U shfaq në sallën “Forum” të COD-it, një tjetër film shqiptar i restauruar.
Falë bashkëpunimit të Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq komedia “Përrallë nga e kaluara“. Filmi i prodhuar nga kinostudio “Shqipëria e re”, është bazuar në novelën me titull “14 vjeç dhëndërr” të Andon Zako Çajupit. Regjisori Dhimitër Anagnosti i dha jetë kësaj novele me një trupë aktorësh të papërsëritshëm, në vitin 1987.
Komedia trajton historinë e martesës së Gjinos, 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Filmi shpalos hakmarrjen e Marigosë me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe ku në fund fiton duke u bashkuar sërish me njeriun që dashuronte.
E pranishme gjatë shfaqjes ishte edhe drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Marinela Ndria, e cila bëri një panoramë mbi procesin e realizimit të një filmi të restauruar, gjithashtu dhe rrëfeu për punën kolosale që AQSHF ka zhvilluar për të ruajtur dhe servirur në gjendje optimale tek publiku këto pasuri kombëtare kinematografike. A.K./TemA
Lini një Përgjigje