Dhjetë pyetje për Ylli Demnerin

28 Shkurt 2024, 09:20Kulturë TEMA
Dhjetë pyetje për Ylli Demnerin

*Ylli Demneri është shkrimtar dhe poet shqiptar që jeton në Francë. Autor i disa vëllimeve si "Më kujtohet" apo "E dashur A" ai lëvron një stil të veçantë të prozës.

Kur keni nisur të shkruani?

Dëshirën për të shkruar e kam ndier gjatë adoleshencës. Tani, pas kaq vitesh, mund ta shoh këtë akt si një përpjekje për të gjetur një "strehë" për të qenë me veten, për të biseduar me veten. Ky moment lidhet gjithashtu edhe me fillimin e leximeve të librave "për të rritur". Kam patur fatin që në shtëpi të gjendeshin disa libra ndryshe nga ato të realizmit socialist (në fakt, përveç librave të Kadaresë që i bleja unë, sepse im atë nuk i lexonte as ato, nuk kishim asnjë libër të realizmit socialist. Im atë pranonte që të lexonte për të disatën herë “Lufta dhe paqja” të Tolstoit sesa autorët e realizmit socialist. Ka qenë një fat për mua që ta filloj me "libra të ndaluar", ndonëse në atë kohë nuk e kam kuptuar).

Çfarë marrëdhënie keni me letërsinë “e madhe” në përgjithësi?

Unë kam marrëdhënie me letërsinë që më pëlqen, pa asnjë dëshirë për ta ndarë atë në kategori. Më pëlqen më shumë të befasohem nga stili apo ndjeshmëria e autorit. Sigurisht që mosha luan një rol në këtë zgjedhje, e cila ka lidhje me pjekurinë dhe kohën. Me moshë e kupton se nuk të mbetet shumë kohe. Ndaj bëhesh më kërkues. Dëshiron të shijosh "verën" më të mirë. E cila shpeshherë nuk është edhe aq e pranueshme për qiellzën tënde në fillim. Por pak nga pak nis e ndien të gjitha nuancat e saj. Po kështu ndodh edhe me leximet. Pas moshës 40-vjeçare kam filluar të shijoj Proust-in. Dhe kam nisur disa herë leximin e "Uliksit" të James Joyce-it, por asnjëherë nuk e kam çuar deri në fund. Disa specialistë thonë që duhet lexuar vende-vende, jo nga fillimi deri në fund. Pres të plakem edhe ca për ta mbaruar së lexuari. Kush e di. Pra, këto janë marrëdhëniet e mia me letërsinë “e madhe”.

Cili është libri i preferuar për të lexuar pas një dite të lodhshme në punë?

Do thoja poetët kinezë e japonezë të shekujve të kaluar. Më çlodh lirizmi i tyre që nuk është asnjëherë qaraman apo që të të velë. Sepse fjalët e zgjedhura kanë po atë saktësi që kanë edhe penelët e tyre. Një lëvizje e menjëhershme dhe e pakorrigjueshme.

Sa orë shkruani në ditë dhe si ndiheni kur nuk mund të shkruani dot?

Nuk jam shkrimtar profesionist. Jam si 96% e shkrimtarëve në Francë që për të jetuar merren me punë të tjera (jap këtë informacion, jo se e konsideroj veten shkrimtar francez, por nuk kam asnjë informacion të tillë në lidhje me shkrimtarët shqiptarë). Pra, shkruaj kur mundem. Më saktë, kur duhet shkruar. Duke lënë një gjurmë mbi letër apo telefon. Çka më pëlqen. Kënaqësia e "të papriturës" (e vë në thonjëza sepse në të vërtetë nuk është krejt e papritur). Krejt e papritur është ideja e një haiku. Edhe pse shpeshherë, pas një hedhjeje të parë, duhet kërkuar fjala e saktë dhe vendi saj i saktë.
Kur nuk shkruaj ndiej një lloj frustrimi. Edhe pse e di që eshtë normale. Më e frikshmja është kur kjo gjë zgjat. Të "ngushëllon" vetëm mendimi se kjo u ndodh të gjithë krijuesve, të çfarëdo fushe qofshin.

A keni një kulturë të preferuar së cilës ndiheni se i përkisni?

Besoj se përgjatë këtyre 35 viteve që kam jetuar në Francë, jam ushqyer me kulturë franceze. Në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Edhe si krijues, edhe si qytetar. Ka qenë një fat për mua, aq më tepër kur mendon që 27 vitet e para i kam kaluar në një nga diktaturat më të egra. I izoluar nga bota. Por brenda meje, në trupin tim, është regjistruar përgjithmonë gjuha shqipe dhe gjithë kultura që ajo përmban. Prandaj të shkruarit në shqip për mua është një kënaqësi intelektuale dhe fizike. Është gjuha që kam dëgjuar për herë të parë që në bark të nënës. E që lidhet me plot ngjarje të lumtura e të hidhura të përjetuara për herë të parë. Fjalët në shqip, për mua, përmbajnë të gjitha nuancat e emocioneve të përjetuara nga unë për herë të parë.

Pas letërsisë, cili është arti tjetër pa të cilin nuk bëni dot?

Para se të shkruaja, kam vizatuar. Që fëmijë. Madje edukatoret në kopsht, si edhe më vonë mësueset, i thoshin prindërve të mi që duhej të vazhdoja për pikturë. Kështu që artet vizuale vazhdojnë të më tërheqin. Kam fatin gjithashtu që të jetoj në Paris, qyteti i muzeve dhe ekspozitave nga më interesantet dhe nga më të pasurat. Jam mësuar me to, sa e kam të vështirë ta imagjinoj veten të privuar prej tyre. Ndjek me interes çdo ekspozitë që hapet. Çfarë kam parë më është regjistruar në kujtesë. Shumë bukuri që të zhvirgjërojnë vështrimin, si p.sh. disa tablo të Paul Gauguin-it, El Greco-s apo Botticelli-t. Krijime që nga vizatimet e shpellave e deri tek artistët e fundit. Po kaq interes tregoj edhe për kinemanë dhe teatrin që, përveç arsyeve të tjera, lidhen gjithashtu me studimet e mia të mëvonshme universitare e pasuniversitare.

A mendoni se arti është më shumë talent apo punë skrupuloze ?

Të dyja. Pa diskutim. Peneli i një piktori, sado i talentuar qoftë, ngathtësohet nëse ai nuk e ushtron atë rregullisht. Nuk po e përdor fjalën “skrupuloze”, sepse nuk më pëlqen. Për mua ka diçka nga tortura. Nga këshillat e prindërve kur i zë frika për të ardhmen e fëmijës.

A mendoni se në Shqipëri ka ende lexues?

Ka gjithmonë lexues. Kudo në botë. Për aq kohë sa leximi mbetet një kënaqësi; sa nuk është i detyruar nga arsye ideologjike; sa nuk bëhet për shpëlarje truri.

Si janë politikat e kulturës në vendin ku jetoni krahasuar me Shqipërinë?

Nuk e kam informacionin e duhur për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Për këtë ka specialistë. Nuk është rasti im.

A është më e vështirë të shkruhet poezi apo prozë?

Kur sheh numrin e poetëve dhe poeteshave shqiptare në rrjetet sociale, të krijohet përshtypja se të shkruash poezi është më e lehtë (qesh). Madje edhe numri i petullave duhet të jetë shumë më i vogël në këto 20 vitet e fundit, sesa ai i poezive që shkruhen çdo ditë nga shqiptarët e shqiptaret. Por, po të flasim për poezi të vërtetë, kam mendimin se krijimi i poezisë është më i vështirë. Qoftë edhe vetëm nga fakti i disa rregullave (edhe kur ato nuk respektohen), përveç të tjerave.

Intervistoi për TemA: Adri Kalaja

Lini një Përgjigje