Fate Velaj, artisti, shkrimtari dhe njeriu “universalis”.

25 Shkurt 2024, 09:52Kulturë Dr. Bledar Kurti

Njeriu është “homo sapiens” që do të thotë: qenie inteligjente. Por ndër ne
lindin e jetojnë edhe “homo universalis” qenie universale, polimathë. Njerëz të
tillë e kanë gjenezën nga një vendndodhje gjeografike por që kurrë nuk kanë një
vendmbërritje, pasi janë qytetarë të botës, frymorë të jashtëzakonshëm të cilët
mbajnë mbi supe barrën e epokave, përçojnë artin, dijen, fjalën dhe përvojën
njerëzore, si të shkuar ashtu edhe të pandodhur, gardianë të portave hyrëse në
terrina yshtjeje e dimensione të paperceptuara mendimi e krijimi. I tillë është Fate
Velaj i cili me artin, penën dhe konceptet e tij tejkohore e mishëron më së sakti
“homo universalis.”
Vdekatarët vlerësohen kryesisht për çfarë bëjnë e rrallëherë për çfarë janë.
Fate bën dhe është. Ashtu si vetë fjala Art, që kuptimin më të saktë e ka nga
gjermanishtja “kunst” që do të thotë Plotësi, edhe Fate Velaj është plotësi. Art që
merr frymë e që shpaloset përmes pikturës, letërsisë, fotografisë dhe mjeteve
krijuese që lidhin shtete, kultura, kontinentë, kohë dhe botë.
Kjo nuk është një ode për Faten por një impresion, një skicë e një tabloje të
pangjyrosur, mbi triologjinë e tij Kreuztanne, e përbërë nga romanet: Kreuztanne,
Nilkon dhe Itaka. Një triptikë fjalësh, një triologji porsi një ditar, ku autori të fton
për një shëtitje në një lokacion pa emër e pa kohë, e të tregon rrjedhën e jetës së
tij, e cila çuditërisht e magjishëm duket se është edhe jeta jote, e madje jeta e të
gjithëve.
Kjo triologji nis me akull e përmbyllet me diell, por sakaq tregohet
hollësishëm një udhëtim i jashtëzakonshëm stinësh emocionale e përvojash
njerëzore. Fillon me vitin 1991, me Faten emigrant i cili tregon: “Ika më datë 19
korrik për në Pejë të Kosovës, te familja Tigani, për të bujtur tek ata atë natë e të
nesërmen, me autobusin e kompanisë ‘Rusolia Tours", me 100 marka gjermane në
xhepin e pantallonave të cilat, që të dukesha më i madh, i kisha veshur dy numra
më të mëdhenj, u nisa për Austri.” Atje, u caktua të banonte diku mes maleve të

Sankt Antonit, te hoteli Gathaus Kreuztanne, duke nisur një jetë të re, e cila
rezultoi gjarpëruese por drejt pedestalit, fillimi i një rrugëtimi që do e afirmonte
atë si artist e kurator me ekspozita në Vjenë, New York, Bukuresht, Shkup, Kajro,
Brimingham, etj, një ambasador fisnik i forcës përbashkuese që arti i bën
kulturave, kombësive, kontinenteve, e madje edhe vetë kohës, siç ishte koncepti
“Arti përmirëson kohën", i realizuar në shkurtin e vitit 2002 në Vjenë e në maj të
po atij viti, në Shkup, me synimin, ashtu siç shkruan ai te triologjia: “si artist të
jepja ndihmesën time në përmirësimin e kohës.” Por duke mjekuar me kurën dhe
balsamin e artit edhe vurrata reale kombësish përmes ekspozitës “Good morning
Balkan” e cila “Do të ndërtonte kështu një rrjet urash shpirtërore që do të lidhnin
fort me njëri-tjetrin vendet e Ballkanit të cilët, pak vite më parë, ishin përfshirë
nëpër luftëra absurde e kishin përgjakur përrenj e lumenj, fusha e male, fytyra
fëmijësh e pleqsh, burrash e grash, duke lënë në hi e flakë shtëpitë e tyre … Një
thirrje për zgjimin e rajonit që për vite e vite me rradhë kishte qenë zhgjëndrra e
vetvetes.”
Këto ura artistike, sikurse edhe ekspozita “Midis Danubit dhe Nilit”, nisma
të cilat përmes penës ai i shpjegon se: “ndërtojnë urat duke i lidhur me njëra-
tjetrën qimet e penelave të trazuara me ngjyrat e dala nga shpirti i tyre (artistëve
nga vende të ndryshme të botës)”, jo vetëm e zgjuan vëllazërinë njerëzore ndër-
kontinentale e universale, por e shtegtuan Fate Velajn në një skërkë të së
ardhmes: “Udhëtoja në të ardhmen time. Në vende të ndryshme, ku s'kisha qenë
kurrë më parë e ku takoja njerëz që s'i kisha njohur kurrë më parë. Përjetoja
situata të tjera, momente ndryshe, ndjenja të reja,” shkruan ai. Një përvojë
transcendente e cila rezultoi me akordimin e titullit “Profesor” dhe medaljen e
lartë “Kryqi i artë i kalorësit të shkallës I” nga Presidenti i Austrisë, medaljen
“Nderim i Republikës” nga Kryeministri i Austrisë, medaljen “Civi Europaeo
Preamium” (Qytetar Evropian) nga Presidenti i Parlamentit Evropian, e vlerësime
të tjera të panumërta në SHBA, Itali e gjetkë, të cilat e plotësojnë, porsi një film
kinematografik, narrativën e pabesueshme të një emigranti të thjeshtë i cili
dëgjon britmën e brendshme të artit, dhe nga një spektator në ndenjësen e fundit
të sallës në teatrin e jetës, arrin ta përçojë forcën krijuese si një titullar i dalluar
mbi skenën e rezervuar veç për ata që bartin titullin “homo universalis.”

E megjithatë, dallohet qartë te veprat e triologjisë Kreuztanne, se boshti i
qenies, i artit, penës, dhe mendimit të Fates është Vlora. Ajo mbetet Itaka e tij:
“Mos e hiq Itakën nga sytë, rikthimi yt atje është i paracaktuar dhe mos e merr me
ngut udhën, le të zgjasë edhe disa vite më shumë, e të rikthehesh i plakur në
ishull, i pasur në kujtime.” “Mos e harro nga u nise!” shkruan ai, jo vetëm për
lexuesin por si një kujtesë për veten, “Mos e harro Vlorën. Ajo do të mbetet Itaka
jote,” një emblemë shpirti.
Këto fjalë janë një imazheri e gjallë, tinguj nostalgjie, apo skena
përmbullëse të filmave neo-klasik si ato të Giuseppe Tornatore, fjalë që na
pëshpërisin në vesh: Rrugëtova sa më shpejt të mundja, sikur po arratisesha nga
malli, nga pafajësia, nga ajo. Koha ka kaluar shpejt dhe unë kam dashuruar shumë
qytete. Dhe teksa ato më kanë mbajtur afër e nën përqafimin e tyre, duke më
pyetur në heshtjen krenare nëse do t'i kujtoj gjithmonë, unë u jam përgjigjur: "Po,
do t'ju kujtoj." Por i vetmi vend që nuk e kam harruar asnjëherë është ajo që nuk
më pyeti kurrë... Vlora. Ndaj edhe britma e shpirtit të Fates nuk shurdhet kurrë:
“Mos e harro Vlorën.”
Kjo kambanë që tingëllon nga brenda me tinguj modestie na kujton
perandorin e shquar romak Marcus Aurelius, i cili, i dashur nga njerëzit e i
adhuruar prej tyre porsi perëndi, caktoi një prej skllevërve të tij, që, teksa ai ecte
në rrugët e Romës nën brohoritjet dhe përuljen e romakëve, t’i pëshpëriste në
vesh perandorit në çdo hap: “Je vetëm njeri. Je vetëm njeri.” Edhe Fate Velaj, me
të gjitha arritjet, udhëtimet dhe ekspozitat e tij anëembanë botës, i bindet
vullnetshëm zërit të qenies së vet: “Mos harro nga vjen. Mos e harro Vlorën. Ajo
është Itaka jote.”
Thuhet shpesh, rëndomë, se dikush ka penë të fortë për të shkruar, ka dorë
për të pikturuar, ka sy për të fotografuar, ka gojë për t’u shprehur, etj. Por, e
vërteta është që të gjitha krijimet burojnë nga shpirti i thellë, i plotë e i bukur. Pa
qenien, asgjë nuk manifestohet. Pa qenien gjithçka është një mosgjë. Qenia e
Fates është vigjilente për të manifestuar përmes fjalës dhe imazhit edhe kujtimet
e së ardhmes.

Te pena e tij dallohet se ai është një vëzhgues i mprehtë i natyrës njerezore.
Personazhet përshkruhen ne detajet më minimale. Është një antropolog i jetës së
njerëzve të zakonshëm. Na mëson që çdo individ per se ka një histori për të
treguar, se gjithësecili ka të orkestruar partiturën e jetës së vet, se çdo fytyrë
ështe një portret që meriton të ekspozohet në galerinë universale të jetës dhe
shoqërisë.
Fqinjët, kamarierët, takimet e rastësishme me të panjohur, përshkruhen
me më shumë intensitet e ndjenjë se personalitete me grada dhe ofiqe te larta.
Personazhet e tij janë të skulpturuara me fjalë. Ato na kujtojnë portretet e Franz
Xaver Messerschmidt, skulptorit gjermano-austriak, i cili eksploroi gamën e
emocioneve, personaliteteve dhe mimikave njerëzore. Atë që Messerschmidt e
realizoi në vepra skulpturore, Fate e ka realizuar me letërsi, por madje duke e
kapërcyer karakterin personal njerëzor, duke shpalosur mjeshtërisht përmes tyre
perfaqësi kulturore e kombësie, siç i gjejmë te boshnjaku, turku, egjiptiani, serbi,
rumuni, cifti britanik, vajza arabe, maqedonasi, etj, gjithësecili identifikues i
historisë së popullit të vet përmes një a dy rreshtash të koncentruar mrekullisht.
Ky minimalizëm goditës dallohet edhe te erosi i veprave të tij: “Vajza po lexonte
një libër… La librin mënjanë dhe vendosi syzet e diellit. Nuk isha në gjendje ta
shihja se ku e kishte të fiksuar shikimin. Syzet ishin me xham të errët. Të miat po
ashtu. Ndoshta po shihnim njëri-tjetrin,” shkruan ai te Itaka, vepra përmbyllëse e
triologjisë.
Në tërësi veprat me shumë personazhe rezultojnë në dështim. Janë lodhës,
topitës për lexuesin dhe rraskapitës për vëmendjen njerëzore. Kjo nuk vlen për
romanet e Fates. Përkundrazi, kjo dobësi e letërsisë është pika më e fortë e tij.
Shoqëruar me qëndrime politike të rrepta e tejet të sinqerta ndaj momenteve
historike shumë-kombëshe, triologjia Kreuztanne është një odise e kohëve
moderne, një ditar jo vetëm i autorit por edhe të gjithë lexuesve. Në të gjenden të
gjitha hapat e pakapërcyeshëm të jetës, LINDJA, si për shembull ajo e vajzës së tij
Helena; VDEKJA, si ajo e prindërve dhe e foshnjës së palindur, një përshkrim
rrëqethës e tronditës që të le pa frymë; HUMBJA, si në rastin e dëgjimit, moment i
vështirë fizik që Fate e përshkruan në mënyrë të goditur e mbresëlënëse: “Iu luta
Beethoven-it. I thashë të m'i hiqte zogjtë nga veshi. T'i ulte nëpër telat e të gjitha

violinave të orkestrës së tij dhe të këndonin vendçe po të donin. Të m'i linte në
zemër. Në shpirt. T'i çonte ku t'i donte qejfi, por nga veshët të m'i hiqte. Doja të
dëgjoja fëmijët e mi. Gruan time. Nënën time,” e padyshim edhe MALLI për Itakën
e tij, Vlorën, e cila ndihet si simfoni në çdo faqje, e në të gjitha qasjet e autorit, në
atë si shkrimtar, fotograf, kurator e piktor: “Mora furçën tjetër, e zhyta thellë në
enën e madhe dhe fillova të krijoja disa figura të çuditshme, si të ardhura nga
thirrjet në kujtesë të fragmenteve e përjetimeve të situatave imagjinare dhe
takimeve të kryera gjatë atyre udhëtimeve të çuditshme, që diku kishin ndodhur
dhe ndonjëherë do të vinin në jetën time. I përhumbur mes ngjyrash dhe notash,
mes erës së bojërave dhe notave të Beethoven-it, që sapo kishin filluar të
dëgjoheshin, përzier me trokitjen e takave të këpucëve që depërtonin nga jashtë
dritares, më në fund, u ula përsëri në karrige dhe sodita atë që për gati tridhjetë
minuta më kishte përpirë në thellësinë e saj, si gropat thithëse plazheve të Vlorës…
Ndihesha vërtet me krahë. Fluturoja mbi blunë e pikturave të mia, si pulëbardhat
mbi anijen e Baçit kur kthehej mëngjeseve nga peshkimi.”
"Kjo është ajo që i mashtron njerëzit," tha filozofi dhe dramaturgu Jean-
Paul Sartre. “Njeriu është gjithmonë tregimtar historish. Ai jeton i rrethuar nga
historitë e veta dhe të të tjerëve. Përmes tyre ai sheh gjithçka që i ndodh atij; dhe
përpiqet ta jetojë jetën e vet sikur po i tregon ato.” Fate Velaj shkruan atë që
jeton, dhe jeton në mënyrë të pakohë të ndodhurën dhe të pandodhurën. Në
secilin dimension ARTI, FJALA dhe LIRIA janë konstantet dhe trinia e qenies së tij:
Arti i kulluar si përshpirtje për errësirën mendore, fjala si mjet emancipimi
njerëzor, dhe liria si kushtrim zgjimi për vëllazërinë universale.
Për ta përmbyllur me Sartre, “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë” tha ai,
“sepse sapo hidhet në këtë botë, ai është përgjegjës për gjithçka që bën. Varet
nga ti t'i japësh [jetës] kuptim.” Këtë qasje ekzistenciale e gjejmë të pranishme te
veprat e triologjisë Kreuztanne. Në mënyrë të vazhdueshme autori duket se
këmbëngul jo vetëm për përgjegjësinë e tij personale për gjithçka që bën dhe
kuptimin që i jep jetës, por e përdor edhe si thirrje e ndërgjegjësim edhe për
lexuesin.

“Ka dy mënyra për të mos ndenjur në errësirë: 1. bëj dritë aty ku je, ose 2.
dil në diell.," shkruan ai, duke e parashtruar si postulat për njeriun, pa dallim
prejardhje, kulture, gjeografie dhe kohe. “Arti bën ndryshimin. Ndërton urat për
komunikim. Pa paragjykime.” Kjo është thirrja e shkrimtarëve dhe e artistëve në
tërësi dhe atyre “homo universalis” në veçanti, pasi vdekatarë të tillë janë e
mbeten krenarë se nga vijnë por flatërojnë e pluskojnë në hemisfera e largësi si
frymorë që udhëtojnë sot në të ardhmen e tyre.
Letërsia bashkëkohore shqiptare vuan nga sëmundja e trashëguar e
provincializmit, e autorësisë vetë-izoluese, e cila vërtitet brenda botës së një
kafke ballkanike. Fate shkruan si një qytetar i botës, me lokacione e mendësi
ndër-kontinentale, me koncepte emancipuese dhe frymëzuese, ad infinitum, për
një audiencë gjithëkombëshe lexuesish. Ai shkruan me peshën e forcës së artit
dhe me fjalët e kredhur në spektrin e ngjyrave ende të pazbuluara.

11 Komente

  1. F
    Fate jam une

    Dedikimi qe i behet ketij elektricisti te shnderruar ne "Universalis", i krijon deme te metejshme ketij vendi, pra ky publikim demoralizon ata njerez qe kane investuar shume e gjate per te bere artin e vertete (ate pamor dhe letrar). Por sharlatanizmi alla Fate eshte produkt i kohes i mbeshtetur nga keta te "medhenjte" tane, te po kesaj kohe te "ndritur" ne kulturen e Shqiperise, qe kjo e fundit kerkone te behet me patjeter Europe, qofte edhe me kompromise dekstruktiviste!

    1. J
      Jaho

      sakte mik , sakte.

    2. i
      i dashur arna-MUTI-STAN

      Fate Velaj,ky kozmopolit i nje dimensioni te madh dhe cilesor human,duhet te ndihet me i huaj dhe me tej i urryer,ne vendin e tij,ku shumica ketu ka nje urrejtje patologjike malinje,per fqinjet matane kufijve te vendit dhe nje dashuri vetvrasese,per denatyrimin racor,ku sa me i eger dhe i erret te kete qene pushtuesi aq me e marre vazhdon te jete sevdaja e arnautit shqiptar per te. Kurse dashurine per qytetin e vendlindjes te Fates, ajo eshte jashte Fates,ne subkoshiencen e tij, dhe besoj se e shpjegon mire nje tregim i Mark Tuen:´´U futa ne nje klub, dhe u afrova te degjoja se cfare po flitesh reth,nje tavoline ku ishin grumbulluar shume njerez,ku nje kozmopolit,mbronte me zjarr idene e tij.Vazhdova me pas, drejt tavolinave te tjera,kur degjoj dhe shikoj,qe ne tavolinen e kozmopolitit kish kercitur grushti.Afrohem dhe marre vesh,qe ne tavolinen ku ish´´kozmopoltiti,ishte share nje vend i humbur i botes,i cili nuk mund te rrinte pa reaguar,kur doli qe ai ishte vendi i tij,``

      1. B
        Baliu

        Ky qenka frymezuar Karl May.

        1. E
          Eno

          Ja ka zënë vëndin SKËNDERBEU se ky na e nxori hero kombëtar!!! Mos po i lëpiesh Fates për ndonjë "hall tëndin" ?

          1. k
            kevin

            Ah Fatmir Velo, Fatmir Velo.Eshte jo e fisme te te shaj ketu ne gazeta nga oseudonimi.Por hajde ndonje dite ne Vlore diku aty tek Kali i Trojes te te them ca pacavure je ti .Turp per Shqiperine qe e perfaqeson ti..Turp per ate qe te ka vene aty. Po ecen ne gjurmete e Meleqit....

            1. V
              Vala

              Me behet qejfi qe lexoj kaq fjale te mira per te, por s’kam lexuar dhe s’do lexoja kurre krijime te ketij lloj shkrimtari. Zakonisht preferoj ata krijues qe punojne larg tam tameve dhe akoma me teper, ata qe shahen nga autore medioker, pa le te kene perpara edhe titujt akademik, doctor e profesor

              1. M
                Myvena

                Ne si vlonjate duhet te ndihemi krenare qe, nje shale I Vlore ka care preparation ne Europe, si shume shqiptare te there neper bote. Me habit facto qe, ne vend te krenohemi me dicka pozitive, sado e vogel qofte, kemi filluar te shajme, ta mbulojme te miren me te keqen, gje qe shqiptari s’e ka patur zakon. I presim krahet nje njeriu qe do te fluturoje. Mendoj t’u themi bravo e t’i inkurajojme te shkojne me tej . Si vlonjate ndihem krenare per kete djale te talentuar qe na nderon. Vazhdo Fate, shkruaj per vendin e Vloren tone te dashur . Urime edhe per ju, Kurti Myvena

                1. Z
                  Zani

                  O Bledar Kurti. Ke bere shume mire qe ke shkruar per Fate Velaj e per vepren e tij. Per kete te falnderoj dhe i uroj Fates vazhdimesi te mbare. Populli e do te bukuren dhe te verteten. Por ti Bledar e ke bere pise Faten me fjalet e huaja qe ke perdor per ti bere portretin. Plot 36 fjale te huaja ke perdor ne ato pak rreshta. E ke hedhur ne hale doktoraturen tende. Po na rrenoni gjuhen tone te bukur, e afte te shprehe c'do mendim, ndjenje e veprim te njeriut. Mos e perserit se do te behet vese qe do te humbasi vlerat qe ke.

                  1. S
                    Spartans LEONIDHA

                    I nderuari " arna - muti-stan. Nuk dua te te ofendoj duke te quajtur "I pa ditur I dobishem". Kur turqit e quajten vendin tone "Arnautistan" dhe ne shqiptaret arnaut nuk kishin qellim te na ofendonin sepse ne shqip arnautistan do te thote vendi buze ujrave dhe arnaut njeriu I vendeve buz ujit. Arnaut = ar na ut, toka (are) ne uje ose me uje. Nautika eshte shkenca e lundrimit (fillimisht lundrimi ne uje dhe tani eshte zgjeruar ku.ptimi i saj dhe perfshin edhe lundrimin ne hapsire (ajer) aeronautika). Une nuk jam as turk as filoturk, por turqit e kane ditur kuptimin e fjales nautik 500 -600 vjet para teje. Ne fillimet e veta njerzit nuk emronin kot per te ven nje emer , por me emrin ata donin te tregonin nje gjendje,vecori apo veprim te sendit, fenomenit, apo gjalleses qe emronin, e aq me pak per te ofenduar dike sepse nuk ishin kaq te zgjuar e te liq sa disa nga ne sot Edhe kur Erdoğan na quan neve "vellezer"ai nuk ka qellim te na kujtoj pushtimin 500 vjecar nga perandoria osmane, por ai e di mire se me shume se gjysma e popullsise se Turqise se sotme eshte me origjine pellazgo-ilire. Gjithe teritori I Azise se Vogel nga Bizanti (Stambolli I sotem) e deri ne Anadollin e larget ( Anadoll = atje lag ku del hana = hana -doli) dhe ne drejtim te jugut tek portat e Persise,malet e popullsise qe quheshin uxi popullsi pellazge), duke vazhduar poshte ne nje pjese te Sirise dhe Palestinen ( Palestinezet e sotem ishin filistinet e djeshem (popullsi pellazge). Te quajta I paditur I dobishem sepse paditurija jote u be shkak qe shkruajta keto rreshta, te cilat dikush do ti lexoje e do te mesoj. Te pershendes.

                    1. S
                      Sharlatanizmi ka emer

                      Futja pordhes me kete shkrim. Per nje sharlatan pa kulture si Fate Velaj gris doktoratuen tende

                      Lini një Përgjigje