nga SEJDO HARKA
Shkrimtarja Diana Çuli ka një jetë të tërë që shkruan e shkruan pa mbarim. Krijimtaria e saj e larmishme dhe cilësore është dalluar për karakterin e saj feminist dhe human. E bindur, se shoqëria jonë, pa fuqinë dhe zërin e vajzave dhe të grave nuk do të ecte dot përpara, i ka bërë ato protagoniste të veprave të saj më të mira artistike. Karakteret e saj femra, është e vërtetë që vuajnë e dhunohen, përbuzen e paragjykohen, por kurrë nuk thyhen e gjunjëzohen.
Në memorien tonë nuk kanë për t’u harruar kurrë karaktere të tilla si ajo e Margarita Begollit, që torturohet në kampet çnjerëzore gjermane dhe e komisares Dorothe Gjika, që pushkatohet, vetëm se dashuronte në zjarrin e luftës. Diana Çuli, me krijimtarinë e saj të spikatur ka nisur të bëjë emër që në bankat e shkollës, kur ende vazhdonte Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi. Në vitet ‘80, ajo nisi të bëhej referencë për gjithë shkrimtarët e rinj të brezit të saj. Ndërsa sot, mund të themi me plot gojën, se, me përvojën e saj krijuese mbi 50-vjeçare, është bërë kampione e shumëllojshmërisë krijuese, veçanërisht në fushën e romanit dhe të tregimtarisë. Ndër romanet e saj më të pëlqyer, mund të përmendim: “Dreri i trotuareve”, “Dielli në mesnatë”, “Ëngjëj të armatosur”, “Gruaja në kafe”, “Hoteli i drunjtë” dhe “Vrasje në kryeministri”. Disa nga romanet e saj sot janë përkthyer e botuar në disa vende të botës si në Itali, Francë, Maqedoni, Kanada, Kinë dhe Egjipt.
Diana Çuli është dhe autore dramash e skenarësh për filma artistikë, të realizuar, bazuar në veprat e saj letrare si “Hije që mbeten pas” dhe “Rrethi i kujtesës”. Ajo njihet edhe si shqipëruese cilësore, e cila, me origjinalitetin e saj na ka sjellë në gjuhën shqipe, nga anglishtja, frëngjishtja dhe italishtja disa maja dhe vepra të letërsisë botërore si romanin “Neveria”, të nobelistit Jean-Paul Sartre, “Të pandarat”, nga Simone de Beauvoir, romanin “Flaka misterioze e mbretëreshës Loana nga Umberto Eco etj.. Është krijimtaria e saj cilësore shumëplanëshe, që i ka dhuruar asaj disa çmime të akorduara brenda dhe jashtë vendit. Më poshtë po përmendim disa prej tyre: Çmimi i parë i Jurisë Mesdhetare, për Letërsinë Femërore në Marsejë, 1996. Çmimi, Shkrimtarja më e mirë e vitit, nga shoqata e Botuesve Shqiptarë, 2007. Çmimi i Akademisë KULT, për romanin më të mirë të vitit “Vrasje në Kryeministri”, 2019. Çmimi i Panairit të Librit të Ulqinit, 2021. Çmimi Përkthyesja më e mirë e vitit, nga shoqata e Botuesve Shqiptarë, 2017. Çmimi, Përkthyesja më e mirë e vitit, çmimi i Ambasadës Franceze për përkthimin e një vepre të shkrimtares Simone de Beauvoir, 2023. Libri i saj i fundit, “I panjohuri”, një vëllim me tregime, mori çmimin Koleksion në Panairin e Kamzës, 2024.
Me librin e saj të ri me tregime, me titullin “I panjohuri”, shkrimtarja Diana Çuli rikthehet edhe një herë fuqishëm në dashurinë e saj të parë krijuese, siç është tregimtaria. Pena e Diana Çulit, shkruhet në kopertinën e këtij libri, këtë herë ka lënë derën e saj të rëndë të romanit, për të trokitur në magjinë e parë të krijimtarisë së saj, me të cilin ajo nisi udhëtimin e gjatë mbi qilimin e blertë të krijimtarisë. Sapo nis ta shfletosh këtë libër, në mendje të nguliten disa veçori të papërsëritshme. Së pari, të bie në sy stili i saj telegrafik, gjuha poetike, që mban brenda 7 ngjyrat e ylberit, vitaliteti i shpirtit të paepur të karaktereve, humanizmi dhe dashuria njerëzore, vendosmëria për t’u përballur me vuajtjet dhe vështirësitë dhe guximi për të këputur prangat e dhunës, skllavërisë përbuzjes dhe paragjykimit. Protagonistët e këtyre tregimeve përjetojnë çaste gëzimi dhe trishtimi, dyzimi dhe kthjellimi. Në shpirtin e tyre prek si me dorë shpirtra vajzash dhe grash të lënduara, të fyera, por jo të gjunjëzuara. Tregimet e këtij libri trajtojnë histori marrëdhëniesh, që brehen nga konfliktet dhe xhelozia, nga paragjykimet dhe egoizmi, nga dhuna dhe pabarazia. Kjo tregimtari është, herë refleksion i mjedisit dhe realitetit të kohës dhe herë produkt i fantazisë krijuese të narratores Diana Çuli, e cila, me intuitën e saj krijuese, përmes artit të fjalës, ka ditur të na sjellë një realitet të ri dhe karaktere që trokasin fuqishëm në potën e së ardhmes. Gjuha poetike, peizazhi i ngrohtë, situatat e papritura dhe personazhet pa emra, i japin tregimtarisë së Diana Çulit karakter universal dhe misterioz.
Është kjo arsyeja që këto tregime lexohen me një frymë. Për t’i analizuar më mirë këto veçori të papërsëritshme, po ndalemi konkretisht tek disa nga tregimet më të mira të këtij vëllimi.
Në qendër të këtij tregimi qëndron historia e lidhjes së një çifti studentësh plot dashuri dhe dilema. Ja, ç’i rrëfen Arzuja, studentja nga Turqia, narratores së këtij tregimi: “Dashuroj një djalë. Jemi lidhur që në vitin e parë të universitetit dhe kishim vendosur që pas mbarimit të shkollës, do të martoheshim. Por kushtet ekonomike i kishte të vështira”. Asaj i duhej të mbante jo vetëm veten, por edhe nënën e vëllezërit e saj të mitur. Prandaj kërkonte të gjente sa më parë një punë. Pas shumë përpjekjesh, mundi të gjente një punë, atje larg, në Trebizondë, në një universitet të Turqisë. Por, fatkeqësisht, i dashuri i saj, Mikeli, nuk pranonte të shkonte me të. E priti tërë verës, por ai nuk u bind. Koha nuk priste. Dilema ishte si thika me dy presa. Nëse do të shkonte, do të ndahej me të dashurin e saj. Po të mos shkonte, kërcënohej nga uria. Më në fund Arzuja vendosi të shkojë në Trebizondë, për të siguruar mirëqenien e familjes. Vendosi me guxim pa marrë parasysh ndarjen me Mikelin. Edhe pse narratorja e këshillon të mos nxitohej, ajo e mbështet vendimin e saj të guximshëm, gjë që e shpreh në këto fjalë, me të cilat ajo mbyll tregimin: “Ndoshta, Arzunë, këtë vajzë të guximshme, lumturia e priste, atje larg, në Trebizondë”.
Është një tjetër tregim interesant i Diana Çulit, në qendër të brendisë së të cilit vendosen marrëdhëniet mes çiftit Ariola Damiani, të dy krijues të letërsisë. Damiani, vitin e kaluar ka fituar çmimin e parë me romanin “Pasqyra e ujit”. Por, ky sukses i të dashurit të saj i kishte krijuar asaj dy ndjesi të kundërta. Nga njëra anë i kishte rritur prestigjin, ndërsa nga ana tjetër po zbehte vëmendjen e të dashurit ndaj saj. Damiani kish nisur ta quante veten autor të veprave, që e prisnin çmimet e njëpasnjëshme. Sa herë që Ariola fliste për librin e saj, Damiani ndryshonte bisedën. Ndërsa, kur ajo i kërkoi ta shihte romanin e saj me titullin kuptimplotë “Alternativa”, me të cilin dëshironte të paraqitej në konkursin e veprave më të mira të vitit, ai jo vetëm e ironizoi, por mendonte se Ariola nuk mund të shkruante vepra për të fituar çmime. Prandaj i kërkon asaj që në këtë konkurs të ri të paraqitej përsëri vepra e tij e re, sepse, vetëm librat e shkruar prej tij mund të garantonin çmime, pse jo edhe dy vjet radhazi. Kur Ariola e kupton se Damiani në vend që ta ndihmonte që ajo të dorëzonte librin e saj për konkurrim, e pengonte, shtëllunga resh metaforike nisën t’i verbonin sytë. Ndaj, kur u ulën të diskutonin në një kafene, i tha atij prerë e me guxim se kishte vendosur që këtë vit do të ishte ajo, që do të konkurronte me romanin “Alternativa”. Kur pa që dashuri i saj egoist vazhdonte të mos tërhiqej, iu drejtua me këto fjalë: “Romani ‘Alternativa’ më dha alternativën e vërtetë për të kuptuar se ç’kanë qenë katër vitet që kemi qenë bashkë”. Prej këtij momenti Ariola bllokoi të gjitha thirrjet që vinin nga telefoni i tij. Sapo ajo hodhi sytë mbi tavan, shkruan autorja, shtëllungat e purpurta të mjegullnajës ishin zhdukur. Ariola kishte fituar lirinë dhe dinjitetin e një krijueseje të pavarur nga një burrë egoist.
Është tregimi që i ngjan një poezie, e cila i këndon dashurisë. Në të tregohet historia e dashurisë që lindi mes piktorit të akuareleve Xhoni de Menzo nga dhe piktores Fiona nga Tirana. Sapo u njohën, Xhoni, edhe pse nuk kishte qenë ndonjëherë në Tiranë, mendonte se aty rrugët duhet të ishin si sytë e Fionës, ndërsa qielli si flokët e saj. I premtoi se do ta ngjiste në majën e një vullkani, ku mbretëronte një peizazh i ftohtë, me shpate mbuluar me llavë. Pasi shëtitën përmes mrekullive të natyrës, hëngrën darkë në restorantin e fshatit Giarre, që në shqip do të thotë zjarr. Pastaj i preku flokët, e puthi lehtë, ndërsa ajo i futi kokën në gjoks. Të nesërmen Fiona do të nisej për në Tiranë. Xhoni e ndoqi pas derisa u zhduk pas kthesës. Më vonë ai do të pikturonte muralen në qytetin e tij. Ishte një akuarel i stërmadh shumëngjyrësh. Në atë akuarel ishte përjetësuar dashuria e zjarrtë mes dy piktorëve, që u dashuruan duke pikturuar. Në këto çaste Xhoni nis të meditojë: “Ah sikur të më kishte thënë, eja tani me mua, do ta kisha ndjekur pas tërë jetën…”. Kjo dashuri magjike mbeti e përjetshme në atë akuarel, i cili mbante brenda edhe tingujt e një hiti të rrallë.
Është tregimi më interesant i këtij libri, me titullin e të cilit Diana Çuli pagëzon gjithë vëllimin. Intriga e këtij tregimi nis me pyetjen enigmatike që i panjohuri i shkruan gazetares Mira Neza në inbox: “Ku mund t’ju takoj?!” dhe më pas i sqaron, se kush ishte organizata ICMA, se ajo merrej me pastrimin e parave të disa politikanëve dhe mbulimin e evazionit fiskal të disa sipërmarrësve të mëdhenj. I panjohuri misterioz ishte Ervin Martini, i cili për ta joshur gazetaren, i deklaronte se ishte dashuruar marrëzisht me të. Ai i tregon asaj se dinte gjithçka për këtë organizatë dhe se kishte me vete edhe çelësat e zyrave të saj. Prandaj e ftoi të hynin me guxim në ato zyra të frikshme. Sapo hynë, një zë enigmatik i thirri të panjohurit me emër. Në këto çaste, me vrapin e një të çmenduri, të dy, e mbajtën frymën tek një lokal, afër liqenit. E vetmja pyetje që gazetarja i bëri të panjohurit në këtë çast tronditës, ishte: – Pse e bëre gjithë këtë!? Në këtë çast Ervin Martini humbi sikur të mos kishte ekzistuar. Gazetarja nuk mundi të merrte asnjë të dhënë ndaj artikulli nuk u shkrua kurrë. Enigmat e Mirës vazhdonin të bëheshin edhe më të thella. Atë e mundonin pyetjet retorike: “Mos kishte qenë grackë djallëzore dhe ai ishte pjesë e saj?! Mos e kishte zhdukur ICMA-ja?! Ndoshta qëllimi i saj i jetës tani do të ishte gjetja e Ervin Martinit. Kështu përfundon ky tregim telegrafiko-enigmatik, që të bën ta lexosh me një frymë, duke të futur në meditime të thella.
Është një tjetër tregim interesant, nëpërmjet të cilit autorja tregon historinë e trishtë të disa vajzave shqiptare që u larguan nga familjet e tyre pa adresë, në emër të një jete më të mirë, por që me kohë humbën në vështirësitë e integrimit në shoqëri të tjera, të huaja e jo gjithnjë mikpritëse. Ky tregim është shkruar në formën e një letre mallëngjyese, që nëna i shkruan vajzës së saj të humbur ditën që ajo ka mbushur 40 vjeçe. Ja ç’i shkruan ajo, plot dhimbje dhe mall: “Sot ti je më tepër se kaq. Dëshiroj, që shpirti yt të jetë më i qetë. Kudo që të jesh, edhe atje përtej detit, unë vazhdoj të zgjohem çdo natë me një sëmbim në zemër. Të kërkoj kudo, por nuk të gjej askund”. Shpesh nënën e hante meraku, se, ndoshta ajo i kishte lënduar shpirtin. Ndaj ajo nuk e kishte falur. Nëna i kujton të bijës edhe merakun e babait, i cili, edhe andej nga nëndheu e priste krahëhapur të kthehej një ditë. Edhe pse ajo kishte vite që s’bëhej e gjallë, nëna çdo natë i mbante sytë nga porta. Prandaj, e porosit atë, sikur të jetë gjallë, se, brenda atij zarfi, bashkë me letrën, do të gjente edhe nënën e saj. Me këtë shprehje, ndoshta ajo do t’i kujtonte, sepse shpirti i nënës është më i gjerë se bota, më i ngrohtë se rrezet e diellit, më i bardhë se bora dhe më i bukur se ëndrra.
PARISI, QYTETI QË NUK EKZISTONTE
Është një tregim, që tingëllon si një këngë e bukur, që prek ndjeshmëritë e jetës bashkëshortore dhe dashurisë së familjes. Në qendër të tregimit vendoset një grua, e cila, edhe pse nuk ka një emër, në aspektin e besnikërisë bashkëshortore i ngjan Andromakës. Tregimi nis me një joshje iluzore që i bëhet kësaj gruaje nga ish-i njohuri i saj në medien “Muzgu”, Ardit Xhumari. Rastësia bën që ata të ritakohen përsëri, pas shumë vitesh, në varrezat e Parisit. Me ftesë të Arditit ata shkojnë bashkë në teatër, panaire librash, takime shkrimtarësh dhe në fund në një tavernë magjike, ku rikujtuan çaste nga njohja e parë. Magjia e kujtimeve u ndez, kur ai iu drejtua asaj me fjalët: “Ne të dy kemi lindur për njeri-tjetrin. Prandaj, mos u kthe në Tiranë!”. Në këtë çast, ajo ndjeu një joshje magjike. Prandaj pyeti veten: “Ç’po ndodh me mua kështu!?”. Ndërsa, kur ajo u nis për në Tiranë, ai nuk e përqafoi, por i preku lehtë një fije floku që i binte mbi ballë. Tek largohej, trupi i tij po zhdukej pas muresh. Ndërsa ajo, kur pa djalin e saj mbi supet e babait të tij, u mrekullua. Në këto çaste iu duk, se bota kishte heshtur. Për të nuk ekzistonte gjë tjetër veç fytyrës së qeshur të djalit mbi supet e të atit. Ishte koha kur dashuria e vërtetë kishte triumfuar mbi joshjet e rastit. Kishte shpëtuar familja, e mbi të gjitha, djali nga zvarritja e dhunshme rrugëve të Parisit, ku ndoshta do të ishte detyruar t’i thërriste “baba” një burri tjetër. Ja pse tani për të, Parisi i ngjante një qytet, që nuk ekzistonte.
Është një tjetër tregim interesant, me këtë titull romantik. Ngjarjet e tij ndodhin në qytetin e vogël të Përmetit, mes një gruaje që vinte nga Athina dhe Dritan Mezinit, një mësuesi, që halli e kishte dërguar në këtë qytet të largët. Ai e ndihmon për ta strehuar në një hotel të qytetit, ajo e fton në një kafene për ta falënderuar. Atje i rrëfyen njëri-tjetrit hallet e tyre. Gruaja i tregoi Dritanit se pas shumë vitesh kishte braktisur Athinën, martesën, shtëpinë, kompaninë e reklamave, ku kishte punuar si drejtoreshë, prindërit, vëllezërit dhe tashmë ishte kthyer me fëmijën përdore, në qytetin e saj të lindjes, ku nuk njihte më asnjë njeri. Dhe këtë e kishte bërë, sepse nuk e duronte dot dhunën dhe përbuzjen. I pëlqente liria në vendin e saj. Ndërsa, Dritani i tregon asaj, se në kohën kur ishte yll në ngjitje, diçka e keqe e kishte rrëzuar. Kishte humbur shtëpinë, paratë, gruan, djalin, miqtë dhe punën si pedagog në një Universitet të Tiranës. Prandaj, tashmë, i dëshpëruar e pa shpresë, kishte kërkuar të largohej nga Tirana për në qytetin e Përmetit, ku kish nisur të përjetonte qetësinë dhe bukuritë e rralla të tij. Dhe gjithë këto të këqija kishin ndodhur sepse ai kishte humbur gjithçka në kumar. Të dy kishin pasur një fat të keq, por jeta duhet jetuar. Një shkëndijë dashurie mes tyre do të rilindnin shpresat për një jetë të lumtur. Në ato çaste tregon autorja, ajo iu afrua Dritanit dhe e puthi, ndërsa ai e përqafoi, sikur të prekte një mëndash…
Është një tregim sarkastik, që fshikullon ashpër një dukuri tepër negative të kohës, siç është ajo e videove erotike që përdoren nga burra mafiozë ose të pamoralshëm ndaj vajzave dhe grave për qëllimet e tyre. Ky tregim nis me bujën që bëri një video erotike, ku shfaqeshin të kapërthyer një gazetare me probleme të brendshme me një politikan të shthurur dhe mafioz. Por, në çastin kur gazetarja përjetonte ankthin e turpit dhe të vështirësive ekonomike, politikani shfaqej si gjel, duke diskutuar në parlament. Kur, ajo i telefonon atij për të marrë vesh se kush e kishte filmuar dhe publikuar videon, ai i kishte bllokuar të gjitha thirrjet hyrëse. Por shpejt Gertiana mori vesh se të gjitha i kishte bërë deputeti, me qëllim për ta shantazhuar, nëse ajo do të guxonte ta shpallte lidhjen e tyre. Brendia e këtij tregimi është një akuzë e fuqishme sarkastike, jo vetëm për kundër njerëzve të tillë, por edhe kundër atyre njerëzve çdo mashkulli, që përdorin videot erotike si armë poshtëruese për të gjunjëzuar ato gra që u rrezikojnë karrierën.
Është tregimi, me të cilin Diana Çuli mbyll këtë vëllim. Në këtë tregim ndërthuren bukur dy linja. Ajo e Floriana Bregut, që luftonte për rritjen e personalitetit të saj dhe ajo e pedagoges dhe skenaristes amerikane të Hollivudit, Nensi Livingsonit. Të dyja jetonin te Kodra e Ullirit, vend që lakmohej nga pasanikët e Tiranës. Por, një ditë Nensi i tregon Florianës, se dikush e përgjonte, i fuste tym poshtë derës dhe e fotografonte nga ballkoni. Më poshtë, ajo tregon, se në shtëpinë e gruas që i jep anglisht, hynin e dilnin zyrtarë të lartë. I shoqi i kësaj gruaje ishte një burrë i zymtë, aq sa edhe gruan e tij nuk e përshëndeste… Mbi bazën e kësaj ngjarjeje skenaristja amerikane krijon trillin e këtij skenari. Në qendër të tij, ajo vë një familje shqiptare, që jetonte në luks, por e degraduar. Djali i saj 20-vjeçar kërkon të marrë frenat e biznesit të babait. Ndërsa vajza, e droguar largohet nga shtëpia. Gruaja nga dëshpërimi dashurohet me ortakun e burrit. Kurse gruaja, për ta detyruar që të mos e divorconte, e kërcënonte me videot korruptive të tij. Intriga narrative e tregimit është pyetja: Kush e kishte tronditur kaq shumë skenaristen Nensi?! Ajo zbulohet vetëm në momentin, kur pedagogia nga amerikane tregon, se skenarin ia kishte treguar gruas së bosit. Ndërsa ajo, ia kishte tundur burrit të saj para fytyrës, për ta kërcënuar. Ndaj bosi i drogës, kishte futur njerëz për ta detyruar skenaristen të largohej nga Shqipëria. Kulmin e rrjedhës së ngjarjeve të tregimit e shënon shpërthimi i tritolit. Nensi largohet për në Amerikë. Ndërsa skenarin ia la Florianës për ta bërë film, e cila i telefonoi menjëherë ish të dashurit të saj Olsit, ku e ftonte të bënin filmin së bashku, por me një kusht që emri i saj të ishte i pari. Floriana, që dje nënvlerësohej nga të dashurit e saj, tashmë kërkon me këmbëngulje protagonizmin e nëpërkëmbur. Një thriller shumë interesant, me detaje e ngjarje që të kujtojnë shpesh edhe realitetin tonë.
DIANA ÇULI është një vlerë në LETËRSINË SHQIPTARE dhe SEJDO HARKA i ka vendosur pikat mbi i. Si lexues,si DIANËS ashtu dhe SEJDO HARKËS, u uroj:Krijimtari të mbarë!