Apostrof/ Kur kultura zëvendësohet nga argëtimi

21 Qershor 2025, 18:30Kulturë TEMA
Apostrof/ Kur kultura zëvendësohet nga argëtimi

Kohët e censurës klasike ndaj kulturës janë hedhur pas. Sot nuk ka më libra që ndalohen dhe as goditje frontale mbi mendimin e lirë, por një strategji më efikase duket se ka lindur: shpërqëndrimi i qëllimshëm. Vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga mendimi kritik dhe ngritja e pyetjeve, tek duartrokiitjet, argëtimi dhe “të kaluarit mirë.”

Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, autori Andreas Dushi i referohet kësaj si një “algoritëm real,” që shkon përtej atij të mediave sociale dhe teknologjisë, për t’u shtrirë në përditshmërinë tonë. Një sistem, i cili në dukje ofron një sërë aktivitetesh kulturore, por që në pjesën dërrmuese të tyre nuk kërkojnë asgjë nga ti si publik.

“Është një lloj algoritmi real, që nuk e ke vetëm në telefon, por edhe në përditshmëri. Një algoritëm që të përfshin, do apo nuk do, në këto gjëra që pastaj të demotivojnë (për të marrë pjesë në aktivitete kulturore), nëse vërtet mendon. Sepse, nëse nuk mendon, është fantastike — sepse ti shkon në teatër dhe sheh një estradë, apo një varietet estrade dhe qesh, dhe realisht kalon shumë mirë. Por, nëse pastaj fillon dhe pyet pse, si ka mundësi, pse nuk ka më shfaqje të tjera veç komedisë, atëherë fillon dhe shqetësohesh dhe demotivohesh. Kështu që, po, unë i besoj teorisë që varfërimi i jetës kulturore është i qëllimshëm.”

Dhe pikërisht këtu lind pyetja që ndoshta nuk e bëjmë aq shpesh sa duhet: A është varfërimi i jetës kulturore diçka spontane, apo një mënyrë për t’i mbajtur njerëzit të shpërqëndruar, të zënë, konfuzë, e për rrjedhoëj, më lehtësisht të kontrollueshëm?

Sepse një publik që mendon, bën pyetje. Dhe një publik që pyet, fillon të mos kënaqet më me zhurmën e lehtë që e mban të shtypur.

Lini një Përgjigje