Ekziston një lloj kinemaje që kërkon të të impresionojë, joshë, ose të paktnë të të argëtojë vazhdimisht, por filmi “Një filxhan kafe me këpucë të reja veshur” i regjisorit Gentian Koçi, e refuzon qetësisht por me vendosmëri këtë.
Përkundrazi, duke e zhveshur filmin nga çdo mjet i bindjes emocionale të audiencë – ai nuk ka muzikë, ngjyra të forta apo transformime të mëdha të personazheve – Koçi na detyron të përballemi qetësisht me realitetin e filmit, që nuk duket se ndryshon shumë nga ai jetëve tona tëm përditshme. Në fakt, janë pikërisht mospërdorimi i qëllimshëm i këtyre mjeteve të bindjes emocionale dhe distancimi i regjisorit nga historia, që na ofrojnë si shikues, një histori që shpaloset gradualisht, e cila nuk kërkon dhimbsuri, por vëmendje dhe disa shikime për t’u kuptuar plotësisht.
Ngjarjet e filmit, të frymëzuara nga një histori reale, ndjekin jetët e dy vëllezërve binjakë identikë, të cilët nuk dëgjojnë dhe nuk flasin që nga lindja, ndërsa mësojnë se janë duke humbur edhe shikimin. Nuk ka asnjë kthesë të fortë dramatike përgjatë gjithë filmit, asnjë figurë shpëtimtare dhe as ndonjë luftë me fatin. Përkundrazi, si shikues ne ftohemi në një hapësirë tepër intime ku shfaqet humbja e kontrollit ndaj trupit, pamundësia për të komunikua dhe, ndërsa dy vëllezërit humbasin shikimin, edhe shpikja e një gjuhe të re që iu përket vetëm atyre, ndërsa dilema nëse jeta është e jetueshme edhe në këto rrethana, bëhet e papërballueshme.
Megjithatë, “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” nuk është një film pesimist dhe as një histori vuajtjesh dhe vdekjesh, por një histori sinqeriteti e vërtetësie. Një film, i cili në çdo kuadër tregon për ekizstencën e një kinemaje që nuk e gënjen audiencën, si edhe për disiplinën e rrallë që nevojitet për të mos gënjyer veten.
Gjatë bisedës në Apostrof Podcast, Gentian Koçi tregon me një qetësi të vendosur për rreziqet aristike që një film i tillë ka kërkuar prej tij. Ai thotë se premisa e tij – dy vëllezër me aftësi ndryshe, që përballen me humbjen e shqisave më jetike për t’u përballur me botën – mund të ishte shndërruar lehtësisht në një melodramë banale. Koçi shprehet se gjatë gjithë procesit të realizimit të filmit, ndonëse i bindur në atë që kërkonte të arrinte përmes tij, ka qenë në teh. Ai thekson gjithashtu se, zhveshja e filmit nga gjithçka e tepërt, më shumë se sa zgjedhje estetike ka qenë një zgjedhje morale.
Ndoshta aspekti më goditës i filmit është se i kërkon shikuesve të mos jenë vetëm konsumatorë pasivë të tij, por dëshmitarë. Është një film që refuzon të të argëtojë apo të ofrojë comfort dhe përmes këtij refuzimi, diçka tjetër merr jetë: një ftesë radikale për t’i ndierë dhe përjetuar gjërat me sa më shumë vërtetësi.
Në një moment gjatë bisedës, Gentian Koçi reflekton edhe për nevojën për të vlerësuar gjërat që kemi, të cilat mund t’i humbasim shumë lehtësisht. Të shohim, të dëgjojmë, të shëtisim në natyrë dhe thjesht të përjetojmë gjithçka sa më sinqerisht. Ai shprehet se, ndër të tjera, filmi synon të shërbejë edhe si kujtesë për këtë, se jeta është plot ngjyra dhe se edhe gjërat më të thjeshta, mbartin domethënie, të cilën shpesh nuk e vëmë re deri në momentin kur nuk kemi më akses në to.
Kinemaja sot është e mbingopur nga zhurmat aq sa, edhe kur pretendon të jetë e qetë dhe meditative, shpesh është duke na manipuluar por me metoda pak më të sofistikuara. Ajo çfarë e bën “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, është se beson se audienca do ta gjejë vetë rrugën përmes reflektimit, pa i dhënë shpjegime të tepërta. Është një film që nuk kërkon të pëlqehet me çdo kusht, por që tregon të vërtetën në formën e saj më të pastër.
Në peizazhin e sotëm kinematografik shqiptar dhe botëror, sinqeriteti mund të jetë një ndër aktet më radikale.
PERVOJA mbetet ooooooo