Nga Joshua Rothman - The New Yorker/
Çfarë lexon, dhe pse? Disa dekada më parë, këto nuk ishin pyetje urgjente. Leximi ishte një aktivitet i zakonshëm, në thelb i pandryshuar që nga shfaqja e industrisë moderne të botimeve në shekullin XIX. Në një artikull të rubrikës Shouts & Murmurs të vitit 2017 me titull "Para Internetit," shkrimtarja Emma Rathbone e kap frymën e leximit ashtu siç ishte dikur: "Para Internetit, mund të shtriheshe në një stol parku në Çikago duke lexuar ndonjë libër të Dean Koontz-it, dhe kjo ishte diçka krejtësisht e rregullt për të bërë dhe askush nuk do ta merrte vesh ndonjëherë që e kishe bërë, vetëm nëse u tregoje vetë."Leximi ishte thjesht lexim, dhe s'kishte rëndësi çfarë lexoje,gazetën, Prustin, The Power Broker, e bëje duke lëvizur sytë mbi një faqe, në heshtje, me ritmin tënd dhe në kohën tënde.
Sot, natyra e leximit ka ndryshuar. Plot njerëz ende gëzojnë librat dhe revistat tradicionale, madje ka edhe lexues për të cilët epoka e rrjetëzuar ka mundësuar një lloj hiperalfabetizmi; për ta, një telefon inteligjent është një bibliotekë në xhep. Por për të tjerë, ajo forma e vjetër, ideale e leximit, takime të thella, të zgjatura, nga fillimi në fund me tekste të përpunuara me kujdes,është bërë pothuajse anakronike. Këta lexues mund të fillojnë një libër në një lexues elektronik dhe ta vazhdojnë gjatë rrugës përmes narracionit audio. Ose mund të heqin dorë krejt nga librat, duke kaluar mbrëmjet duke lundruar në Apple News dhe Substack përpara se të fundosen në lumin e ngadaltë të Reddit. Ka diçka të shpërndarë, por njëkohësisht të përqendruar në leximin e sotëm; përfshin shumë fjalë të rastësishme që rrëshqasin në një ekran, ndërkohë që prania e vazhdueshme e YouTube, Fortnite, Netflix e të ngjashmeve siguron që, sapo të fillojmë të lexojmë, duhet të zgjedhim vazhdimisht të mos ndalojmë.
Ky ndryshim ka marrë dekada për t'u formësuar dhe është nxitur nga teknologji që janë përvetësuar në mënyrë të tepruar nga të rinjtë. Ndoshta për këto arsye, rëndësia e tij është errësuar. Në vitin 2023, Fondacioni Kombëtar për Artet raportoi se, gjatë dekadës paraardhëse, përqindja e të rriturve që kishin lexuar të paktën një libër në vit kishte rënë nga 55% në 48%. Është një ndryshim goditës, por modest krahasuar me atë që ka ndodhur mes adoleshentëve: Qendra Kombëtare për Statistikat e Arsimit zbuloi se, në të njëjtën periudhë, numri i trembëdhjetëvjeçarëve që lexonin për qejf "pothuajse çdo ditë" kishte rënë nga 27% në 14%. Siç pritej, profesorët e kolegjeve po ankohen me më shumë urgjencë se zakonisht për studentë të trullosur nga telefonat që mezi arrijnë të lexojnë diçka me gjatësi ose kompleksitet substancial.
Disa nga provat për rënien e alfabetizmit janë të dobëta. Një studim i përhapur, për shembull, i gjykon nxënësit mbi aftësinë e tyre për të kuptuar hyrjen e mjegullt dhe semantikisht të ngatërruar të Bleak House; kjo është pak a shumë si të gjykosh notarët mbi aftësinë për të kaluar 47 metra melasë. Dhe ka arsye të tjera për të qenë të qetë për largimin nga librat, duke pasur parasysh se çfarë pëlqejmë realisht të lexojmë. Nëse e kalojmë kohën duke ndjekur Stranger Things në vend të leximit të Stephen King-ut, apo dëgjojmë podkaste vetëndihmuese në vend që të blejmë libra vetëndihmues, a është ky fundi i civilizimit? Në njëfarë mase, rëniet në leximin tradicional lidhen me lulëzimin e informacionit në epokën dixhitale. A duam vërtet të kthehemi në një kohë kur kishte më pak gjëra për të lexuar, për të parë, për të dëgjuar e për të mësuar?
Megjithatë, çfarëdo që të mendojmë për këto ndryshime, ato duken të destinuara për t'u përshpejtuar. Gjatë dekadave të fundit, shumë studiues e kanë parë rënien e leximit si mbylljen e "Parantezës të Gutenbergut", një periudhë historike, e nisur nga shpikja e shtypshkronjës, gjatë së cilës sundonte një ekosistem i strukturuar i botimeve të shtypura. Interneti, sipas kësaj teorie, e mbylli parantezën duke na kthyer te një mënyrë më e lirshme, e decentralizuar dhe bisedore të komunikimit. Në vend që të lexojmë libra, mund të debatojmë në komente. Disa teoricienë madje kanë propozuar që po kthehemi në një lloj kulture gojore,atë që historiani Walter Ong e përshkroi si "oralitet sekondar,"në të cilën biseda dhe shkëmbimi përmirësohen nga prania e tekstit. Rritja e podkasteve, buletineve dhe meme-ve e ka forcuar këtë pikëpamje. "The Joe Rogan Experience" mund të kuptohet si disa burra rreth një zjarri kampingu, që kalojnë njohuri përmes bisedës, si grekët e lashtë.
Por, me kalimin e kohës, hipoteza e kulturës gojore duket pothuajse naive. Mund të themi se ajo u zhvillua kryesisht gjatë "Parantezës së Zuckerberg-ut", një periudhë historike, e nisur nga shpikja e Facebook-ut, gjatë së cilës sunduan rrjetet sociale. Askush brenda kësaj paranteze nuk e imagjinonte se sa kërcënim do të paraqiste së shpejti inteligjenca artificiale për internetin e bisedave. Tashmë kemi hyrë në një botë ku njerëzit që takon online ndonjëherë nuk janë njerëz të vërtetë; përkundrazi, ata janë krijuar me IA të trajnuar me sasi të paimagjinueshme tekstesh. Është sikur librat kanë marrë jetë dhe po marrin hak duke krijuar diçka të re, një martesë midis tekstit, mendimit dhe bisedës që do të rishkruajë dobinë dhe vlerën e fjalës së shkruar.
Në janar, ekonomisti dhe blogeri Tyler Cowen shpalli se kishte filluar të "shkruante për inteligjencat artificiale." Tani ishte e arsyeshme të mendohej, sugjeroi ai, se gjithçka që botonte po "lexohej" jo vetëm nga njerëzit por edhe nga sistemet IA, dhe kishte filluar ta konsideronte këtë lloj të dytë lexuesish si të rëndësishëm. "Me shumë pak përjashtime, edhe mendimtarët dhe shkrimtarët që bëhen të famshëm gjatë jetës së tyre përfundimisht harrohen," vuri në dukje Cowen. Por IA-të mund të mos harrojnë; në fakt, nëse i ushqen me mjaft tekst nga vetja, ato mund të nxjerrin prej tij "një model se si mendon ti," me të cilin lexuesit e së ardhmes mund të ndërveprojnë. "Pasardhësit e tu, apo ndoshta fansat e ardhshëm, nuk do të kenë nevojë të kalojnë nëpër një mori librash të pluhurosur për të kuptuar idetë e tua," shkroi Cowen. Rreth kësaj kohe, ai filloi të postonte në blogun e tij për periudha krejt të zakonshme të jetës së tij, për shembull, moshat katër deri në shtatë vjeç. Lexuesit njerëzorë mund të mos jenë të interesuar për postime të tilla, por këto shkrime mund ta bëjnë të mundur që "për IA-të e avancuara të së ardhmes të shkruajnë një biografi shumë të mirë të Tyler Cowen-it."
Cowen mund të mendojë kështu sepse modelet e mëdha gjuhësore, si ChatGPT i OpenAI-t apo Claude i Anthropic-ut, janë ndër të tjera edhe makineri leximi. Nuk është krejtësisht e saktë të thuhet se ato "lexojnë" në kuptimin njerëzor: një L.L.M. nuk mund të ndikohet emocionalisht nga ajo që lexon, sepse nuk ka ndjenja, zemra e saj nuk rreh nga tensioni. Por është gjithashtu e pamohueshme se ka aspekte të leximit në të cilat IA-të shkëlqejnë në një nivel mbinjerëzor. Gjatë trajnimit, një L.L.M. do të "lexojë" dhe "kuptojë" një sasi të paimagjinueshme teksti. Më pas, do të jetë në gjendje të rikujtojë përmbajtjen e atij teksti menjëherë (edhe pse jo gjithmonë në mënyrë të përsosur), të nxjerrë lidhje, të bëjë krahasime, të përftojë ide, të cilat mund t'i përdorë për tekste të reja, mbi të cilat nuk është trajnuar, me shpejtësi të jashtëzakonshme. Këto sisteme janë si të diplomuar kolegji që, gjatë shkollës, i kanë lexuar vërtet të gjitha librat. Dhe mund të lexojnë më shumë, nëse u jepni detyra.
Kam njohur disa njerëz që duket sikur i kanë lexuar të gjitha, dhe të mësuarit prej tyre ka qenë përvojë që të ndryshon jetën. IA-ja nuk mund t'i zëvendësojë ata, sepse në thelb është i përgjithshëm dhe i ndërtuar mbi konsensus; nuk do t'i drejtohesh ChatGPT-së si shembull për një jetë mendimi, dhe nuk do emocionohesh nga teoritë madhështore apo idetë e veçanta të Gemini-t. Por IA ka pikërisht te paanshmëria e tij fuqinë si lexues. Në podkastin "How I Write" të David Perell-it, Cowen shpjegon se, ndërsa lexon, i drejton chatbot-it pyetje për çdo gjë që nuk kupton; IA-ja nuk lodhet kurrë nga këto pyetje dhe, në përgjigje, përdor një spektër njohurish që asnjë njeri nuk mund ta aksesojë kaq shpejt. Kjo e shndërron çdo tekst në një lloj trampoline ose konspekti. Por IA-ja mund edhe të thjeshtojë: nëse po has vështirësi me hyrjen e "Bleak House", mund t'i kërkosh ta rishkruajë në një anglishte më të lehtë, më moderne. Dickens shkroi: "Gazi që shfaqet përmes mjegullës në vende të ndryshme të rrugëve, ashtu siç mund të shihet dielli që del nga arat e lagështa prej bujqve dhe djemve me parmendë." Claude ndjek një rrugë më të drejtpërdrejtë: "Dritat e gazit ndriçojnë zbehtësisht përmes mjegullës në pika të ndryshme përgjatë rrugëve, ngjashëm me mënyrën se si mund të duket dielli për bujqit që punojnë në fusha të mjegullta."
Në këtë mënyrë, lexuesit që janë të armatosur me IA mund ta gjejnë veten duke e fshirë kufirin mes burimeve origjinale dhe atyre dytësore, veçanërisht kur lexojnë materiale për të cilat besojnë se është e mundur të ndash përmbajtjen nga forma. Shumë njerëz tashmë ndihen rehat me këtë: që nga viti 2012, kompania Blinkist me qendër në Berlin, e cila e reklamonte veten si "e ardhmja e leximit", ka ofruar përmbledhje 15-minutëshe të librave të njohur joartistik, në format tekst dhe audio. (Në një "blink" që zgjat një çerek ore, mund të përvetësosh thelbin e eksplorimit të filozofisë stoike dhe budiste nga Ryan Holiday, "Stillness is the Key.") Ose merrni parasysh librat e kondensuar nga Reader's Digest, një antologji abonimi që publikonte sezonalisht vëllime me kopertina të forta që përmbanin katër ose pesë romane të shkurtuara në rreth gjysmën e gjatë së tyre origjinale. Këto libra ishin të njohur, në vitin 1987, New York Times raportoi se një milion e gjysmë lexues blinin dhjetë milionë vëllime në vit, dhe, kur isha fëmijë, prindërit e mi mbanin një raft me to në shtëpi; pa menduar shumë, kam lexuar disa trillime të "kondensuara" nga Dick Francis dhe Nora Roberts. (Seria vazhdon të botohet edhe sot, si Reader's Digest Fiction Favorites.) Nëse do të shkruaja një ese akademike për romanin "Whip Hand" të Francis-it nga viti 1979, do të isha në telashe po të mbështetesha vetëm te versioni i shkurtuar. Por nëse ajo që kërkoj është rrëfimi, ndjesia, suspense-i, ndoshta kam të drejtë të ndjehem se e kam "lexuar"librin. Me shumë gjasë, nuk do e kërkoja versionin e pashkurtuar.
Në regjimin aktual të leximit, tekstet e përmbledhura apo të ndryshuara janë përjashtimi, jo rregulli. Por gjatë dekadës së ardhshme, kjo mund të përmbyset: mund të fillojmë rregullisht me tekste alternative dhe vetëm më pas të vendosim të kërkojmë origjinalin, njësoj siç shkarkojmë mostra librash të rinj në Kindle përpara se të angazhohemi për t'i blerë. Meqë IA-ja mund të gjenerojë përmbledhje dhe versione të shkurtuara sipas kërkesës, mund edhe të kalojmë midis versioneve sipas rastit, siç mund të vendosësh të dëgjosh një podkast me shpejtësi "2x", ose të lësh një serial të mërzitshëm dhe të kalosh te Wikipedia për të mësuar fundin. Këngët shpesh vijnë me versione të ndryshme, versioni i pastër, remix-et EDM etj. Si shkrimtar, ndoshta nuk do të më pëlqejë të shoh tekstin tim të përthyhet në këtë mënyrë. Por fuqia e përthyerjes nuk do të jetë më në dorën time; do të jetë në dorën e lexuesve dhe IA-ve të tyre. Së bashku, ata do të shkrijnë kufirin midis leximit dhe redaktimit.
Është e arsyeshme të thuhet se disa lloje të shkrimit nuk duhet, apo ndoshta nuk mund, të përmblidhen. Nëse lexon një përmbledhje të romaneve napolitane të Elena Ferrantes, Lila bëri këtë, Lenù bëri atë, i bën vetes padrejtësi. Ndoshta "Gödel, Escher, Bach: Një Gërshet i Artë i Përjetshëm" nga Douglas R. Hofstadter mund të reduktohet në konceptet kryesore, dhe ndoshta një chatbot mund t'i shpjegojë më qartë se vetë Hofstadteri, por gjatësia dhe vështirësia janë pjesë e qëllimit të atij libri. Dhe padyshim, lexuesit do të vazhdojnë të vlerësojnë zërat autentikë të qenieve të tjera njerëzore. Së fundmi, kam lexuar "Fëmijëria, Rinia, Adoleshenca" të Tolstoit. Është plot me fraza gjermane, detaje të çuditshme historike dhe nuanca kulturore ruse që nuk i kuptoj. E megjithatë, më pëlqen t'i anashkaloj shënimet poshtë faqes; dua të qëndroj në rrjedhën e rrëfimit, dhe nën magjinë e Tolstoit. Përqindja e njerëzve që thjesht e duan leximin në formën e tij të vjetër mund të jetë në rënie, por nuk do të bjerë në zero, asgjëkundi pranë saj.
Megjithatë, nuk mund të mos pyes veten nëse integriteti i brendshëm i të shkruarit mund të rezultojë më pak i fuqishëm nga sa duket. Ka pasur një kohë kur ishte e vështirë të imagjinohej që këngë të tëra mund të kompozoheshin rreth, apo prej, mostrave; sot, përdorimi i mostrave nuk është më i pazakontë, dhe e perceptojmë rrjedhshmërinë e prodhimit muzikor si një veçori, jo si një problem. A është kaq e vështirë të imagjinojmë se kultura e "remix-it" mund të vijë edhe në lexim? Cila nga versionet e shumta të këngës "Blue Monday" nga New Order është ajo e vërteta? A ka rëndësi, për sa kohë që ti e do atë këngë? Po kështu, nëse unë lexoj versionin tim të "Mikesha Ime e Shkëlqyer" dhe ti lexon tëndin, a nuk jemi të dy fansa të Ferrantes? Henry James i rishikoi shumë prej romaneve të tij kur u ribotuan më vonë gjatë jetës; Taylor Swift na dha "versionet e Taylor-it". Na intereson qëllimi i autorit, identiteti dhe pronësia; ne e dimë që një shkrim është një renditje e veçantë fjalësh, e cila bëhet më pak e veçantë, dhe në shumë raste më pak e vlefshme, kur ajo riorganizohet. Por ndoshta do të na pëlqejë të bëhemi redaktorë të leximit tonë, me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Kulmi im si lexues ndodhi para se të hyja në gazetari, kur isha duke ndjekur një doktoraturë në letërsi angleze. Rreth mesit të programit tim të studimeve, duhej të përballesha me një provim të përgjithshëm, një seancë e gjatë pyetjesh nga tre profesorë. Provimi bazohej në një listë leximi, të shpërndarë një vit më parë, që përfshinte thuajse gjithë letërsinë angleze, nga "Beowulf" deri te "Beloved", dhe përfshinte vepra si "Xhoisi, Uliksi" dhe "Jeitsi, Poemat". Lexoja ditë e natë; për të vazhduar pa lodhur sytë, bleva një llambë speciale dhe një zmadhues të mbështetur. Disa vite më vonë, dhashë një provim të dytë, një provim fushor, i fokusuar në një nënfushë letrare, bazuar në një listë që duhej ta hartoja vetë. Edhe kjo listë duhej të përfaqësonte një vit të tërë leximi, dhe e imja përfshinte ndoshta rreth dy duzina romanesh dhe një sasi të pafund kritikash letrare. Fillova të lexoja në këmbë, për të mbrojtur shpinën.
Leximi njerëzor është i kufizuar. Ishte emocionuese të zbuloja sa shumë mund të lexoja, dhe përgatitja për provimet më vuri në rrugën për t'u bërë një nga ata njerëz që "i ka lexuar të gjitha". Megjithatë, edhe kur përshkoja një pjesë të konsiderueshme të kanonit letrar, nuk mund të mos vëreja që po lexoja vetëm një pjesë të vogël të asaj që ekziston. Biblioteka në universitetin tim ishte komikisht e madhe, me shumë nivele nëntokësore, dhe thellë në raftet e saj dritat ndizeshin për të zbuluar rreshta të tërë librash që dyshoja se dikush i kishte lexuar, të paktën kohët e fundit. Dhe sot, kur e kujtoj, shfaqet një kufizim tjetër: kujtesa. Mund të kem lexuar "Mbretëresha e Bukurive" nga Edmund Spenser, por a mbaj mend më shumë se thelbin? Ka një arsye pse, në mes të jetës, kaloj po aq kohë duke rilexuar librat e mëdhenj që kam lexuar (si "Fëmijëria, Rinia, Djalëria") sa edhe duke kërkuar të rinj.
A i sfidon IA-ja në mënyrë thelbësore këto kufizime? Është me të vërtetë e mundur të imagjinohet që makinat inteligjente të leximit do të na ndihmojnë të gjejmë vlerë në tekste që përndryshe do të mbeteshin të palexuara. (Ky proces mund të jetë pak si nxjerrja e karburanteve fosile: shkrime të vjetra, të specializuara ose të vështira mund të përdoren, në formë të përmbledhur, për të ushqyer mendim të ri.) Dhe mund të ketë edhe skenarë ku modelet e mëdha të gjuhës thellojnë dhe zgjasin kujtesën tonë letrare. Po të kisha studiuar për provimet e mia me një IA pranë, dhe pastaj të vazhdoja ta diskutonim së bashku leximin vit pas viti, mund të kisha ndërtuar diçka si një ditar të mendimit, një fletore të gjallë me shënime. Siç ndodhi, megjithatë, kam pasur fatin të kem një bashkëbiseduese njerëzore, bashkëshorten time, që ishte gjithashtu në programin tim të doktoraturës. Marrëdhënia jonë është formësuar nga leximi ynë. Inteligjenca artificiale, në vetvete, nuk ka motivim; ajo lexon, por nuk është lexuese; "interesat" e saj, në çdo moment të caktuar, varen në mënyrë thelbësore nga pyetjet që i bëhen. Prandaj, dobia e saj si mjet leximi varet nga ekzistenca e një kulture leximi që ajo nuk mund ta mishërojë apo ta ruajë.
Çfarë do të ndodhë me kulturën e leximit ndërsa leximi bëhet i automatizuar? Supozojmë se po shkojmë drejt një të ardhmeje ku teksti shihet si i rrjedhshëm, i zëvendësueshëm, i thyeshëm, i abstraktueshëm. Në atë të ardhme, njerëzit shpesh do të lexojnë duke kërkuar që një tekst të bëhet më i shkurtër dhe më i drejtpërdrejtë, ose të shndërrohet në diçka tjetër, si një podkastapo një raport multitekst. Do të jetë e lehtë të kapësh thelbin e një shkrimi, të ndjesh sikur e njeh, dhe kështu çdo vendim për t'u përballur me tekstin origjinal do të përfshijë një pranimin e vetëdijshëm të përpjekjes. Disa autorë do të reagojnë duke u përpjekur të joshin lexuesit njerëzorë me forcën e personalitetit të tyre; të tjerë thjesht do të supozojnë se po "shkruajnë për AI-të." Ndoshta do të shfaqen qasje të reja stilistike që synojnë të largojnë leximin e automatizuar, duke krijuar zona leximi vetëm për njerëz. Njerëzit që lexojnë vërtet "origjinalet" do të jenë të rrallë, dhe ata do të kenë njohuri që të tjerët nuk i kanë, dhe do të përjetojnë përvoja që të tjerët i shmangin, por epoka në të cilën të jesh "shumë i lexuar" është sinonim i të qenit i arsimuar apo inteligjent do të ketë marrë fund. Do të jetë e vështirë të dallosh lexuesit e thellë nga ata sipërfaqësorë; ndoshta, nëse leximi me ndihmën e IA-së rezulton mjaftueshëm i dobishëm, ato terma nuk do të kenë më rëndësi. Teksti mund të trajtohet si një medium kalimtar, një vend pushimi i përkohshëm për idetë. Një shkrim, që sot shpesh shihet si një pikë përmbyllëse, një kulm, një njësi e përfunduar përpjekjeje, mund të përjetohet, për mirë a për keq, si një gur vau drejt diçkaje tjetër.
Lini një Përgjigje