“Meditim”: Një mbrëmje homazh për Ferdinand Dedën, nderohet kompozitori i madh

6 Shkurt 2026, 09:12Kulturë TEMA
“Meditim”: Një mbrëmje homazh për Ferdinand

Orkestra Simfonike e RTSH-së solli një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar Ferdinand Deda, një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së kultivuar shqiptare.

Koncerti, i titulluar “Meditim”, u zhvillua në sallën “Ferdinand Deda” , hapësirë që mban emrin e tij dhe ku krijimtaria e kompozitorit u rikthye simbolikisht, aty ku kujtesa artistike vijon të jetojë përmes tingujve.

Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së, me soliste pianisten Merita Rexha Tershana, i ofroi publikut një udhëtim në universin krijues të Ferdinand Dedës, përmes veprave që pasqyruan ndjeshmërinë, finesën dhe identitetin e tij muzikor.

“Çdo gjë që organizohet për Ferdinandin është e bukur. Erdhi shumë bukur dhe shumë ngrohtë. Erdhi në 85-vjetorin e lindjes së tij”, tha Elton Deda.

Mbrëmja koncertore solli një homazh për kontributin e vyer të Ferdinand Dedës në zhvillimin e muzikës simfonike dhe edukimin artistik në Shqipëri, si dhe një vlerësim për trashëgiminë e tij që vijon të frymëzojë breza muzikantësh dhe artdashësish.

Koncerti “Meditim” riafirmoi gjithashtu rolin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së si një institucion që ruan, promovon dhe përcjell vlerat më të mira të kulturës dhe muzikës shqiptare. A.K./TemA

Lini një Përgjigje