Marsi i vitit 1992 e kishte përfshirë Shqipërinë nga zgjedhjet e parakohshme, e po ashtu po tegonte dhe përplasjet e forta në Partinë Demokratike. Largimi i Neritan Cekës, e më tej prapaskenat për lënien mënjanë të Arben Demetit por dhe të tentativave të para ndaj Gramoz Pashkos po bëheshin të dukshme. Në librin e tij “Fillimet” të botuar nga UET PRESS, Preç Zogaj rrëfen zhvillimet e kohës
Largimi me turfanda i Neritan Cekës çeli një stinë të re në jetën e Partisë Demokratike. Fryma e përgjithshme u bë edhe me sektare se sa kishte qenë. Anëtarët e kryesisë nuk diskutonin me lirshmërinë e mëparshme. Në korridore dhe në zyra filloi të mbretëronte një përkujdesje dhe vigjilencë ala puniste. Selia e Partisë, oborri dhe shtypi i saj filluan të mbusheshin me njerëz të tjerë që ishin parë pak ose nuk ishin parë fare deri në atë kohë. Letrarë dhe skribë mediokër, servilë me patentë të regjimit të kaluar, funksionarë dhe nëpunës, gazetarë të dalluar si ekstremistë në shtypin komunist, e të tjerë e të tjerë, vinin valë- valë për t’i shprehur nderimet dhe ofruar shërbimet e tyre kryetarit të PD-së, me njetin për t’u konvertuar në urdhërin e tij të antikomunizmit sektar dhe për të prenotuar kësisoj një vend në orbitën e pushtetit të tij të sigurt në të ardhmen e afërt. Klima mbytëse e revanshit kundër çdo mendimi ndryshe u vu re edhe në dy- tre mbledhje “sqaruese” të grupit parlamentar, ku radikalët që tashmë jepnin tonin kërkuan me ngulm thirrjen e një mbledhje të Këshillit Kombëtar për t’u bërë një gjyq shembullor ish ministrave dhe gjithë të tjerëve që kishin mbështetur në Kuvendin e Partisë Neritan Cekën.
Në këto mbledhje Berisha kuptoi se mentaliteti enverist në parti ishte edhe më i fortë se sa mendohej. Prandaj, megjithë apelet e servilëve dhe radikalëve, e shtyu gjatë mbledhjen e Këshillit Kombëtar sepse “nuk donte të shihte skena”, siç tha njëherë. Me siguri druhej se “baza” do t’u hidhej në grykë liberalëve, këta do të reagonin dhe kushedi ç’do të ndodhte.
Në fakt liberalët nuk vepronin më si grup brenda partisë. Shkonin mirë, kafetë i pinin me njëri- tjetrin, por në parti merrej secili me punën e tij, me pozicionin që mbante në piramidën partiake. Sekush për fitoren nën udhëheqjen e Berishës! Duke u shpërndarë kësisoj, ata i ishin ofruar Berishës duke i njohur përveç statusit të kryetarit, edhe atë të fatbërësit politik, çfarë ishte një kapitullim i vërtetë për gjithë çfarë kishin qenë e ishin akoma në atë parti. Me këtë rast, Berisha e kishte për argëtim t’i shkelte syrin ndonjërit prej tyre, të pikaste me antenat e përvojës dhe intuitës Judën mes tyre, t’i premtonte një trajtim më bujar në raport me të tjerët, ta merrte me dorën e tij nga ish grupi liberaldemokrat dhe ta përfshinte si përfaqësuesin e tyre në rrethin e të besuarve të tij.
Zgjedhjet e parakohshme ishin lënë të zhvilloheshin me 22 mars. Pas rrëzimit të qeverisë shumëpartiake të stabilitetit Partia Socialiste nuk kishte provuar të krijonte një qeveri të saj. Partitë kishin rënë dakord të krijohej një qeveri teknike, që kishte marrë përsipër të mbante rendin dhe të organizonte zgjedhjet. Fitorja e PD-së jepej e sigurt në të gjitha format e matjes së parapëlqimeve politike. Baste mund të viheshin vetëm për thellësinë e fitores së saj. Thellësia e fitores ishte enigma e vetme, çelësin e së cilës në një fare mënyre e mbante kryetari i PS- së, Fatos Nano. Nëqoftëse ky vendoste të bënte një fushatë të fortë, zgjedhjet mund të ishin sërish një garë dhe fitorja e PD-së do të ishte normale.
Por ndërsa e kishin ndarë mendjen të kalonin dhe të zbardheshin në opozitë, si trashëgimtarë të një partie që kishte qeverisur vendin përgjatë dyzet e shtatë vjetëve, socialistët dhe sidomos kryetari i tyre nuk e vrisnin shumë mendjen për llojin e humbjes. Nga një pikëpamje u dukej mirë madje që Sali Berisha me partinë e tij t’i merrnin të gjitha pushtetet, që të mos kishin alibi nesër për mosmbajtjen e premtimeve. Padurimin popullor për një ndryshim sa më të shpejtë e ushqente edhe pamundësia objektive e qeverisë teknike si qeveri e askujt për të venë nën kontroll anarkinë që mbretëronte në vend. Gjithçka po punonte fort për përmbysjen e madhe. Njerëzve s’u pritej sa të vinin zgjedhjet për të sjellë në pushtet Partinë Demokratike.
Në këto kushte, Berisha kishte mundësi të realizonte edhe synime të tjera politike për të cilat, në rrethanën e dhënë, nuk do të paguante ndonjë kosto. Siç ishte, përshembull lënia jashtë Kuvendit e themeluesve që kishin mbështetur Neritan Cekën në Kuvendin e parë të partisë apo që kishin qenë në vazhdimësi oponentët e tij në parti. Mënyra më e mirë për ta bërë ketë ishte eliminimi i tyre nga “baza” gjatë mbledhjeve dhe votimeve brenda për brenda partisë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Goditjen e parë e dha Elbasani me mospërfshirjen e deputetit Arben Demeti në listën e kandidatëve për zgjedhjet e reja. Demeti njihej nga të gjithë si krijuesi i sektorit të organizimit në PD, kishte influencë kudo, ishte njeriu që kishte ftuar e promovuar në parti figura që do të merrnin poste të larta pas fitores. Kur filluan “primaret” në Elbasan, ai nuk e kishte çuar as nëpër mend t’i thoshte ndokujt “voto për mua”. Dhe ja ku për habinë e shumë e njerëzve në PD, kur mbërriti lista e propozimeve fituese nga Elbasani, emri i tij nuk ishte. Berisha nuk pati kohë ta shijonte gëzimin e këtij lajmi sepse në listën e Korçës, që mbërriti me faks ndërkohë, ishte përfshirë emri i të largëtit Idriz Basha. Dega e Korçës e kishte votuar Idrizin si frankofon dhe person mjaft i njohur në rrethet politike të Parisit dhe Brukselit. Demokratët e Korçës ëndërronin të rihapnin në qytetin e tyre Liceun e famshëm francez të viteve tridhjetë dhe të ripërtërinin lidhjet e vjetra me Francën, që kishte edhe një varrezë ushtarësh të saj në periferi të qytetit, si një promemorie e proteksionizmit francez ndaj ambicieve shoviniste greke në vitet njëzet. Ëndërronin pra “Parisin e vogël”, siç ishte quajtur Korça dikur dhe kush më mirë se Idriz Basha mund t’i shërbente kësaj ëndrre! Berisha u duk i skandalizuar.
Thirri Tomor Dostin, një ish përndjekur politik, që po ngjitej me shpejtësi në skaletën e planeve berishiste, të cilin e urdhëroi të nisej me urgjencë në Korçë për të anulluar kandidimin e Bashës nga po ata që e kishin propozuar. Misioni i Dostit, i pari ndoshta i këtij lloji qëkurse kishte hyrë në PD, ishte një ironi e fatit. Ai vetë ishte një ballist. Kishte paguar shtrenjtë për bindjet dhe përkatësinë e tij politike në komunizëm dhe ja tani, po shkonte të hiqte nga lista e kandidatëve për deputetë një emigrant politik, që ishte arratisur në moshën nëntë vjeç nga Shqipëria me familjen e tij antikomuniste. Berishës i shijonin këto rrengje.
Kishte mundësi t’i tregonte si lëvizje të zgjuara politike. Në këtë botë ideologjitë dhe fatet janë fiksione, vetëm interesat janë reale. Ngaqë ishte kështu, Tomorri ia doli t’i bindte ata të Korçës të tërhiqeshin për Idriz Bashën. Gjatë shoshitjes së listave u vu në dyshim edhe Arben Imami. Dikush ishte kujdesur që ai të dilte në njëfarë balotazhi me Tritan Shehun për një zonë në Tiranë. Gramoz Pashko pati fat sepse në degën e Vlorës ishte caktuar i deleguar qysh më parë Arben Demeti.
Ditën kur do të votohej lista e kandidatëve në Vlorë, dy- tre partiakë lokalë u ngritën ta siluronin Pashkon, duke i dhënë zë një thashethemi të bërë legjendë sikur kishte lënë pa këpucë fëmijët e Vlorës apo duke e sulmuar si neokomunist me shprehjen në modë “është si shalqini, jeshil nga jashtë, i kuq nga brenda”. Gramozi, që ishte njoftuar të rrinte syçelët pranë teatrit të ngjarjeve, shkoj vetë në mbledhjen e degës, e bëri sallën për vete me elokuencën e tij dhe si përfundim u përfshi në listën e kandidatëve të Vlorës. Berisha e qortoi Demetin. “Ke ndikuar atje”, i tha. “Ke shkelur udhëzimin”! Në fakt, Gramozi ishte i vetmi kandidat që ishte lejuar të fliste dhe t’u përgjigjej akuzave të kundërshtarëve. Demeti e njihte shkeljen. Por e kishte bërë me vetëdije.
- Të shkon mendja se nuk do të jetë Gramozi në Kuvend? - i tha Berishës. Edhe mund të mos ishte. Nga lista e Vlorës nuk mund të hiqej më, por Vlora kishte shumë zona. Partia e kishte sërish në dorë ta çonte në zonën më të vështirë, në një bastion të komunistëve. Atje le të vriste veten. I papritur për Berishën ishte edhe kandidimi i Shahin Kadaresë nga dega e Gjirokastrës. Nuk ia kishte marrë mendja, me sa duket, se Shahini mbante lidhje me vendlindjen. Por do t’ja gjente anën ta eliminonte në Tiranë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Prec frikacaku, pse ke lejuar komente sot? Apo e ka bo Mero gabimisht. Meqe mundet sot me te pyt, pse bre burre qe vrerr vjell per majtas e djathtas? Pse vetem negativ? Mos harro se ne kohen e xhaxhit nuk ishe keq nga gjendja. Mos harro edhe se Fatos Nano te bani Minister. Saliu te beri nje mut, por ti tash vone po thue se me Saliun nuk vjen ne pushtet PD. Vertet e ke apo tallesh. Akoma nuk don ta pranosh e PD e krijoi Ramizi me sigurimin e shtetit...! Numeroi i here sa pinjolle komunistash jane ne keshillin kombetar dhe udhehewjen e PD, pastj shkruaj nje tjeter liber per te verteten objektive, jo ate tenden.