"Video-artisti Bill Viola i përket tashmë plejadës së mjeshtërve të imazhit të krejt kulturës perëndimore.
I vetëquajturi “skulptor i kohës”, ai përvijon shpirtëroren tonë duke përdorur me finesë dhe intelekt mjetet e teknologjisë. Ky volum është prezantimi i parë në shqip i krijimtarisë së tij.
Përzgjodhi dhe përktheu: Idlir Azizaj
Kolona: Logbook / Flukse
ISBN: 978-9951-9019-1-8
Faqe: 118
Viti i botimit: 2020
Kategoria: Video-art"
Çfarë është një artist kontemporan? Çfarë do të thotë art? Këtyre pyetjeve jemi rrekur ti përgjigjemi qëkur lindja e kinemasë na hapi disa çarje të reja në përfytyrimin kolektiv të së mundshmes. Në fak imagjinata e kishte çuar njeriun ngado. Teologjia funksionon shumë në bazë të imagjinatës por jo besimi.
Artistët kontemporanë nuk është se bëjnë diçka të re, ato kërkojnë të zbulojnë çfarë kemi harruar të shohim tek e vjetra. Instalacionet me video nuk është se janë shpikje e madhe, nuk ka gjenialitet aty brenda dhe as nuk pritet të ketë gjenialitet.
Në fakt ajo që duam më shumë të kuptojmë është introspektive. Vetja jonë. Dhe, në këtë dimension, dhe një vazo e lidhur me filispango të kuqe mund ta çojë mendjen tonë të hapërdarë te fija e kuqe e fatit që lidh dy njerëz.
Ky është dhe problemi me kulturën sot. Kemi shumë kulturë dhe shumë gjëra që të lodhim kujtesën dhe shumë pak nga ato na shërbejnë, shumë nga ato bëhen qesharake.
Katedralja e St. Paul është shembulli perfekt që na sjell Bill Viola. Për ne shqiptarët që nëpër botë dalim pakëz të harbuar nuk është se vizitojmë e hyjmë brenda çdo kishe që të përjetojmë dimensionin e të shenjtës.
Në fakt, ne kemi të shenjtë një kod tonin, disa vlera të përbashkëta që nuk kanë dimension material. Afresket e kishave dhe mënyra sesi ato ndërtohen vetëm sa shtojnë çudinë dhe ngacmojnë oreksin për të ditur më shumë.
Dhe këtu hyn artisti. Ai ndan me ne përvojën e tij. E përverton të vërtetën për të na ndihmuar ne. Përpiqet të thotë sa më shumë me më shumë pak. Të na lëri vetë të përjetojmë por të mos na lëri jetim në rrugë.
Ai është një shpjegues shumë i mirë por asnjëherë nuk ofron zgjidhje përfundimtare për çdo gjë. Kur e mbërrin këtë, pavarësisht se cili është mediumi i tij, ai ka fituar pavdekësinë.
Pjesë nga parathënia.
"Bill Viola, përmes veprave të tij, na shpie në relacione me imazhe, që dikur kanë formësuar kujtesën tonë. Me përdorimin dhe ndërmjetësimin e video artit, ai ndërton struktura specifike të perceptimit, që ndërlidhen me kohë dhe hapësirë të caktuar, si formë e veçantë e shprehjes artistike duke përdorur videon si një përbërës qendror, që lidh imazhin videografik me subjektin. Duke gjurmuar nëpër histori të artit dhe kultura të ndryshme, Viola kryesisht iu referohet imazheve e ngjarjeve të historisë së pikturës, marrëdhëniet e të cilave i merr dhe i zhvendos në një konstelacion të ri pamor. Përmes lëvizjeve që mundëson teknologjia e videos, e posaçërisht duke përdorur teknikën e ngadalësimit të imazhit, pa u bazuar në një koncept narrativ, ia del të realizojë një përkthim të jashtëzakonshëm poetik të inskenimit të imazheve.
Përdorimi i teknologjive te reja, gjithashtu i ka mundësuar atij që, përmes sistemeve të projeksionit, të ndajë imazhin e videos nga monitori, duke bërë që imazhet të duken si të gjalla. Rigjetja dhe përpunimi i figurave e objekteve në veprat e tij gëzojnë bazën dhe kujdesin më të mirë të artit video. Imazhi i videos në këtë rast, tejkalon çdo pritje. Rrjedha kohore në videot e tij tërheq një paralele edhe ndërmjet ndriçimit, tingullit e montazhit, tri elemente këto që luajnë rol shprehës në ndërtimin e tablove në punën e tij. Kështu, ekspresiviteti dhe ngadalësimi i imazheve, mundësojnë artikulimin e një gjuhe të re vizuale, si dhe një perspektivë të perceptimit me përplot kureshtje. Nuk është, pra, çështja e shikimit të imazheve para një ekrani, por më tepër e udhëtimit në hapësirë, duke integruar imazhet dhe elementët e tjerë në të. Ky botim është përmbledhja e parë në shqip lidhur me veprat e Violas. Ky botim, po ashtu, është njëkohësisht edhe ndër botimet e rralla mbi videoartin dhe videoinstalacionin në Shqipëri e Kosovë. Gjithsesi, ky libër do të ndihmojë në zgjerimin e informacionit të artdashësve dhe artistëve e veçanërisht studentëve të kësaj fushe. "
A.K./TemA
Lini një Përgjigje