A mund të jetë arti një formë proteste, edhe kur nuk e shpall veten haptazi si të tillë?
Në një botë ku ritmi është përshpejtuar deri në humbje të ndjeshmërisë, ku konsumerizmi duket se ka pushtuar çdo hapësirë, dhe ku përjetimet shpesh zëvendësohen me përpunime të shpejta për t’u ndarë online, vetë akti i krijimit të një vepre që kërkon ndalje të ndalesh e t'i kushtosh vëmendje, kthehet në vetvete në një akt rebelimi.
Në bisedën në Apostrof, artisti vizual Iasona Noni rrëfeu se, ndonëse nuk e nis gjithmonë me këtë qëllim, arti i tij shpesh përbën një protestë të heshtur kundër jetës urbane të mbushur me ngut dhe shpërqendrim. Personazhet e tij— të animuar ose të ilustruar — shpesh e lënë pas qytetin dhe turravrapin për t'u zhytur në natyrë, në ato gjëra që shpesh mund të duken “të vogla”, por që mbartin peshë të vërtetë.
Ndërsa artistja tjetër, Dea Shubleka, u shpreh se ekziston një paradoks sidomos tek brezi i ri, pasi pavarësisht ritmit të shpejtë të jetës, ata janë të vetëdijshëm për gjërat që kalojnë pa i përjetuar plotësisht, por nuk veprojnë. Duket më pasivë.
Ajo thotë se një pjesë e përgjigjes fshihet në ritmin e jetës moderne: presioni i kohës, kërkesat e pafundme, konkurrenca e heshtur, dëshira për të mbijetuar në një sistem që vlerëson rezultatin mbi reflektimin.
Në një botë që i nxit njerëzit të lëvizin vazhdimisht — të prodhojnë, të konsumojnë, të tregojnë veten — ndalimi për të vepruar në mënyrë të thelluar bëhet një luks që pak mund ta përballojnë.
Por pasiviteti i këtij brezi nuk duhet ngatërruar me mosinteresimin. Shumë të rinj janë të vetëdijshëm për peshën e problemeve që i rrethojnë — thjesht janë të kapluar nga një lodhje e fshehtë, një humbje energjie përballë një bote që duket gjithnjë e më e madhe dhe më e pandryshueshme.
Lini një Përgjigje