Eqrem Çabej: Pse bota na quan Albania?/ Origjina e emrit Shqipëri...

30 Gusht 2025, 16:43Kulturë TEMA
Eqrem Çabej: Pse bota na quan Albania?/ Origjina e emrit Shqipëri...

Duke u nisur nga faktet, vihet re pikësëpari që vërtet në Shqipëri vetë si emër nacional i popullit zotëron sot gjithkund shqiptar, e si emër i vendit Shqipëri, Shqipni, po që m‘anë tjetër në kolonitë shqiptare që gjinden n‘Itali e në Greqi ky emër nuk njihet.

Shqiptarët e Italisë jugore e të Siqelisë, pasardhës të shpërngulurish prej Shqipërie kryesisht gjatë luftërave të para me turqit nën flamurin e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) në shekullin e XV e të XVI, e quajnë veten e vet dhe përgjithësisht popullin e atdheut të tyre të vjetër arbëresh, dhe këtë atdhe Arbër, Arbëri.

Këto të dhëna tregojnë qartë që emri i sotëm shqiptar, Shqipëri, Shqipni, në kohë të Skënderbeut ende nuk kishte dalë, ose të pakën nuk ish përgjithësuar, e që ky gjithsesi është më i ri se emri i parë. Kjo do të thotë që emri i vjetër nacional i vendit e i popullit ka qenë arbën, arbër, arbëresh, arbëresh. E meqë ky emër, sikundër shihet me vështrimin e parë, është identik me Albania, Albanese etj. që u përmendën më sipër, nga gjithë këto rezulton që shqiptarët në mesjetë e kanë quajtur veten e tyre ashtu si quhen edhe sot te popujt e tjerë.

Kjo pamje etnografike gjen vërtetimin e plotësimin e saj më një anë me disa të dhëna – të vjetra e më të reja – prej Shqipërie, më anë tjetër me dëshminë e gjuhëve të popujve fqinj me shqiptarët, e m‘anë tjetër me emrat e Shqipërisë e të shqiptarëve në burimet e ndryshme europiane të mesjetës.

Sikundër është vënë re që nga gjysma e shekullit të kaluar, emri i vjetër i vendit, përveç se në kolonitë shqiptare, që sapo u zunë ngoje, është ruajtur edhe vetë në Shqipëri. Një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së mesme ç‘merr prej Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës, pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën, dhe mal e arbën përdoret atje për “male e fusha”.

Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, me trajta të ndryshme (arbën arbër, arbënesh arbëresh, arbnuer arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni ose nga anëtari i ndonjë tjetre popullsi ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës erdhi e u mbulua nga emri i ri shqiptar, Shqipëri, po ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.

Që ai ka qenë në përdorim me përmasa nacionale, në mbarë territorin gjuhësor të shqipes, këtë e vërtetojnë ndër të tjera edhe vargje popullore si Dalin zojat arbëneshe të anëve të Kosovës. M‘anë tjetër burimet historike të vendit e plotësojnë këtë pamje edhe për të kaluarën. Në monumentet letrare të shqipes së vjetër, të cilat rrjedhin nga shekulli i XVI e i XVII, vendi del rregullisht me emrin Arbënë , populli me arbënesh, arbëruer, dhe gjuha e tij me arbënisht.

Arbananu quhet ai dhe në bullgarishten popullore, arbanas në rumanishten e vjetër, dhe tek aromunët e Shqipërisë e të Maqedonisë arbines, arbinesi, të gjitha reflekse të shqipes arbënesh e të varianteve të saj. Duke u ngjitur te burimet historike të mesjetës, në dokumentet e shkruara latinisht të vendeve perëndimore të kohës para dinastisë së Anjouve, të cilët patën marrëdhënie politike me disa treva të Shqipërisë, shqiptarët quhen arbanenses, e më vonë albanenses, dhe vendi i tyre Albania, ashtu si edhe sot.

Duke i shikuar këto dëshmi, të brendshme edhe të jashtme, me një vështrim përmbledhës, rezulton se emri nacional i hershëm i popullit shqiptar e i vendit të tij është arbën arbër me variacionet e tij, dhe se ky ka mbizotëruar në Shqipëri gjer në shekujt e parë të sundimit osman.

Ky emër rrënjët ndërkaq i ka që në kohën antike.

Prej këtij emri rrjedh rregullisht Arbën Arbër i shqipes, një dëshmi, ndër të tjera, që shqiptarët janë anas, autoktonë në vendbanimet e sotme dhe që aty ka një vazhdimësi, një kontinuitet gjuhe të pakën që prej antikitetit.

Nga Arbën, si u tha, ka dalë në analizë të fundit emri i Shqipërisë e i shqiptarëve te popujt e Gadishullit Ballkanik e të pjesëve të tjera të Europës. Historikisht ky emër, mbi dëshminë e përbashkët të Ptolemeut, të burimeve mesjetare të vendeve të ndryshme dhe të përhapjes së sotme popullore në Shqipëri, në krye të herës pas gjithë gjasësh i ka përkitur një treve e një popullsie të Shqipërisë së mesme; ai u përgjithësua pastaj si emër nacional në mbarë vendin që në kohën para Skënderbeut.

Përsa i përket emrit shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky si emër populli e vendi, si rezulton nga sa u shtjellua më sipër, zuri vend gjatë kohës së sundimit turk, pas shpërnguljes shqiptare për në Greqi e n‘Itali. Përhapja e tij si emër nacional dhe zhdukja e emrit të vjetër si i tillë, ka lidhje pas gjase me lëvizjet etnike e sociale të popullit gjatë mesjetës dhe kohës së parë turke, me shtegtime të brendshme, me formime fisesh të reja në ato perioda historike, veçse shtysat konkrete për një zëvendësim të tillë nuk mund të ndiqen.

Në lidhje më në fund me burimin e dy emravet arbën edhe shqip, do pasur parasysh se shumë emra të popujve, të vjetra e më të reja, që njihen nga historia, mbeten me domethënie e burim të paditur.

Një kusht paraprak i domosdoshëm në këtë fushë kërkimesh është konstatimi i formës së kryehershme të emrit përkatës. Në lidhje me këtë, për emrin e vjetër nacional të shqiptarëve mund të thuhet me siguri që nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike që u zunë ngoje më sipër.

Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri Shqipni, prej nga ka dalë edhe folja shqipëroj, shqipëlloj “spiegoj, sqaroj” e gjuhës popullore, ky emër mbetet me gurrë të dyshimtë.

Mendime që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij shpendi, qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje m‘anë tjetër këtë emërtim me fjalët e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin “shqiponjë”, nuk duket t‘i rezistojë kritikës, po të nisemi nga trajtat e këtyre dy emrave.

Të dyshimta mbeten dhe interpretimet e tjera të këtij emri, ai si “banor shkrepash, malesh” dhe ai si “pushkatar” prej greqishtes së re skippetto(n) “pushkë” (kjo prej italishtes schioppetto), një fjalë që dëshmohet për greqishten sëpari me shekullin e XVI-XVII. I pabesueshëm mbetet mënëfund edhe spiegimi i fjalës shqip nga latinishtja excipio; fjala latine nuk do të thotë: “kuptoj”, si kanë thënë, po “marr; vë më njanë; përjashtoj; pranoj”. Kështu, duke përfunduar, puna e burimit të fjalës shqip mbetet një çështje e hapët.

*Botuar në revistën “Shqipëria e re”, 1972

 

6 Komente

  1. l
    lexuesi

    Fjala “pushkë” perdoret ne gjuhet sllave, qe perafersisht do te thot tymuese. Kjo fjale me siguri daton nga koha para se te shpiket baroti pa tym. Pra ka nevoje te gjendet nje fjale shqipe per “pushkën”.

    Përgjigjjuni
    1. M
      MURAT BENCA

      ARBER ,ARBERESH ,,,PER ORTHODHOKSET E BESIMIT GREKO BIZANTIN,,, SHQIP SHQIPTAR ,,,PER MYSLYMANET E BESIMIT TURK ,,,

      Përgjigjjuni
      1. T
        Tirane

        Shqiotaret kurr nuk kane pas besim burimor ortodoks te ashtuquajtur "greko" bizantin. Shqiotaret kane qene te besimit te krishter romak e bizantin. Te tjerat te me vonshmet, qe llomotit ti jane shpikje te mevonshme me qellime antishqiotare.

        Përgjigjjuni
      2. G
        Gjergj Fishta I riu

        Ky vend quhej ILIRI. Pas lodhjes nga Latinet vijme ne dy emra: Dardani dhe Albani. Dardani vjene nga Arma qe perdoren ILIRET per tu mbrojtur nga LATINET. Arma quhej DARDË. Nje shtize e gjate druri 3,5 m dhe ne maje preresja metalike njelloi si e shtizave te vogla qe u rinovuan me vone dhe u realizuan me hedhje me HARK. Darda ishte arma parashtizes dhe lufta bahej trup me trup ose gati sikur luhet sot loja amerikane e henbollit. Pra DARDË-DARDAN-DARDANI. deri sa u çfaq shtiza hedhse me hark dardanet ishin fitimtar ne betejat me latinet // Emri ALBANI asht rrjedhje nga ilirishtja pasi pjesa lart e ILIRIS e mori DARDANI pjesa posht e nderroi dhe duhet te shqiptohet si anglishtja; ELLBËNIA dhe do te thote ndriçuesja ne zhargonin ILIR// Emri ARBERI u vendos pas ardhjes se kryqezates Franceze te Charlit te pare te Frances me 1272. Ka qene popull i Korsikes i cili mbipopulloj me force dhe u perzje me popullin autokton Dardano-Ëllbanian. Emrin ja vune ARBERI qe do te thote PYLLËRI ose shteti i PYLLIT. Keshtu e shkruajten ata te kryqezates dhe nuk i degdisi kush autoktonet. çudi se kjo koloni e Korsikes ne doke e zakone u gjete afersisht e perputhur me popullin e jugut, kurse shume pake ne gjuhe me gegerine(veriun). Ndaj dhe ne u pushtuam dhe transformuam nga kjo koloni (popull i ardhur). Emri Shqëpëri erdhi dhe u ngjite ne kohen e turkut. Ne fillim turku ne Ballkan futi eshkaxhit( prodhuesit e eshkes) ne pyjet shqiptare te shqëpës(shqopes) nga Permeti, Skrapari, Tepelena e deri ne shqiperine e mesme ku rritej SHQËPA. Turqia kishte nevoje per eshken e cila perdorej ne perpunimin e hekurit dhe si energji per ngrohje ne Turqi(otomani). Ata eshkaxhit u bane te famshem dhe i dhane zhvillimin Turqise otomane, sa qe dhe Naim Frasheri ju kushtoi Poemen e tij. Ti Shqëpëri me jep nder/ Me jep emrin SHQËPËTAR/ Ti zemren na e ngrohe/ Duke na ndezur zjarr// Dy vargjet e fundit perkthyesit shqiptar i kane rregulluar:/ Ti zemren ma gatove/ Me deshire e me Zjarr/. Edhe Familja Frasheri(!) se ka marre emrin e fshatit per mbiemer, jane me origjine PERSE. Dhe Familja Frasheri(!) jo vetem na la Emrin SHQËPËRI(pylltar eshkaxhi) por prapsoi dhe reformat ne jugun e Shqiperise qe nisen nga vete porta e larte me 1854 (toka t'i njihej atij qe e punon). Tani del Pellumb Pilinçi dhe duke dashur te perfaqsoje te djathten larteson Frasherlit dhe kerkone te Ridenoje njelloj si komunizmi familjet autoktone shqiptare TOPTAN e VERLAC. Emri KOSOVA qe ne shqiptaret i kemi thene para drejtshkrimit, KUSOVA nuk do ju atregoje kete radhe. Ashte nje fjali ne ato iniciale. Asht britme e dhimbeshme dhe diskretiton perrallat e serbeve me nje lloi zogu. Ate do te ju a jap kur te ju paraqes deshifrimin ISCANDERBEG. Diçka qe te mrekullon. Qe e çvesh nga mitikja dhe e bene dhe shume here me madheshtor se sa perrallat genjeshtare te deritanishme qe kane thurur brezat per Kryheroin. Qe pergenjeshtron dhe Bardhin se ishte Venedikas. Ai me ate LOGO tejet te kuptueshme tregon se asht shqipetar dhe nuk ka luftuar per fe. Zoti Mero nuk mi pranon gjithmon komentet, ne disa me ve bllokkim si tek shkrimi i Plasarit ketu ne gazeten Tema qe kerkon dokumenta. Ai ISCANDERBEG dokumentat na i ka lene por zoti Aurel Plasari nuk zoteron gjuhen shqipe.

        Përgjigjjuni
        1. A
          Asdrena

          T'lasht e s'i makth. Ç'i shtoi - si leshin u vola u tora u vesh. E s'bzainë. Enden e ; përse - më enden. Po, ende. E ç'i veshim? Shtiren. I shtini. Nuk u shtien! Shtirëmë - n'është. N'asht!

          Përgjigjjuni
          1. S
            Stara

            A n'i lenë, s'u rreshtën - miningjet. Arbn. Armn. Arvaniolë. Armaniotë. Shqep ullinë! E mbolla. Ar(!). T'a mbi! Arën më panë. Arën ç'e bënë. As q'i vanë. As q'i arëmë. Ai leu e as s'i bën eshtër. U plak? U mpleken! E rron? Ç'plagë. A morren? E Serembe? S'di ç'qe! A t'u pieken mushëtë? Jeronim - A barka s'i rremet - ca valë! U çelin sytë. Ç'i faqen, m'i çorri? Der diesh!? Themi, si tok - a fillikatë - me ne. N'eshtër! Si më rinoi? E, rro! S'm'i rinoi!

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje