Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha mori pjesë në promovimin e librit “Në emër të gjakut” të Ahmet Prençit. Hoxha tha se ky libër vjen si rrëfim i fuqishëm për një nga vitet më të errëta të historisë sonë jo të largët, 1997-ën.
“Një vit ku shteti u drodh deri në palcë, por nuk u rrëzua edhe falë burrave e grave me uniformë që zgjodhën të qëndrojnë. Ky libër nuk është vetëm letërsi. Është një testament i jetuar, kujtesë për ata që ranë në krye të detyrës dhe për ata që mbijetuan me plagë në shpirt e në trup”, tha ai.
Sipas Hoxhës, Ahmet Prençi nuk shkruan si spektator, por si dëshmitar dhe pjesëmarrës në atë kohë të vështirë, shkruan atsh.
“Ai i jep zë një brezi që mbajti mbi supe barrën e kaosit, të dhimbjes dhe të sakrificës. Në çdo faqe, ndjeshmëria njerëzore ndërthuret me mësimin institucional, pa Polici profesionale, pa institucione të forta, pa kujtesë kolektive, historia mund të përsëritet. Dhe askush prej nesh nuk do të dëshironte më një vit si ai”, pohoi Hoxha.
Ministri Hoxha në fund të fjalës së tij, falënderoi autorin, ndërsa shtoi se “libri është një gur në themelin e asaj që duhet të jetë Policia e Shtetit, trupë e ndershme, humane, profesionale dhe e palëkundur”.
“Kujtesa është përgjegjësi dhe detyrim. “Në emër të gjakut” na e kujton këtë me forcën e fjalës dhe me dhimbjen e së shkuarës”, tha Hoxha.
Lini një Përgjigje