Edicioni i 16-të i “Shkodra Jazz Festival” nga 11–31 gusht, festivali me një program të larmishëm

10 Gusht 2025, 13:14Kulturë TEMA
Edicioni i 16-të i “Shkodra Jazz Festival” nga 11–31

Shkodra do të shndërrohet sërish në kryeqendrën e muzikës xhaz, teksa nga 11 deri më 31 gusht do të mbahet edicioni i 16-të i “Shkodra Jazz Festival”.

Programi i këtij viti përfshin një sërë koncertesh dhe masterklasash të ndara në kategori të ndryshme, duke ofruar një përvojë të pasur për publikun dhe artistët pjesëmarrës.

Drejtori artistik i festivalit, Florian Jakaj, veçon risitë e këtij edicioni.

Nga data 11 [gusht] hapet ‘Rrok Academy’. Fillojmë me junior, klasën e drejtuar nga Brixhilda Martini me nxënësi e moshave të vogla. Gjithashtu do të kemi Bardh Jakovën me një kurs mbi fizarmonikën,” tregon z. Jakaj.

Një ndër momentet kulmore do të jetë koncerti i posaçëm i dedikuar 20-vjetorit të shoqatës “Rrok Jakaj”.

Do të bëjmë një koncert të posaçëm në datën 18, ku anëtarët e ‘Skënderbeut’, që janë nga orkestra e krijuar shumë vite më parë në Itali, do të vijnë nga vende të ndryshme të botës për këtë koncert përkujtimor të themelimit të shoqatës,” thotë drejtori artistik i festivalit.

“Shkodra Jazz Festival” mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të verës në qytetin e Shkodrës, që mban gjallë lidhjen e hershme që ky qytet ka me muzikën xhaz.

/rtsh/

Lini një Përgjigje