Apostrof/ Një fjalë, shumë kuptime – çfarë na tregon kjo për gjuhën shqipe? (VIDEO)

24 Maj 2025, 20:51Kulturë TEMA
Apostrof/ Një fjalë, shumë kuptime – çfarë na

Në shumë gjuhë, përvoja të ndryshme të realitetit emërtohen me fjalë të specifike. Anglishtja, për shembull, ka “job”, “work”, “labor”—çdo njëra me një ngarkesë të caktuar sociale, emocionale, apo edhe politike. Në shqip… gjithçka është “punë”.

Punë është ajo që bën për dikë tjetër, ajo që bën për vete, ajo që të lodh, ajo që të shërben. Profesioni, detyra, shërbimi, sakrifica, madje edhe rutina—të gjitha fshihen pas të njëjtës fjalë.

Në këtë fragment nga Apostrof Podcast me Bjorn Runa, Ardian Vehbiu ndalet pikërisht te ky fenomen, duke u shprehur se kjo nuk tregon për ndonjë varfëri të shqipes në vetvete, por një pasuri që kërkon të kuptohet ndryshe.

“Në kulturën e shkruar vend qendror zë fjala. Ti merr për shembull emrin ‘punë’ dhe e shikon që, në krahasim me gjuhët e tjera, ka një deficit aty. Nuk kemi terma të ndryshëm për kuptime të ndryshme, por i fusim në një. Çdo gjuhë e ka këtë, por shqipja e ka të ekzagjeruar. Dhe kjo ka ndodhur sepse diskursi, shqipja e shkruar, u zhvillua shumë shpejt.”

Ky zhvillim i përshpejtuar ka lënë pas një boshllëk terminologjik që nuk është plotësuar kurrë plotësisht me neologjizma, sepse—siç thotë Vehbiu—“neologjizmi ka një problem, që nuk futet lehtë. Është si të falsifikosh paranë: nuk ta merr njeri.”

Fjalët që nuk përthithen natyrshëm nga një kulturë gjuhësore, mbeten bosh. Ato nuk bëhen dot “tonat”. Dhe pikërisht këtu shihet kontrasti mes zhvillimit artificial dhe përthithjes organike të gjuhës. Shqiptarët nuk i kanë ndërtuar kuptimet përmes rrjeteve të pasura të fjalëve; shpesh i kanë përmbledhur në një term të vetëm, duke mbajtur mbi të gjithë tensionin, lodhjen, punën, krenarinë, shfrytëzimin dhe sakrificën.

2 Komente

  1. B
    Baliu

    Ky shoku Ardian mundohet ta luaj kubistin e albanologjise!!!

    Përgjigjjuni
    1. A
      Arzt

      Edhe italishtja vetem "lavoro" ka... ç'ja fusni pordhes kot ju!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje