"Epidamni i trashëgimisë e artit": Zhvillohet nata kulturore si aktivitet i parë artistik brenda Hamamit të restauruar të Durrësit

24 Qershor 2025, 14:50Kulturë TEMA
"Epidamni i trashëgimisë e artit": Zhvillohet nata kulturore

Hamami i periudhës osmane, është Monument Kulture, Kategoria I dhe një atraksion i ri turistik në qytetin e Durrësit.

Për herë të parë, brenda hapësirës së këtij Hamami u zhvillua mbrëmjen e djeshme aktiviteti, nata kulturore “Epidamni i Trashëgimisë dhe Artit”.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako tha se “Hamami historik i Durrësit ka hapur dyert për qytetarët dhe vizitorët dhe kjo ishte veprimtaria e parë artistike brenda monumentit pas restaurimit”.

“Artistët, muzikantët, aktorët dhe artizanët rikrijuan atmosferën osmane dhe treguan se si trashëgimia frymëzon krijimtarinë bashkëkohore. Të pranishmit ndoqën në këtë event Sheshin e Zanateve me mjeshtër qeramike, Tregimet e Halilit, udhëtim me humor e histori nga kronikat osmane të Evliya Çelebi, Intermezzo me violonçel, Performanca “Ekuilibër” dhe Projeksione AI – imazhe të Durrësit të vjetër në fasadën monumentale të Hamamit”, tha Sako.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja midis së Shkuarës dhe të Tashmes”, i zbatuar nga Durrësi Aktiv në bashkëpunim me MuZEH Lab, në kuadër të programit “EU4Culture”, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shkruan atsh.

Hamami ka rihapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj, pas një restaurimi të plotë me fond prej 32 milionë lekësh të dhëna nga programi i Bashkimit Evropian për Kulturën (EU4Culture).

Godina i përket shekullit të 18-të dhe është një nga 10 hamamet që i kanë rezistuar kohës në Shqipëri. Ky hamam hapet për herë të parë për publikun pasi më parë nuk ka qenë i aksesueshëm për shkak të amortizimit.

Lini një Përgjigje