Për herë të parë në Berat është ndërtuar një muze me veshje popullore shqiptare. Këtu ndodhen mbi 500 kostume të ndryshme, të bërë të gjitha në mënyrë artizanale. Ato janë të qendisura dhe të krijuara nga duart e një gruaje, e cila punën e dorës e ka mjet jetese. Tefta Prifti Qose ka arritur të realizojë ëndrrën e saj, të ndërtojë këtë muze për brezat e ardhshëm, por edhe për turistët që vijnë në Berat. Ajo është rritur në një familje me 11 fëmijë, ku nëna dhe motrat e saj i kanë mësuar të bëjë çdo punë dore që për të tjerët ishte e pamundur. Pasioni i saj ka sjellë shndërrimin e mjediseve të shtëpisë në një ekspozitë të gjallë të traditës myzeqare.
Hapja e një muzeu për veshjet popullore të punuara me dorë është një akt dashurie për rrënjët familjare. Ndryshe nga muze të tjerë, këtu mund të shohësh vetë procesin e punës. Këto zonja shpesh punojnë në grep, makinë qepëse apo tezgjah, dhe vizitorët mund t’i shohin. Edhe këto veshje popullore kanë historinë e tyre, tregojnë një status social dhe krahinën nga vijnë. Çdo gjilpërë e kaluar në pëlhurë mban me vete një teknikë që rrezikon të zhduket në epokën e prodhimit masiv. Tefta ka mbledhur rreth vetes gra të tjera pensioniste të cilat, ashtu si ajo, punën e dorës jo vetëm që dinë ta bëjnë mirë, por nga duart e tyre krijohet arti shqiptar.
Një kostum popullor i punuar me dorë kërkon muaj, nganjëherë vite pune intensive. Tefta tregon me durim se ajo ka arritur të krijojë veshjen më të shtrenjtë dhe me më shumë elemente qëndisjeje në muzeun e saj. Sesi bëhen këto krijime vizitorët i shohin të gjitha në këtë vend. Tezgjahu që shërben për prodhimin e pëlhurës bazë për çdo punim dore është i ekspozuar në muze. Gjithashtu, punimet e bëra me gjilpërë, me motive lulesh apo figura gjeometrike, punimet me tel ari dhe argjendi që kërkojnë saktësi kirurgjikale, u tregohen vizitorëve në këtë muze.
Ndertimi i një muzeu me veshje popullore është frymëzuar nga një punë që nisi pas Luftës, ka vazhduar në periudhën e emigracionit masiv pas viteve ’90, për t’u përmbyllur në 2026, kur familja Qosja arriti të grumbullojë të gjitha krijimet artistike ndër breza. Të ndërtojnë jetën brenda një shtëpie-muze është e rrallë, dhe për bashkëshortin e Teftës kjo është një botë tjetër.
Çifti që ka ndërtuar muzeun është myzeqar. Tefta është nga Fieri, bashkëshorti i saj nga Lushnja, ndërsa Berati i bashkoi në punë dhe në martesë. Sot muzeu i veshjeve popullore i besohet kësaj gruaje, e cila kurrë nuk pranon të dalë në pension. Ajo do të jetë rrëfyesja e çdo turisti që do të vijë në këto ambiente, sepse më mirë se Tefta askush nuk di të shpjegojë historinë e kostumeve popullore.
Me vullnet të hekurt, kjo grua është e vetmja në Shqipëri që di të bëjë takinë myzeqare me dorë, ashtu siç e ka trashëguar teknikën 100 vjet më parë. Për momentin sekretin nuk e tregon, por besim ka vetëm tek vajza e saj, të cilës i ka mësuar shumë nga sekretet e punës së dorës.
Ky lloj muzeu tregon se pasioni nuk njeh moshë dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore ka mbetur në duart e individëve me vullnet të hekurt. Muzeu shërben si një shkollë për brezat e rinj, ku të shohësh një këmishë të punuar me material pambuku apo lesh natyral është një leksion mbi qëndrueshmërinë dhe estetikën e vërtetë. Gratë që kanë qendisur çdo motiv tregojnë historinë e një krahine. Ky muze është një ndalesë për këdo që viziton Beratin dhe kërkon të shohë qytetin përtej mureve të kalasë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje