Del nga shtypi "Silogjizmat e hidhërimit" i Emil Cioran, botuar nga "Zenit"

31 Mars 2025, 15:43Kulturë TEMA
Del nga shtypi "Silogjizmat e hidhërimit" i Emil Cioran, botuar

EMIL CIORAN - SILOGJIZMAT E HIDHËRIMIT
Përkthyer nga BALIL GJINI

Është veçse koinçidencë dalja pikërisht sot, në mbyllje të ditëve të agjërimit, e këtij libri. Por nga ato rastësi që dhuron, mes të mirave të agjërimit, edhe një tjetër. Atë që të ndërmendemi ta quajmë autorin e botuar: një agjërues të betuar.

Agjërues ndaj çdo gjëje: Historia, Utopia, Adhurimi, Shenjtëria, Zoti, Loti, e ngjer dhe nga Vetja e gati-gati dhe nga Koha. Agjërim e mohim për tërë kohën, dhe as ujë jo. Nuk gjen pikë uji në tërë veprën e tij, me postulatet e aforizmat si telegrame nga qielli (e gjashta kjo e sapobotuar në Zenit nën përkthimin e Balil Gjinit).

Emil Cioran shkruan për çka agjëron. Apo agjëron ndaj tyre pikërisht që të shkruajë për to. Për tema të larta, nën një gjendje e vizione që e veçon si të pangjashëm me askënd. Ai agjëron që kësisoj të mund të përftojë nostalgjinë ndaj tyre. E që mbërrihet jo duke i lënë jashtë, por veç duke agjëruar tërë kohën nën idenë e tyre. Vetëm i përfshirë si i rënë prej lartësisë tyre, duke pranuar shembjen. Një agjërues i patundur, i patunduar.

Në ka një gjë të shenjtë për Cioranin, është tamam kjo nostalgji për ‘shenjtërinë’ e dukurive të njerëzores, nga e cila ai kërkon pareshtur të mbetet i përfshirë, e prej këtej ta përçojë te lexuesi. Me synimin ngulmues që ta infektojë, ta afektojë edhe këtë, e prej këtej ta shtyjë të agjërojë, të pastrohet, të shpëtojë.

Për Cioranin do duhej lehtësuar për me qenë të shlirë edhe nga kuptimi dhe pёrmbajtja e jetёs, si vrastare tё vetë jetës dhe qashtёrsisё sё gjёrave.

E kështu pra, këtij emërtuesi adamik të rrallë të gjërave dhe ngjërues i fenomeneve të paemërtueshme - e të cilin vetë është vështirë ta emërtosh me një emër të vetëm, e as llojin e veprës së vet-, po i shtojmë për sot, falë përkimit të ditës, edhe një:
Agjërues!
Ciorani preferonte ta emёrtonte veten njё agnostik; refuzonte tё mbahej si mendimtari mirёfilli, ndjehej në margjina të letërsisë. E kë të besosh! Se prapë diku kthehet të thotë që “ne jemi realisht ne, vetëm kur duke u vёnё ballё vetes nuk përkojmё, s’përpuqemi me asgjë, as edhe me singularitetin tonё”.

Ai lexohet nёn atё marramendje qerthullore nёn tё cilёn ai vetё trulloset.

Ndaj, për sot, po e vë të prehet mes asaj filozofie pёr tё cilёn shpunёsimi i mundёsive konkrete bёn tё dukshёm e tё mundur mundёsinё e kulluar, ku kulmi sovran i fuqisё ёshtё fuqia pёr t’u pёrmbajtur, pra pёr paveprim - burim i çdo krijimi.

Dhe në fund, sipas besimit, një vijim agjërimi të lehtë edhe nga librat, apo trullosje të mbarë!

nga Krenar Zejno
në 30 mars 2025

Lini një Përgjigje