani

Mbi koncertin për violinë dhe orkestër (redaktimi për

Partitura muzikore më e fundit e shkruar nga kompozitori Vasil S.
Tole, është koncerti i tij për violinë dhe orkestër (redaktimi për
violinë dhe piano) i cili paraqitet në këtë publikim.

Edhe më herët autori i ka qëndruar afër instrumentit të violinës,
duke shkruar paraprakisht edhe vepra të tjera për këtë instrument si
Sonatë për violinë e piano; Suitë për violinë e piano; “Alla
shqiptarçe” për violinë solo; Trio për harqe (violinë, viola e
violonçel); Kuartet harqesh si dhe disa vepra për orkestër harqesh
si: Rondo; Valle antike; “A Psalmodiae Bono” e të tjera punime
për këtë instrument, magjinë e të cilit ai e njohu që në vogëli.
Koncerti që kemi në dorë është shkruar në formën e sonatës dhe ka
strukturë një koheshe me kadencë. Me një kohëzgjatje interpretimi
prej rreth 38 minutash, vepra ka ngarkesë ideore dhe teknike të
lartë si për solistin, ashtu edhe për dirigjentin e orkestrën. Kjo për
shkak të gjuhës muzikore, teknikës së avancuar instrumentale si
dhe përdorimit të ritmikave që hasen në faqet e këtij koncerti.
Vepra ka frymë thellësisht kombëtare, qoftë për nga individualiteti
i kompozitorit, ashtu edhe nga atmosfera intonative që ajo
përshkon. Pikërisht intonacionet e kabasë në hyrjen e veprës të

paraqitura nga violina soliste (masat 1-43), janë ato që i japin tonin
asaj përmes intervaleve me “të qarë” e rrëshqitjeve tipike të kësaj
gjinie tradicionale të ndërthurura me elementët përfaqësues të
kabasë, hedhësit e prerësit toskë. Flladi që ndihet që në fillim është
ai i pentatonikës së jugut shqiptar i gërshetuar me vallet
tradicionale po të kësaj krahine. Në vazhdim të partit hyrës (germa
A, masat 45-61) fjalën e merr piano (orkestra) që në mënyrë pak
më të dinamizuar e një tingëllim disi solemn, duket sikur kërkon
vëmendjen e dëgjuesit për të na çuar tek tema kryesore.
Tema kryesore (germa B, masat 61-85) është një melodi e qartë me
karakter afirmativ (pohues). Parti i violinës shpaloset që në fillim i
zhdërvjellët, shprehës e depërtues e duke mbajtur gjallë atmosferën
e ndezur të kësaj teme dinamike, në të cilën mbizotëron atmosfera
e valles tradicionale. Kjo temë, që në ekspozicion merr një
zhvillim të gjerë dhe krijon ndjesinë e një ngarkese dramaturgjike,
e cila pas disa faqesh partiture, shkarkon apo lëshohet në lirizmin
tingëllorë të temës së dytë.

Parti sekondar (germa J, masat 299-323), është një melodi lirike e
qetë dhe e këndueshme falë shtjellimit melodik që e karakterizon.
Duke qenë gjithnjë nën pushtetin e atmosferës modale të jugut
shqiptar si dhe melodicitetit sa emocional aq dhe shprehës, kjo
temë i krijon mundësi solistit të shprehet më së bukuri me
kantilenen e tij dallgëzuese. Melodia evokon ndjenjë nostalgjie apo
dhe refleksioni ndoshta për ngjarje që i kanë lënë mbrese autorit në
qenien e tij. Tema shtrihet krejt natyrshëm në tërësinë strukturore
të veprës. Parti i violinës bëhet gjithnjë e më shprehës, gjë që i
lejon solistit të shpalosë vetitë e tij muzikore, apo më mirë aftësinë
e tij për tu shprehur më së miri muzikalisht.

Pas këtij momenti qetësie e kantilene të brishtë që sjell tema e dytë
me të cilën mbyllet ekspozicioni, vjen faza e përpunimit (germa M,
masat 399-696). Këtu rikthehet dinamizmi tingëllor i temës së
parë, këtë radhë edhe më elokuent e më i sofistikuar. Parti i pianos
(orkestrës) vjen akoma më i zhvilluar, të cilit i bashkohet edhe
parti violinistik që bëhet gjithnjë e më i gjallë. Si fazë e dytë e
përpunimit (germa N, masa 441), vjen një episod i marrë nga
kënga përmetare “Kur më shkon sokakut”. Ky episod, veç tjerash,
ka një strukture tepër të veçantë metrike. Burimi i këtij metri
shfaqet në organizimin ritmik 7+8+9 / 8. Përdorimi dhe
implementimi i këtij metri në koncert lidhet me nevojën që ndjen
autori për ta zhvilluar temën kryesore në pikëpamje dinamike si
dhe për të çliruar energjinë e brendshme të saj, pasi në thelb kjo
skeme ritmike, pas çdo mase shton nga një notë (lëvizje) 1/8, duke
krijuar një “motorikë” të tipit “Perpetum Mobile”. Gërshetimi i
kësaj teme me temën e parë sjell tensionin e nevojshëm deri në
dukjen e temës së dytë si një fazë tjetër e përpunimit (germa Q,
masa 551), e cila këtu na vjen më e fuqizuar dhe më motorike
krahasuar me dukjen e saj në ekspozicion. Rikthimi i vazhdueshëm
i përpunimit të temave në vazhdim, krijon ngarkesën e duhur për
zhvillimin dramaturgjik të veprës. Dinamizimi arrin shkallën më të
lartë edhe falë partit violinistik tejet virtuoz. Ndërthurja violinë –
piano (orkestër) merr karakterin e një himnizimi simfonik, ku
vazhdon të mbizotërojë melodika e qartë, e veshur kjo me tiparet
dhe petkun tradicional kombëtar. Shoqërimi pianistik (orkestral) e
justifikon më së miri funksionin e tij duke i dhënë mundësi
violinës të qëndrojë jo vetëm përmbi por dhe të plekset me të, për
të krijuar një fuzion të vërtetë simfonik. Violina dhe piano
(orkestra) sjellin në vëmendje edhe një herë tingëllimet e vajeve të

kabasë, këtë radhë në strukturën e një kadence të lirë, të
zhdërvjellët dhe mjaft shprehëse nga pikëpamja e materialit
muzikor.
Kadenca (germa U, masat 697-825) duke përligjur materialin
tematik i jep veprës bukuri të veçantë. E zhvilluar në formën e
kabasë koncertale me një ekspresivitet të ngjyrshëm, ajo është e
mbështetur në traditën më jetëgjatë të zonës së Përmetit dhe të
muzikantëve si Laver Bariu me shokë. Duke e rimarrë lëndën
muzikore tashmë të pa shoqëruar, kombinuar kjo me teknikën
virtuoze të violinës soliste dhe e pleksur me lirinë e fantazisë
artistike të interpretimit, kompozitori ka mishëruar më së miri
tonin tradicional të kësaj gjinie (kabasë). Kadenca ka gjerësi si në
drejtim të shtjellimit të saj ashtu edhe në drejtim të frazimeve dhe
timbrikave të përftuara, të gjitha këto në shtjellimin e një teknike të
lartë dhe tepër të zhdërvjelltë violinistike.
Repriza (blloku i tretë i koncertit) vjen në formën e një Epilogu të
zgjeruar (germa V, masat 825-1092). Rikthimi energjik i
materialeve tematike si dhe marrëdhënia mes solistit dhe pianos
(orkestrës) e dinamizon akoma më shumë veprën. Duke nënvizuar
karakterin melodik si dhe elementin tradicional të mbështetur në
pasurinë e kulturës sonë muzikore, shfaqen herë pas here edhe
momente të një fantazie kabaistike apo tingëllime trillesh të
goditura. Vepra i drejtohet fundit me një kaleidoskop ngjyrash
muzikore e mjetesh teknike shprehëse, gjë që e bën atë të tingëllojë
mbi të gjitha të këndueshme, herë me tone meditativë e herë
pasionante.

Codetta (masat 1093-1145) e ndërtuar mbi materialin tematik
kryesor të koncerti, në të cilin mbizotëron këndueshmëria, me
pasazhet violinistike të mbështetur edhe nga dendësia shoqëruese e
pianos (orkestrës) të shpien drejt mbylljes se koncertit si një pohim
final i përforcuar.

Disa vlerësime të artisteve të tjerë mbi koncertin:
Tedi Papavrami, violinist me famë botërore:
“Një vepër thellësisht origjinale dhe e fuqishme, që shton një gur të
çmuar në repertorin për violinë dhe orkestër të krijimtarisë
shqiptare”.

Dr. Thoma Simaku, kompozitor, profesor i kompozicionit në
University of York, Angli:
“Koncerti për violinë dhe orkestër i kompozitorit Vasil S.Tole është
një vepër dinjitoze, që i ka rrënjët në pasurinë e jashtëzakonshme
dhe unike të folklorit shqiptar. Me përmasa substanciale dhe me
një identitet krijues mjaft të qartë, kjo vepër e re e shekullit XXI
shpalos dukshëm një gamë impresionuese të shprehjes muzikore,
ku spikat thellësia e saj emocionale - një vepër që pa dyshim
pasuron fondin e literaturës sonë muzikore kombëtare”.
Dieter Ammann, Profesor i teorisë dhe kompozicionit në
Lucerne School of Music dhe lektor në Bern University of the
Arts, Zvicer:
“Më pëlqen modaliteti dhe logjika e sintaksës, që ushqehen nga
muzika folklorike”.
Stefan Çapaliku, Akademik, shkrimtar:

“Koncerti për violinë i Vaso Toles përmbledh një eksperience të
gjate muzikore dhe është i mbushur me situata muzikale ekselente.
Lënda dramatike vjen dhe derdhet në forma lirike në sajë të
insistences dialoguese midis orkestrës dhe solistes, duke ofruar
kësisoj një vepër jashtë klasifikimeve estetike”.

Florian Vlashi, violinist solist, anetar i “Sinfonica de Galicia”
dhe drejtues i “Grupo Instrumental Siglo XX”, Spanjë:
“Me kohëzgjatje Beethoveniane dhe shtrirje të skajshme të partit
solistik në më shumë se 4 oktava, takojmë tek koncerti për violinë
i Toles që nga Kabatë popullore e deri tek shkolla tradicionale,
duke krijuar kështu një sinteze të hijshme të “Virtuozizmit
violinistik shqiptar”.
Endri Sina, kompozitor. Profesor në Fakultetin e Muzikës,
Universiteti i Arteve, Tiranë:
“Një vepër e rëndësishme dhe e spikatur në karrierën e
kompozitorit Tole. Vlerësoj tendencën për zhvillimin e traditës së
muzikës shqiptare”.
Orkestra Simfonike e RTSH
“Në të mbizotëron bukuria e materialit muzikor si dhe shtjellimi
dinamik e virtuoz i partit të violinë, që e bën këtë koncert për
violinë kaq të veçantë në tërë repertorin violinistik kombëtar e më
gjerë”.

Laura Llozi, violiniste soliste, koncertmaestre e OSRTVSH
“Për mua është privilegj të interpretoj një premiere botërore të një
koncerti për violinë, aq më tepër të një kompozitori në nivelin e
VasoToles”.

 

Tiranë, 2024

1 Komente

  1. Ç'na gjeti!!!

    O byrazer, demek, ku e ke hallin ti? Ta fusim Vasilin ne Big Brother si VIP? Jo ore. Që t'ja marrin frymën ato zgardaballet qe janë futur aty? Dhe pastaj te hapim fushatën "Shpëtoni Vasil Tolen". Jo or jo. Nuk e fusim ne Big Brother. Mos u lodh. Apo nuk e kishe per kete punë ti?

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje