Elbasan/ Muzeu Etnografik pasuron fondin

7 Shkurt 2026, 10:46Kulturë TEMA
Elbasan/ Muzeu Etnografik pasuron fondin

Muzeu Etnografik i Elbasanit është pasuruar së fundmi me një dhuratë të çmuar nga familja e Mehmet Qorrit, e cila ka dorëzuar një sënduk rreth 150-vjeçar si dhe dy jorganë tradicionalë me vlera historike dhe artizanale.

Njëri prej jorganëve është prodhim artizanal me një histori afro 120-vjeçare, ndërsa tjetri i përket një periudhe më të vonshme. Së bashku, këto objekte dëshmojnë jetën familjare të kohës, mjeshtërinë e punimit dhe kujdesin me të cilin trashëgimia është ruajtur ndër breza.

Muzeu Etnografik u bën thirrje të gjitha familjeve që zotërojnë objekte të vjetra të ndjekin këtë iniciativë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e historisë dhe traditave lokale. Çdo objekt i dhuruar do të shoqërohet me shënimin e emrit apo familjes së dhuruesit dhe do të bëhet pjesë e ekspozitës për vizitorët.

Muzeu Etnografik i Elbasanit, i vendosur në një ndërtesë karakteristike qytetare, përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetit. Në ambientet e tij prezantohen rreth 80 lloje zejesh tradicionale, si dhe objekte që pasqyrojnë mënyrën e jetesës, veshjet, mobilimin dhe artizanatin e trevës së Elbasanit ndër shekuj. A.K./TemA

Lini një Përgjigje