Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka prezantuar në rrjetet sociale projektin më të ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Projekti mban emrin “Culturalb” – Kultura shqiptare udhëton botën.
“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon të çojë në qytete të ndryshme të botës, kulturën shqiptare, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime etj.
Këto ngjarje kulturore do të përfshijnë etnografinë, kinemanë, letërsinë, fotografinë, muzikën, dizajnin e historinë. Arti shqiptar do të udhëtojë në Greqi, Hungari, Itali, Gjermani, Spanjë, Angli, Zvicër, SHBA, Gjermani etj.
“Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare meritojnë të jenë pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron. Me Culturalb, arti dhe kultura shqiptare nuk kanë kufij”, u shpreh ministri i MEKI-t, Gonxhja.
Një reflektim mbi projektin “Culturalb” Projekti “Culturalb”, i prezantuar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, është padyshim një nismë pozitive për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kalendari i pasur me aktivitete kulturore si ekspozita, shfaqje, diskutime dhe prezantime të artit, muzikës e letërsisë shqiptare do të sjellë një frymë të re për afirmimin e trashëgimisë sonë kulturore në qytete të ndryshme të botës. Megjithatë, nuk mund të mos theksohet një aspekt thelbësor që mungon në këtë vizion: gjuha shqipe si baza e çdo kulture kombëtare. Promovimi i kulturës shqiptare nuk mund të jetë i plotë nëse nuk mbështetet në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës sonë amtare. Sot e kësaj dite, as Shqipëria e as Kosova nuk kanë marrë përgjegjësinë institucionale për të hapur shkolla të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në diasporë. Përvoja ka treguar se shkollat shqipe të mësimit plotësues, të ngritura shpesh nga vullneti i mësuesve dhe komunitetit shqiptar jashtë vendit, janë baza më e fortë për transmetimin e kulturës sonë te brezat e rinj. Pa gjuhën, çdo promovim kulturor mbetet sipërfaqësor dhe afatshkurtër. Nëse dëshirojmë që “Culturalb” të jetë më shumë sesa një seri aktivitetesh, ai duhet të shoqërohet me politika konkrete për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në diasporë, në mënyrë që kultura shqiptare të mos udhëtojë vetëm, por të kuptohet, të jetojë dhe të zhvillohet në shpirtin e brezave të rinj.