Sipari i edicionit të 70-të të Eurovision Song Contest u ngrit zyrtarisht mbrëmjen e së martës në kryeqytetin austriak, ndërsa, Shqipëria pritet të ngjitet në skenë në gjysmëfinalen e dytë, më 14 maj.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, pjesë e delegacionit shqiptar në Vjenë, në mbështetje të këngëtarit përfaqësues të Shqipërisë, Rajmonda Bulku tha se sot pritet të zhvillohet prova e madhe.
“T’ju them të drejtën, të jesh këtu është vetëm punë. Punë, punë edhe herë pas here lodhje, por një lodhje për një qëllim të caktuar dhe të bukur të bukur si artistik, ashtu edhe moral, sepse je në një konkurrim ku ke dëshirë si artist të përfaqësosh vendin tënd dhe ta nderosh këtë gjë dhe këtë emërtim. Alisi ka një lodhje shumë të madhe me të gjitha performancat e tjera që bën jashtë skenës këtyre ditëve.
Sot pritet të bëjmë provën e madhe, që është shumë domethënëse për ne. Unë kam besim te i gjithë grupi ynë. Këngën e Alisit e këndojnë edhe të huajt dhe kjo na bën përshtypje sa e kapshme është; ka melodi, ka emocion dhe kjo na ngroh për të thënë që do të jetë një konkurrim serioz dhe me dinjitet, me një artist të mrekullueshëm siç është Alisi”, u shpreh Bulku.
Ajo vlerësoi artisti shqiptar, Alis ku përveçse një artist me shumë emocione është mësuar edhe me skenën dhe emocionet e konkurrimeve.
“Alisi është një artist me shumë emocione dhe mua kjo më pëlqen shumë. Alisi është mësuar me skena, sepse në fund të fundit, që i vogël ka konkuruar, ka fituar dhe ka performuar në Radio Televizionin Shqiptar, që është një skenë shumë dinjitoze për ne. Pra, jam munduar t’i them që je mësuar me skenën, por emocionet e një skene të madhe janë absolutisht të pakrahasueshme”, tha ajo.
Këngëtari Alis Kallaci do të prezantojë këngën “Nan”, të enjten më 14 maj në Gjysmëfinalen e dytë, një performancë që përcjell një mesazh të fuqishëm mbi rolin e nënës në familjen shqiptare, përmes një kombinimi të ndjeshëm mes tekstit dhe motivit muzikor.
Finalja e madhe e Eurovision 2026 do të mbahet më 16 maj dhe do të transmetohet ekskluzivisht në RTSH 1, RTSH Muzik dhe Radio Tirana 1.
Si ta mbështesim Shqipërinë.
Rregullat e Eurovision nuk lejojnë votimin nga brenda territorit të vendit përfaqësues, çka e bën diasporën faktorin kryesor për kualifikim.
Për ata që ndodhen në shtetet pjesëmarrëse (gjysmëfinalja e dytë)
Nëse ndodhesh në një nga shtetet pjesëmarrëse në natën e dytë të gjysmë finales, me 14 maj, voto me kodin 13 me numrin përkatës të vendit ku ndodhesh gjatë kohës që hapet televotimi.
Për ata që ndodhen në shtetet jo pjesëmarrëse
Nëse ndodheni në një vend që nuk merr pjesë në këtë edicion të festivalit, sërish mund ta jepni kontributin tuaj. Organizatorët kanë vënë në dispozicion platformën zyrtare esc.vote, ku mund të votoni online lehtësisht. A.K./TemA
Tani që vajte t'i Rajmonda pa tjetër do zëmë vënd të mirë