Arkeologjia digjitale, prezantohen ture virtuale të siteve arkeologjike

2 Tetor 2025, 16:18Kulturë TEMA
Arkeologjia digjitale, prezantohen ture virtuale të siteve arkeologjike

Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore në Tumën e Kamenicës në Korçë u zhvillua aktiviteti kulturor “Arkeologjia Digjitale: Fotogrametri, Terrene 3D dhe Ture virtuale në Qarkun e Korçës”. Digjitalizimi i siteve arkeologjike shihet si një proces mjaft i rëndësishëm për parandalimin e gërmimeve klandestine, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen, por edhe për promovimin e tyre nëpërmjet ofrimit të tureve virtuale.

Ne përpiqemi që përmes imazheve të kamerave tokësore apo dronëve, arrihet të kapet imazhi i terrenit dhe të përfitohet modeli real. Përfitojmë një produkt që përfshin disa elementë shtesë, ku është ajo që quhet ortofoto, terreni digjital i terrenit dhe të gjithë elementët në detaje të siteve”, u shpreh Elson Salihaj, Ekspert GIS.

Mendohet që të digjitalizohen të gjitha sitet arkeologjike në qarkun e Korçës, duke krijuar ture virtuale për turistët të cilët nuk kanë mundësi ti vizitojnë fizikisht, çka do të ndihmonte edhe zhvillimin e turizmit.

Pra turistit ne duhet ti ofrojmë më të mirën, jo vetëm të kulinarisë, por edhe të trashëgimisë kulturore, kultura, tradita, zakonet dhe nivelet e ndryshme, qoftë dhe ato arkeologjike”, deklaroi arkeologu Florenc Cenolli.

Ky aktivitet përbën një vlerë të shtuar për guidat lokale, administratorët vendorë, planifikuesit urbanë, si edhe për të gjithë ata që janë të pasionuar pas kulturës, historisë dhe shkencës. - RTSH-

Lini një Përgjigje